Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka ngritur shqetësimin për sigurinë ushqimore në vend, pas raportimeve për një sasi mandarinash të refuzuara për eksport për shkak të nivelit të lartë të pesticideve. Në një postim në Facebook, ajo vuri në pikëpyetje funksionimin e sistemit të kontrollit dhe sigurisë për produktet që shkojnë në tregun shqiptar.
“Çfarë ndodh me tregjet tona? A kryen AKU kontrolle? Çfarë ndodh me produktet që përfundojnë në tryezat e shqiptarëve?” – shkruan Tabaku, duke e cilësuar sigurinë ushqimore si një element kyç për konsumatorët.
Ajo lidhi shqetësimin me skemën e TVSH-së dhe taksat në bujqësi, si edhe me buxhetin e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU) për të siguruar kontrollin efektiv të ushqimeve që konsumohen në vend.
Tabaku apelon për vëmendje më të madhe ndaj cilësisë së ushqimeve, duke ngritur pyetjen themelore për çdo konsumator shqiptar: “Çfarë produktesh po hamë?”