Le Figaro

Në SHBA i thërrasin “snowbirds” (zogjtë e borës). Këta janë miliona pensionista kanadezë që i largohen në masë dimrit të ashpër në vendin e tyre për ta shkëmbyer me diellin e ngrohtë të Floridës, ku jetojnë dhe kanë blerë shtëpitë e tyre. Por ata po përballen tani me thirrjet Go Home Canadians. Urdhri ekzekutiv nr. 14159, “për mbrojtjen e popullit amerikan nga pushtimi i të huajve”, të cilin Donald Trump e nënshkroi në ditën e inaugurimit të tij, po prek tani këta banorë paqësorë të Floridës, siç janë pensionistët kanadezë që nuk e prisnin kurrë të përjetonin një gjendje të tillë stresi nga dekreti presidencial.

Sipas urdhrit ekzekutiv të firmosur nga Trump, të gjithë udhëtarët që qëndrojnë në Shtetet e Bashkuara për më shumë se 30 ditë pa vizë imigrimi duhet të regjistrohen pranë autoriteteve amerikane. Agjentët federalë më pas marrin gjurmët e gishtërinjve dhe u japin një formular turistëve, të cilët duhet ta mbajnë me vete gjatë gjithë kohës së qëndrimit në SHBA. Kundravajtësit përballen me një gjobë prej 5000 dollarësh. Dekreti i Trump-it urdheron Sekretarin amerikan për Sigurinë Kombëtare që të marrë të gjitha masat e nevojshme për mbajtjen në gjendje arresti të të huajve të kapur për shkelje të ligjit të imigracionit, në pritje të rezultatit të procedurave të dëbimit të tyre nga territori amerikan.

Nga mënyra sesi është formuluar Urdhri Ekzekutiv nr. 14159, viktima të tij bëhen jo vetëm emigrantët e paligjshëm, por të gjithë turistët, pra edhe milionat e pensionistëve kanadezë që kalojnë dimrin në Florida çdo vit. Ky dekret i Sherifit të ri amerikan në Shtëpinë e Bardhë po i fut në një panik të pashoq pensionistët kanadezë në SHBA. Kjo reflektohet më së shumti te agjencitë imobiliare dhe atyre turistike në Florida. Anullimet e udhëtimeve nga Kanadaja drejt Floridës, si dhe shitjet e shtëpive nga pronarë pensionistë kanadezë në Florida po shtohen.

Sigurisht, tek anullimet e udhëtimeve nga Kanadaja për në Florida, një pjesë e zezë dhe vala e bojkotimit të SHBA-ve nga kanadezët të acaruar nga politika armiqësore e Trumpit ndaj Kanadës. Ky i fundit i ka vënë Kanadës tarifa të larta doganore dhe s’pushon së deklaruari se kërkon ta aneksuar Kanadanë si shtetin e 51-të të SHBA-ve. Por pjesa më e madhe tani e kanadezëve që s’duan të vijnë më në SHBA apo që duan të largohen nga SHBA-të është thjesht për shkak të dekretit të Trump që e kufizon qëndrimin legal në territorin amerikan në vetëm 30 ditë.

Veçse largimi i pensionistëve kanadezë do të ketë impakt negativ mbi ekonominë lokale të Floridës. Çdo vit, “zogjtë e borës” injektojnë 6.5 miliardë dollarë në Florida. Pensionistët kanadezë kanë aty dhe bankën e tyre, “Mouvement Desjardins”, gazetën e tyre, “Le Soleil de la Florida”, dhe shumë biznese atje. Shpenzimet e turistëve kanadezë në SHBA kapin shifrën e më shumë se 20 miliardë dollarë në 2024. Falë këtij turizmi kanadez punësohen 140,000 amerikanë. Sipas The Florida Sun, kanadezët janë gjithashtu blerësit më të mëdhenj të pasurive të paluajtshme në shtetin e Floridës, me investime prej 1.3 miliardë dollarësh vitin e kaluar. Zogjtë e borës kanadeze zotërojnë për më shumë se gjysmën e tyre shtëpitë e tyre në Florida. Më 2024 ata blenë shtëpi me një vlerë mesatare prej 515,800 dollarë për shtëpi.

Kjo është arsyeja pse pensionistët paqësorë nga katër anët e Kanadasë janë të habitur nga mënyra se si presidenti amerikan po i trajton si turistë, ndërkohë që ata janë edhe investitorë. Influencuesja e njohur kanadeze, pensioniste në Florida nga Quebec-u, Jocelyne Cazin, dëshmon me qesendi: “Imagjinoni, jam shtrirë në rërë në plazh, duke u nxirë në diell, pastaj papritur ndjej një hije që mbulon një pjesë të trupit tim: ‘Përshëndetje, zonjë, a mund të më tregoni dokumentat ju lutem?’ C’ti them? Ky Donald Trump nuk është tamam budalla. Ai është thjesht një psikopat me flokë portokalli,” shprehet kanadezja Jocelyne Cazin, duke pasqyruar opinionin e shumë kanadezëve të instaluar në Florida.

Habia dhe zemërata në radhët e pensionistëve kanadezë në Florida shtohen kur vetë senatori i Floridës, Marco Rubio, tani Sekretar Shteti i SHBA-ve, kishte hartuar më 2023 Aktin e Vizave specifik dhe të favorshëm për pensionistët kanadezë, një tekst që autorizon të gjithë kanadezët mbi 50 vjeç e sipër të hyjnë dhe të qëndrojnë në SHBA pa kurrfarë vize deri tetë muaj në vit.

Nëse Jocelyne Cazin bënte humor për ditën kur mund ta arrestonin në plazh, një turiste kanadeze është arrestuar me të vërtetë në SHBA në bazë të dekretit të Donald Trump. Ja si dëshmon ajo: “Më futën në qeli dhe më mbajtën aty tre ditë. M’u desh të flija në një dyshek, pa jastëk, me një batanije prej alumini që më mbulonte trupin si të isha kufomë. Nuk isha vetëm. Të gjithë të arrestuarit ishin të lidhur me zinxhirë 24 orë,” dëshmoi kanadezja Jasmine Mooney. Një dëshmi shokuese për shumë kanadezë në Florida, sikur kjo turiste që shkonte për t’u argëtuar dhe shpenzuar, përbente rrezik për kombin amerikan në sensin e dekretit të Donald Trump, ku theksohet se: “Të huajt e paligjshëm përfaqësojnë një kërcënim të rëndësishëm për sigurinë kombëtare dhe sigurinë publike në SHBA, duke kryer veprime të neveritshme dhe të urryera kundër amerikanëve të pafajshëm”.

Të mërzitur dhe të frikësuar, pensionistët kanadezë apo “zogjtë e borës” në Florida po mendojnë tani të shkojnë drejt destinacioneve më të përshtatshme, njëkohësisht dhe më pak të kushtueshme, si Meksika, Republika Domenikane apo Kuba. Një lëvizje kjo e detyruar po ashtu edhe prej rënies së kursit të këmbimit të dollarit kanadez ndaj dollarit amerikan për shkak të vënies së tarifave të larta doganore të Donald Trump ndaj Kanadës, duke e bërë kështu më të shtrenjtë kostot e jetesës për kanadezët në Florida.

(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: