Nga Shkëlqim Abazi

Tash në pleqëri, ndjej detyrim të rrëfej të vërtetën time, ashtu siç e jetova. Të flas për burrat modestë, që s’u mburrën ndonjëherë me bëmat e tyre dhe për të tjerët që regjimi u mbylli gojën e, i groposi në skërkat pa emra. Në asnjë rast s’marr përsipër, të uzurpoj monopolin e së vërtetës apo, të pretendoj dafinat për një ngjarje, ku qeshë i pranishëm rastësor, ndonëse u rreka me shpirt të ndihja sadopak miqtë e mi, që më shmangën me takt dhe me dashamirësi: “Byrazer, hap sytë… mos u përzje… se edhe dy muaj e pak të kanë mbetur”! Merak që m’u qep si hajmali, nga mëngjesi i datës 21, 22 dhe 23, maj 1974, madje më ndoqi edhe muajt në vijim, gjersa më liruan. Sidoqoftë, gjithë ç’ pashë dhe dëgjova ato tri ditë, s’do doja t’i merrja në varr.

Mbështetur në aforizmën latino-amerikane: “Nderi mund të humb, po kurrë s’fitohet”, e kishte halë në sy, e zilepste Ermenjin, sidomos mbas shkëlqimit në luftë e, pas saj, sepse gjoja i cënoi emrin udhëheqësit të “Madh” proletar, ndaj duhej eliminuar pa derman.

Kurse Sadik Premtja, pragmatisti kryeneç dhe konfreri fanatik e konsekuent në ideologjinë marksiste, që s’e braktisi deri në vdekje, njihej si figurë qendrore e komunizmit shqiptar, teoricien dhe trim, cilësi që i ngrinin inatin dhe i rrezikonin karrierën njëshit, ndaj edhe “Xhepi”, cinik e dinak, duhej eliminuar pa mëdyshje.

Teksa shokët-antagonistë i qëroi gjatë luftës, apo fill pas saj, me atentate e truke të sajuar dhe me gjyqe qesharakë, një pjesë të arratisurish, i helmoi me anë të kundërspiunazhit apo, iu sajoi “aksidente”, atje ku kishin siguruar azil, të tjerët i kërcënoi, i neutralizoi dhe ua qepi gojën, me eliminimin e të afërmve në atdhe; kalli grindjen, futi përçarjen dhe nxiti fobinë me metoda subversive, gjersa e nxori jashtë loje edhe pjesën e mbetur, të emigracionit politik.

Sërish, dy armiqtë e lartpërmendur, s’u dhanë dhe s’e fashitën luftën kundër Enverit edhe kur kapi zenitin politik. “Arrogantët” e terrorizonin, secili nga pozicioni i vet dhe e sulmonin me argumente, gjersa i prishën rehatinë. Ndaj edhe ai s’la gur e kusur; pajtoi agjentë të U.D.B.-së e, të K.G.B.-së, që aplikuan metoda xherxhinskiane të suksesshme, në rastin Trocki, madje huazuan edhe nga C.I.A. e Alen Dallesit, ndonëse e urrenin si imperialist; nisi dhjetëra dërgata me personel të specializuar dhe amatorë, financoi me flori detektivë të vërtetë e sharlatanë, dërgoi nën petkun e të arratisurve studentë, shkrimtarë, artistë dhe lloj-lloj eksponentë nga Shqipëria, Kosova e trevat shqipfolëse, me mision fiks: të zhduknin “profesorin” dhe “Xhepin”.

Por tentativat dështuan të zbuluara nga të shënjestruarit apo, njerëzit pranë tyre. Teksa projektet po vononin të finalizoheshin ai u obsesua fobisë së eliminimit, frika, urrejtja dhe paniku, u shtuan në progresion me dështimet dhe iu kthyen në makth, qe gati të rrënonte Shqipërinë, veç të shihte të ekspozuara në stendat e muzeve, kufomat e armiqve.

Dhe përdori çdo mjet, që nga drejtoritë e posaçme e të përveçme në ministrinë e Jashtme e të Brendshme, gjer tek shumëfishimi i personelit të ambasadave, me specialistë të shërbimit inteligjent…!

Në burg, njoha dështakë nga kontingjenti i “heronjve të heshtur”, të nisur apostafat me mision, mirëpo ata s’flisnin, sepse i terrorizonte çmimi, me të cilin duhej të shlyenin dështimin, (një pjesë syresh e paguan me kokë, qysh momentin e parë, kush i shpëtoi plumbit, la eshtrat në burgje, sa sot nuk di, në rron ndonjë ekzemplar nga kjo specie urithësh, që edhe në qofshin gjallë, pa dyshim do jenë çyrykë të përjetshëm.) Kësaj kategorie, i përkiste “Marroku”.

“Marroku”

U zgjata i kondicionuar nga karakteri i veçantë, ndoshta i përveçëm i ekzemplarit të rrallë, të të mbijetuarit nga specia e kundër zbuluesve të dështuar, që patën fund marrinë. Me “Marrokun” s’lidha dot miqësi. Përjashto Tomorin, s’ia arriti kush. Por të paktën, unë mund të radhitem te personat që i respektonte apo, rastiste t’u fliste, kur zhytej në vuvëri totale.

Për mënyrën si e shtynte burgun, mund të thuhet plotë gojë, ishte vetmitar. Hante vetëm: Kur shumica kishin përfunduar së ngrëni, ulej ai. Luante vetëm: Admironte shahun, por luante edhe tavëll e domino.

Kur luante “Marroku”, të thoshe se shtjellohej një spektakël shekspirian. Vendoste fushën mbi shtrat, apo jashtë në shesh, apo ku t’ia thosh truri, rreshtonte gurët, bënte lëvizje me të bardhin, ulej në krahun kundruall dhe luante të ziun, pastaj çohej, mendohej ca çaste, gjersa bënte lëvizjen e krahut tjetër, ngrihej sërish, po dilte jashtë dhe vonohej me kast, para se të luante figurën në fushën kundërshtare, kur kthehej lëvizte figurën e duhur.

Ky ritual i hante gjithë ditën, ndonjëherë e zinte ndalim-qarkullimi, pa mbyllur lojën. Me të mbaruar lojën, niste shamatën. Rivalët imagjinarë, grindeshin me fjalor të pistë dhe sherri zgjaste, gjersa “humbësi” të pranonte rezultatin.

Për të zgjidhur mosmarrëveshjen, ndërhynte arbitri. “Marroku” niste këshillat me seriozitetin e një gjyqtari të paanshëm dhe me ton atëror:

“Mos e prishni gojën me shoqin, të dashurit e mi, sot fitove ti, nesër ti tjetri. Ama duhet të studioni bre, të studioni, kuptuat apo jo? Teoria të dashur, teoria”! Mbyllte këshillën didaktike dhe merrte literaturën shahistike, e zhytej me orë. E njëjta ndodhte edhe kur luante domino.

Ai shëtiste i vetmi: – Në çdo stinë, dimër, pranverë, verë, vjeshtë, borë, shi, erë, tufan e zheg, s’donte t’ia dinte, vazhdonte varavingat, me krahët kryqëzuar mbi gjoks apo, pas shpine, si t’ia kishin lidhur dhe xhironte kryeulur, me mjekrën që i cikte gropën e laringut.

I vetëm, fliste me veten. Po s’e kuptoi ndonjëherë, se ish tek pullë. Mendja bipolare imagjinonte një të dytë në krah dhe s’reshte së foluri, por edhe kur nuk dërdëlliste, kërcëllinte dhëmbë gjer në egërsi.

Ai flinte vetëm:

Në një hapësirë enkas për të, diferencim i pazakontë, për kushte burgu, shtatëdhjetë centimetër në një krahë, po aq në tjetrin, ishin privilegj i tij. Madje, kur një individ asocial, kërkonte të përfitonte paksa më tepër se i takonte, e shpotisnin: “Na u herë ‘Marroku’”.

I linin cepat, sepse s’pranoi fqinj. Kur ndodhte t’i shpinin dike, merrte jatakun në krahë dhe e shtrinte ku t’ia jepte truri, mes sheshit, te dera e banjave, mbi vatrat e kuzhinës private, para kuzhinës kolektive, madje ngrinte limerin dhe ia këpuste gjumit, për shatë palë qejfe, edhe mbi çatinë e depos së ushqimeve.

Mjerë kush e kritikonte!

Po të bëje këtë gafë, do dëgjoje një mori sharjesh, sepse veç Tomorit, tërbimit të tij, s’i shpëtonte kush, i dënuar, ushtarak, madje dhe operative, apo drejtuesit e kampit.

Në pamjen të parë, ishte i vrazhdë, nursëz, çapraz, sherrxhi, çakërdar, por s’përbënte agresivitet aktiv. Veç lumit të fyerjeve me fjalë të pista dhe ndonjë kërcënimi pa zarar, s’ishte i dhunshëm.

Ai ishte me hënë, kish periudha kur fliste e fliste, madje edhe në gjumë, pastaj një kohë, zhytej në heshtje totale. E merrnin dhe e çonin në spitalin e burgut në Tiranë, e kuronin disa muaj, por bënte sërish të njëjtat, kur e kthenin.

S’e pashë të ndryshonte sjellje, madje edhe biruca s’jepte efekt, me ta nxjerrë, vazhdonte avazin. Sido i papërgjegjshëm, e kishte një ilaç, Tomorin.

Kur e konstatova sefte shtanga dhe e pyeta; ç’e bënte të veçantë në sytë e “Marrokut”?! Fillimisht s’deshi të më tregonte, po kur një ditë iu desh ta qetësonte, e pyeta sërish:

“S’e kuptoj, ç’të lidh me ‘Marrokun’”?

“Burgu”!

“Në burg jemi të tërë, or mik”!

“Jemi, po s’jemi të njëjtë”! – ma preu shkurt.

“Sigurisht, por shumë prej nesh, s’e meritojnë burgun”!

“Ndoshta, po gjithkush ka kusuret e veta”!

“Edhe ‘Marroku’”?

“Më shumë se gjithkush”!

Sa dëgjoi ta përmendnin, “Marroku” u avit dhe hoqi Tomorin mënjanë, unë iu ktheva librave. Pas do kohe, Tomori më ftoi:

“Paske vënë ambasadat me Brazilit”? – e shpotita, ngaqë kafeja ishte produkti më i pa gjindshëm.

“Na ka ftuar Dhori”! – ma preu dhe doli.

E ndoqa në kuzhinë, ku mbi ca tulla të nxira nga bloza, ishin ulur katër korçarë dhe dy të tjerë. Andon Vanko, piqte kafe në një teneqe konserve dhe Stavri Qirko, e ndante në ca sapllakë çaji.

“Paskeni gjetur thesarin e Marko Polos”? – shpotita sërish.

“I erdhën Dhorit familja”! – sqaroi Ndonkë rrobaqepësi.

“Shyqyr që i kishe mirë, së shpejti pranë tyre”! – e urova Gërnjotin, me atributet e zotit të shtëpisë, ndonëse ia prenë njëzet e pesë, mbas arratisë nga burgu i Burrelit, më gjashtëdhjetë e shtatën.

Ne urimin e bënim për adet, fundja kush s’e ëndërron lirinë dhe shpresa vdes e fundit!

“Amin”! – më mbajtën iso të tjerët.

“Ia paske shtruar me kafeçka bre faqkë dhe mua s’më dhe njëckë”! “Marroku” ja behu nga hiçi.

“Hajde ta pish, mo”! – e ftoi Gaqo Menkshi.

“Ikë, mo bythkë, s’të kërkova kafe tynë”! – e fyeu “Marroku”.

Ndonëse nga një lagje dhe me njohje të lashtë, ata e urrenin njeri- tjetrin, bash për shkak të grindjeve fqinjësore.

“Eja mo, djalkë”! – desh ta qetësonte Andon Treska.

“S’dua as nga tinë, o b…th qelbur”! – dhe shpërtheu në sharje, që s’ka kalem t’i shkruajë. Stavri i ofroi një sapllak, por ai e kapi përfund dhe ia zbrazi në fytyrë:

“As nga ti surrat mushkë”! – dhe vazhdoi të sharat.

“Ç’të gjeti, bre”? – u ndërkrye Dhori.

“Tinë bre faqkë, ma ke bërë mutin në qafë dhe ma pike kafeçkën me këtë skërbythjen e, këtë kokë lopën këtuzë”! – shënjoi herë Gaqon, herë Stavrin, duke sharë e mallkuar.

“Shporru ce na çave kokën”! – i shfreu Dhori. – “Unë të ftoj për kafe, ti më fyen miqtë! Thyej qafën, bre ‘Xhepi’”!

“Marroku” u drodh si në elektroshok, flegrat i fërgëlluan si turi tigri, kur gatitet të kërcejë mbi preh, bëri dy tre rrotullime rreth vetes, luhati kryet, përplasi thembrat si mëzat kur rrëmojnë tokën dhe shafran i verdhë, iu kthye bashkëqytetarëve, me zhargonin më të ndyrë.

Tashmë fyerjet u derdhën si breshëri gjylesh, mbi muret e kështjellës nën rrethim:

“U bëtë ju shkërdhata, të më jepni mentë mua”! – etj., etj., dhe iu kthye Dhorit: – “Mos m’u krekos o b…thkë dhjerë, që të kam dhënë karamelka që kaqkë! Se do t’i thyej ato meçkat, që mi ke si nofullat e kalit të Goles”! – përveshi mëngët, nxori dy parakrahë si cingla dhe shtrëngoi grushtet, si qepë Boboshtice, duke iu sulur Dhorit.

Kampioni absolut i boksit, u step dhe i hapi udhë, por Andon Vankua, i doli në mbrojtje të atit dhe në inat e sipër, mund ta kish qëlluar:

“Ore ‘Xhepi’ i m…tit, ç’pate me babushin tim”?

Por Tomori e hoqi me marifet, diç i tha dhe “Marroku” iku siç kish ardhur.

“Leri ato libra dhe eja dalim për një kafe”!

Ndërhyrja efikase, më kujtoi rastin e parë. Pasi u ndamë me korçarët e pyeta:

“Si arrite ta neutralizoje”?

“Thjesht e veçova, gjersa u qetësua”.

“Çudi, patriotëve, s’iu la gjë pa thënë, ty të ndoqi si manar”.

“Ashtu e ka ai”!

“Më bëri përshtypje kjo mesele marrokësh…”, – desha ta mbyllja.

“Byrazer, jemi të gjithë nga pak marrokë, unë, ti dhe të tjerët”! – shtoi Tomori i menduar.

“Mbase”! – pohova, sa për të thënë diçka.

“S’e luan topi! Ai s’është aq i marrë, sa e kujtojmë, po i gjete telat, të bëhet urë”.

“Për ato telat e kisha llafin, si ia gjete”? – dhe iu riktheva sërish temës.

“Si të të them, kemi qenë ca ditë në birucë dhe…”!

“Ehu-u, sa kanë bërë birucë me të … dhe ai s’i përfill fare”!

“Vërtet, po s’kanë ditur t’i prekin kordat”! – frymori sikur do merrte vrull për të kapërcyer kaluçin. – “Mos harro, se edhe ai s’ka qenë përherë marrok, ama jeta është luftë”! – i shpëtoi pa dashje.

“Do isha kurioz të dija, si mund të ketë qenë ai, në kushte normale”?

“Më normal nga normalët dhe nga shumë normal, që njeh ti”!

“Si”?

“Ka qenë oficer i Zbulimit me jashtë”.

“Ai”?!

“S’të besohet kur e sheh në këtë derexhe, po s’e luan topi”, – më zhbiroi nga nën vetullat kaleshe dhe theksoi, mbase për t’u besuar: – “Është më se e saktë”!

“Po atë fiksim, ç’e ka? Sa dëgjon ‘Xhepi’, fërgëllon si ta pickojnë një fole grerëzash, mos lidhet kjo me ndonjë mesele që ia dinë korçarët”? – u ktheva në temën që më interesonte.

“Jo, është tjetër histori. Po në fund të fundit, lidhet organikisht me të parën”.

“Me kë”?

“Me atë që folëm! Bash për atë shkak pizgoset aq shumë”!

“Për ç’bëhet fjalë”?!

“Për ‘Xhepin’ pra”! – picërroi sytë dhe vijoi: – “Enver Hoxhës, i kanë mbetur edhe dy armiq, që i shtien dridhmat sepse, është mi që hedh valle, kur mungon macja, po sa i ndjen erën, zë vrimën”.

“Oh-u-ah, ku numërohen armiqtë e tij! Sa herë i firojnë, ai shpik të tjerë, që të tensionojë situatën”!

“E saktë, por këta dy, lozin rolin e maces për të”.

“Si ta kuptoj”?!

“S’ka lënë kundërshtarë pa zhdukur, me gjyqe të montuar dhe të manipuluar…”!

“I’ dimë”! – e ndërpreva.

“Sigurisht! Po s’i zuri dot të gjithë, sepse u larguan jashtë nga vazhdojnë jetën”.

“Edhe këtë e dimë”!

“Pa dyshim! Por daja im, si kundërshtar dhe Sadik Premtja, si ish-shok i tij, ia prishën rehatinë”.

“Ore, ç’thua? Ku do t’ia dijë ai për mërgatën!? I ka bërë çefterra, me vakt”!

“Kështu mendon ti, po faktet flasin ndryshe”.

“Për ç’fakte e ke fjalën”? – e kundërshtova.

“Për ata dhjetëra agjentë, që ka nisur në Francë, kohë mbas kohe! I ke dëgjuar ç’tregojnë të kthyerit”?

“Patjetër i kam dëgjuar”!

“Ke folur me Ahmet Nivicën”?

“Kam folur”!

“Ai di shumë, por do vijë dita, kur do dëgjojmë edhe më shumë”!

“Ishallah! Por s’kuptoj ç’lidhje ka kjo me ‘Marrokun’”? – e ndërpreva.

“Pikërisht aty, zë fill e tatëpjeta e tij”!

“Për ç’arsye”?

“E çuan apostafat, të eliminonte ‘Xhepin’”!

“S’e realizoi dot”?

“S’deshi. Më mirë të themi, u vetë dekonspirua”!

“Po më pas”? – m’u shtua kurioziteti.

“Më pas? Përfundoi pako postare, me ty e me mua”!

“Si, si”?!

“Ka qenë një nga zbuluesit më të aftë, mbase më i zgjuar, për të qenë i atillë”!

“S’po të marr vesh”?

“S’do ta kuptosh”! – heshti sërish.

U rreka të penetroja në labirintet e koklavitur të rrjeteve agjenturore të kohëve moderne, por u pleksa keq. Sado vrava rradaken, kjo që dëgjova, m’u duk tepër e komplikuar, për ta përtypur. Po të ma thoshte një tjetër, s’do ta kisha besuar, por serioziteti i mikut, s’linte shteg për dilema. Memorie.al

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb