Mediat italiane raportuan se futbollisti i Interit Antonio Candreva gjatë ndeshjes së fundit kundër Torinos kishte dëmtuar një nga rojet e sigurisë së stadiumit, pasi topi i goditur prej tij kishte përfunduar në kurrizin e Marco Rapisarda.

Marco, tifoz i Torinos, ka ndjerë dhimbje, por e ka përfunduar ndeshjen, duke qenë i bindur se ishte diçka kalimtare. Në fakt, mëngjesin e nesërm ka kuptuar se bëhej fjalë për dëmtim të shpretkës. Një organ, që edhe nga ana kirurgjikale është e vështirë të ndërhyhet. Mjekët po shohin opsionin që është më pak i dëmshëm për djaloshin.

Pasi është mësuar më këtë lajm, Candreva ka reaguar sot duke i kërkuar falje rojës së sigurisë, i cili është njëkohësisht edhe tifoz i Torinos. Më tej ai i ka bërë edhe një surprizë, duke i dhuruar një fanellë të tijën.

Fanella do t’i dorëzohet këtë fundjavë përgjegjësit të punonjësve të stadiumit “Olimpico Grande Torino” e pastaj punonjësit në fjalë. Candreva, përveç të tjerash, e ka kontaktuar Marcon në telefon për t’i kërkuar falje dhe për ta përshëndetur. Antonio gjithashtu i ka uruar atij një shërim të shpejtë.

(e.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb