Singapore Airlines tha sot se ka ofruar 10,000 dollarë (9,287 euro) si kompensim për pasagjerët që pësuan lëndime të lehta muajin e kaluar në një fluturim që përjetoi turbulenca të rënda dhe do të diskutojë shuma më të larta me ata që u plagosën rëndë. Pasagjerët që pësuan lëndime më të rënda ” u ftuan për të diskutuar një ofertë kompensimi të përshtatur për situatën e tyre specifike kur ata ndihen mirë dhe të gatshëm për ta bërë këtë,” tha linja ajrore në një deklaratë.

Një britanik 73-vjeçar vdiq dhe më shumë se njëqind njerëz u plagosën, disa në shpinë dhe kokë, kur një fluturim nga Londra bëri një ulje emergjente në Bangkok në fund të majit, pasi u përball me turbulenca të rënda. Boeing 777 i nisur për në Singapor mbante 211 pasagjerë dhe 18 anëtarë të ekuipazhit. Dhjetëra nga këta njerëz u shtruan në spital.

“Pasagjerëve të cilët kanë pësuar lëndime të rënda dhe kanë nevojë për kujdes mjekësor afatgjatë dhe që kërkojnë ndihmë financiare, u ofrohet një paradhënie prej 25,000 dollarë (23,217 €) për të mbuluar nevojat e tyre imediate”, tha Singapore Airlines.

Kjo shumë do të jetë pjesë e kompensimit përfundimtar që do të marrin këta pasagjerë.

“Të gjithë pasagjerët do të marrin gjithashtu kompensim për vonesën në përputhje me rregulloret e Bashkimit Evropian ose të Mbretërisë së Bashkuar,” sqaroi transportuesi. Singapore Airlines kishte ofruar tashmë 1,000 dollarë Singapori (686 euro) për çdo pasagjer në fluturimin që nisej nga Bangkok pas incidentit për të mbuluar shpenzimet e tyre të menjëhershme. Kompania mbuloi gjithashtu shpenzimet mjekësore të pasagjerëve të lënduar dhe organizoi që të afërmit e tyre të udhëtonin në Bangkok për ata që kërkuan.

Boeing 777-300ER ra 1800 metra në pak minuta dhe aq befas sa pasagjerët thanë se nuk kishin kohë të lidhnin rripat e sigurimit.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: