SHKUP- Pak minuta para nisjes së protestës popullore që do të udhëhiqet nga opozita në Shkup, analisti nga Tetova Arsim Sinani ka bërë një analizë të shkurtër të zhvillimeve në Maqedoni. Në një lidhje telefonike për News24, Sinani tha se qeveria Grueski nuk i përfaqëson më interesat e qytetarëve shqiptarë dhe se rasti i Kumanovës ishte “derdhja e gotës”.

Ai tha se Kumanova, është një arsye më shumë për shqiptarët për të protestuar sot në Shkup, ndërsa e quajti Gruevskin, kryeministër kryeneç.

Zoti Sinani, si e shikoni protestën që mbahet sot ne Shkup kundër qeverisë së kryeministrit Gruevski?

Shqiptarët janë kundër qeverisë Gruevski dhe politikave të saj që nga 2006. Kumanova është derdhje e kësaj gote dhe tregoi se kjo qeveri është e gatshme të luftojë me shqiptarët. Kjo qeveri nuk i përgjigjet interesave të qytetarëve të saj, nuk i përfaqëson. Protesta e sotme, fundi i qeverisë Gruevski.

A parashikohet një pjesëmarrje masive e Shqiptareve në këtë proteste? Pse duhet të marrin pjesë shqiptarët në protestën e thirrur nga opozita?

Jo vetëm pjesëmarrje të madhe të shqiptarëve por gjithë qytetarët e Maqedonisë do ti tregojë faktorit ndërkombëtar se janë për ndryshime, për t’ju kthyer rrugës perëndimore. Shqiptarët kanë një arsye plus për të dalë në protestë, që është ajo që ndodhi në Kumanovë. Gruevski kryeneç.

Zoti Sinani, çfarë mund të thoni për reagimin e liderëve shqiptarë në Maqedoni?

Liderët shqiptarë nuk u prononcuan për një javë për ngjarjet, e paprecedentë. Janë në nivelin më të ulët të popullaritetit. Shqiptarët në Maqedoni janë në kërkim të një ekipi të ri. Partitë aktuale PDSH, BDI janë konsumuar, nuk i shikon si parti që mund të zgjidhin problemet e shqiptarëve. Koalicioni me Gruevskin tregon se janë kundër interesave të shqiptarëve. Këto parti duhet të hapin krahun brenda partive për një gjeneratë tjetër.

 

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: