Një ditë pas përhapjes së informacioneve se ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj kishte thirrur një prej gardistëve që shoqëron kreun e PD-së, Lulzim Basha dhe e kishte njoftuar për rreziqe të mundshme që i kanosen atij, vjen edhe reagimi i ministrit.

I ndodhur në Vlorë, Lleshaj thotë se nuk ka asnjë informacion që kryedemokrati të jetë kërcënuar apo se i rrezikohet siguria.

Ministri pranon ndër të tjera të jetë takuar me truprojat e Gardës dhe thotë se kjo është pjesë e punës së tij të përditshme, por pa pohuar të ketë diskutuar me ndonjërin prej tyre për sigurinë e Bashës.

Lleshaj tha ndër të tjera, se i ka mbërritur një letër nga Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazmend Bardhi, por se nuk e kishte lexuar ende.

Një ditë më parë, ‘News24’ e ‘BalkanWeb’ siguruan shkresën përmes së cilës kryedemokrati Lulzim Basha akuzonte ministrin e Brendshëm, Sandër Lleshaj për shantazh për qëllime politike. Në shkresën drejtuar ministrit të Brendshëm e që mban firmën e sekretarit të përgjithshëm të PD, Gazmend Bardhi, demokratët i referohen një takimit të ministrit Lleshaj me një prej punonjësve të gardës së Republikës, truprojë e Lulzim Bashës, mbi rrezikun që i kanoset sipas ministrisë së Brendshme, kreut të opozitës. Në letër Gazment Bardhi shkruan se z.Lleshaj ka shkelur cdo procedurë dhe cdo mënyrë institucionale të trajtimit të kësaj çështjeje.

“Në bazë të ligjit, ju duhet ta përcillni informacionin që keni tek drejtuesit e Gardës së republikës, që janë autoriteti përgjegjës për të vlerësuar masat e nevojshme të sigurisë ndaj një përsonaliteti shtetëror që gëzon mbrojtje të posaçme, si dhe tek institucionet ligjzbatuese që kanë përgjegjësinë ligjore për të gjurmuar, vlerësuar dhe neutralizuar çdo rrezik të tillë.”-thuhet në letrën e Sekretarit të Përgjithshëm.

PRONONCIMI I PLOTE

Nga kush kërcënohet siguria e kryetarit të opozitës Lulzim Basha dhe a keni pasur një takim me truprojën e tij në zyrën tuaj?

Lleshaj: Siguria e Bashës, nuk kam ndonjë informacion që rrezikohet. Sigurisht jam vënë në dijeni dje të një letre që janë shtruar dhe disa pyetje, por nuk kam informacion që siguria e Bashës të jetë e kërcënuar në mënyrë specifike.

Çfarë masash do të merren në lidhje me debatet dhe tensionet që po ndodhin në KZAZ-të e vendit?

Lleshaj: Në KZAZ e vendit po zhvillohet puna normalisht. Ka patur tentativa në disa raste të shkëputura të individëve të caktuar, kryetarëve të bashkive aktualë, si rasti i Selenicës, të cilët kërkojnë të zgjasin, përmes dhunës dhe arbitraritetit, mandatin e tyre që ndërkohë po mbaron.

Eshtë një opsion i pamundur që kryetarë të caktuar bashkie, të cilëve u ka mbaruar mandati, të pengojnë rizgjedhjen e të tjerëve.

Si do të jetë ndërhyrja e policisë në rast se në 30 Qershor do të kemi ashtu siç ka paralajmëruar PD-ja në fakt, opozita, ndërhyrje për të mos lejuar qytetarët të cilët do të zgjedhin bashkiakët?

Lleshaj: Reagimi i policisë është i paracaktuar nga ligji. Policia është e detyruar që në funksion të kërkesave përkatëse të autoriteteve që administrojnë zgjedhjet, të ndërhyjë në ato raste ku është e nevojshme të ndërhyhet.

Unë prapë besoj që me gjithë thirrjen dhe retorikën e ndezur politike që po përdor një pjesë e opozitës jashtë-parlamentare për të penguar procesin zgjedhor, unë besoj që ai do të zhvillohet plotësisht në rregull ashtu si e kërkon kushtetuta dhe ligji, për arsye se masat janë të marra plotësisht dhe për arsye se qytetarët shqiptarë kërkojnë që të ushtrojnë të drejtën e tyre.

Qytetarët e këtij vendi nuk mund të pranojnë dhe nuk pranojnë në krye të bashkive të vendit, qytetarë që u ka mbaruar mandati. Do të zgjidhen të tjerë, kaq e thjeshtë është kjo.

Z. Lleshaj, ka një letër nga Gazmend Bardhi që ju është drejtuar juve për sigurinë e z. Basha madje është folur edhe për një takim tuajin me truprojat e z.Basha. Janë të vërteta këto fakte apo jo?

Lleshaj: Cilat fakte?

Ka një letër të z.Gazmend Bardhi…

Lleshaj: Po letra është bërë publike, atë e keni në gazetë. Eshtë e vërtetë që ka patur një letër, të cilën ende nuk e kam lexuar.

Ndërsa sa i përket takimeve të mia, patjetër që unë takoj shumë njerëz. Puna ime është të takoj oficerët e Gardës, oficerët e Policisë, me këtë punë merrem gjithë ditën, takoj oficerë të Gardës edhe të Policisë sepse këtë punë kam.
Z. Lleshaj, jashtë politikës, për sezonin turistik. Vlora ka pasur një mbarëvajtje vitin e kaluar në sistemin e kufirit, të mjeteve ujore, por ashtu edhe të rendit këtë vit. Por, duke pasur parasysh që numri i turistëve të huaj sa po vjen dhe po rritet, kemi parë që është nevoja e efektivëve që të flasin gjuhë të huaja, sidomos anglisht. A do të ketë një plan për sezonin turistik për rritjen e këtyre efektivëve?

Ministri Lleshaj: Keni kapur një pikë shumë sensitive në fakt dhe shumë të rëndësishme. Sigurisht që do të ishte e mira që Policia e Shtetit të jepte përgjigje me kapacite të duhura edhe në sezonin turistik në aspektin e komunikimit, për arsye se të gjithë turistët që frekuentojnë plazhet ose Shqipërinë kanë nevojë për komunikim dhe pengesa e para që i drejtohen është policia.

Ne po bëjmë përpjekje, por megjithatë them që këtu nevoja për përmirësim është shumë e madhe. Dhe këtu gjej rastin për të bërë një thirrje publike për të rinjtë e këtij vendi, të cilët duhet të afrohen për t’u bashkuar me Policinë e Shtetit.

Nuk mund ta ndërrojmë nivelin e anglishtes për oficerët e policisë për një javë apo për një muaj. Do kohë! Besoj e dini se sa kohë merr një gjuhë ta mësosh dhe ta përdorësh atë.

Ne po punojmë në kuptim afatgjatë për të shtuar kapacitetet e trajnimit në gjuhën angleze për oficerët e policisë në Akademinë e Sigurisë.

Së shpejti, do të kemi një ndërhyrje të rëndësishme në këtë Akademi duke shtuar kapacitete të dedikuara, pra duke shtuar laboratorë dhe mësues ose profesorë të gjuhës angleze në mënyrë që oficerët e policisë të dalin nga Akademia me një nivel të konsoliduar të gjuhës angleze.

Njëkohësisht për ata që janë, që shërbejnë tashmë në komisariatet e vendit do të ketë programe trajnimi në mënyrë që niveli i tyre të përmirësohet aq sa të arrihet një optimum që të mundësojë komunikimin me turistët. Po ashtu edhe në pikat kufitare në rastin e atyre që frekuentojnë pikat tona kufitare. Por është një çështje, e cila meriton përmirësim.

Zoti Lleshaj dhe një pyetje e fundit. Sa i përket kultivimit të lëndëve narkotike, ka informacione të pakët në zonën e Selenicës në fshatrat e Lumit të Vlorës ka kontrolle të përditshme, a jeni informuar për bimët që janë konstatuar?

Lleshaj: Sigurisht që jam i informuar, sepse kjo çështje përbën një prioritet të madh të punës së Policisë së Shtetit. Policia e Shtetit tashmë është në kulmin e operacionit kundër çdo tentative për kultivim.

Në këtë kuadër kryhen operacione të rëndësishme nga toka dhe nga ajri, për të pamundësuar çdo tentativë.

Nuk po them që ka raste, ka tentativa, ka patur tentativa edhe në qarkun e Vlorës, por edhe në ndonjë qark tjetër. Por dua të them që niveli i impenjimit dhe i angazhimit të strukturave të Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me partnerët tanë ndërkombëtarë, është i tillë, i cili e bën të pamundur çdo tentativë për të kultivuar kanabis.

Sigurisht që mendjen e ndonjë të çarturi, i cili ende nuk ka kuptuar gjë ne nuk mund ta kontrollojmë, por dua t’i garantoj, t’i garantoj fort që çdo tentativë do të marrë ndëshkimin e ligjit. Dhe, duke filluar nga data 15 qershor, pjesë e përgjegjësisë nuk janë thjesht kultivuesit, por do të jenë edhe vetë strukturat e Policisë dhe strukturat e Pyjeve, të Bujqësisë, të Mjedisit e të tjera me radhë.

Pra të gjithë ato struktura të cilat kanë përgjegjësi për ta kontrolluar këtë territor, i cili duhet të jetë ashtu siç Zoti na e ka lënë, i bukur dhe në dispozicion të shqiptarëve për t’u përdorur për qëllime pozitive.

(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb