Shqipërinë, në dukje ose të paktën gjeografikisht, nuk e lidhin shumë gjëra me Poloninë. Por, në fakt, po të gërmosh pak do të kuptosh se Shqipëria ka shumë lidhje me të prej shekujsh dhe i detyrohet shumë Polonisë, sidomos në vitet e fundit. Në shumë nga takimet ndërkombëtare, por edhe në problematika Polonia ka qenë shumë afër Shqipërisë me zërin e saj potent. Pak vite më parë, ky vend mori përsipër ta ndihte shumë Shqipërinë sa i përket proceseve të dokumentacioneve një handikap, që administrata jonë e vuan prej vitesh. Në as edhe një rast, zyrtarët polakë nuk kanë qenë indiferentë me Shqipërinë, kurse në orët e fundit presidenti polak, Andrzej Duda gjatë samitit për Ballkanin Perëndimor, që u zhvillua në Poznan ka thënë një frazë të jashtëzakonshme: “Pa Ballkanin Perëndimor, Europa nuk do të marrë frymë lirisht”. Dhe, më poshtë akoma: ”Polonia nuk e pranon një situatë ku vendet e Ballkanit Perëndimor marrin pjesë në një garë ku finishi është i padukshëm. Jemi të detyruar të japim një datë të qartë në vend të deklaratave verbale”.

Bashkimi Evropian gjendet në turbulenca të jashtëzakonshme dhe kjo për fatin e keq të saj po derdhet në të gjithë kontinentin, sidomos në vendet që janë aspirante të projektit të zgjerimit. Ndër problemet e saj më të mëdha janë përballja me krizat në disa prej shteteve të saj, mosmarrëveshjet e brendshme, vjetrimi i popullsisë së vet, negocimi i pamundur me Brexit, lufta në Ukrainë, përçarja e qëndrimit me Rusinë, etj., me radhë.

Mbi të gjitha, vendet e vogla si Shqipëria vuajnë shumë ndryshimin e rregullave të lojës që BE- ka vendosur dhe malin me kërkesa që u vendos përpara. Pasojat: lëvizjet e brendshme të inspiruara prej gjendjes së vështirë ekonomike dhe liderëve autokratikë, por edhe e ndërhyrjeve nga jashtë për të ndezur paqartësi, e mbi të gjitha humbja e shpresës duke shfrytëzuar këtë gjendje absurde që vjen nga BE-ja.

Shqipëria dhe Maqedonia janë në një vijë sa i përket integrimeve dhe me synimin e madh që Vjeshta t’i kapë në familjen evropiane, porse shenja të ndryshme, që vinë nga shumë kanale bëjnë me dije se procesi edhe mund të vonojë. Mbi të gjitha, si në rastin e Shqipërisë, BE-ja ka nivele të ndryshme perceptimi, kurse individë politikë qoftë edhe brenda të njëjtës formacion japin mesazhe dhe përcjellin detyrime të ndryshme. Në një farë mënyre: Shqipëria po vuan zgjedhjen e saj të vështirë të modelit në këto kohë dhe pasojat e socializmit të ashpër, por vende mike të paktën jo vetëm e kanë mirëkuptuar por edhe kanë ndihur. Italia dhe Greqia do të na mbeten gjatë në mëndje për aktet e pritjes së refugjatëve tanë për periudha të tëra, ashtu si Gjermania dhe më pak vende të tjera. Anipse Shqipëria nuk i shmang dot stereotipitë e vështira të cilat qëndrojnë në mendjet e shumë vendeve ku shqiptari është njeriu i keq dhe i aftë për të bërë gjithçka të mbrapshtë.

Është pikërisht ky stereotip që rëndon mbi çdo shqiptar dhe sidomos mbi dhjetëra-mijërat që sot janë në Evropë dhe bëjnë jetën e tyre të pastër duke kontribuar si qytetarë të zakonshëm në shoqëri. Ata mbajnë mbi shpinë edhe stereotipet që kanë vendosur minoranca e personazheve negativë shqiptarë, ata që i gjen ngado e kurdo. Kjo të bën ta vlerësosh shumëfish Poloninë por edhe të gjithë strukturat e saj: “Angazhimi i Polonisë ndaj Procesit të Berlinit vjen nga bindja e thellë e saj për rëndësinë e Ballkanit Perëndimor për stabilitetin dhe zhvillimin e Europës”, theksoi kryeministri Duda. “Ballkani është një pjesë integrale e Europës duke pasur parasysh pozicionin e tij gjeografik, kulturor dhe historik”.

Shqipëria, këtë miqësi të madhe të Polonisë, e ka shpërblyer duke përkthyer pa fund letërsinë e saj, duke i blatuar nderime personaliteteve të saj por edhe duke bërë identifikime të trashëgimisë së pasur të Polonisë në vend. Rrugët e Shqipërisë dhe sheshet kanë personazhe polakë. Kurse autorë të tillë si Kapuçinksi, Milosh, Shimborska, Ruzeviç e dhjetra autorë dhe personalitete janë për shqiptarët dhe i kanë inspiruar ata në rrugën e tyre.

Neve jemi pjesë e Evropës dhe “Pa integrimin e Ballkanit Perëndimor, së bashku me traditat e bukura dhe kulturat e ndryshme, Europa nuk do të marrë frymë lirisht. Jam i vetëdijshëm për fjalët që po them, duke qenë president i një vendi që përdor fondet e BE-së dhe që do të jetë i detyruar të ndajë këto burime me anëtarët e rinj në të ardhmen”, tha kryeministri Duda, por në një farë mënyre duke treguar realisht sesi ky vend i mrekullueshëm, që ka luftuar për identitetin e vet në shekuj, i jep mbështetje një populli kaq të nëpërkëmbur si vendi ynë. Sikur vendet e Evropës, të ishin të paktën sa gjysma e Polonisë, Shqipëria do t’i kishte hapur me kohë portat e Evropës. Ato porta që mbajnë jashtë një vend, që është pjesë integrale e BE-së. (Homo Albanicus)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: