Ndoshta lexueseve dhe lexuesve të mi të sotëm ky titull mund t’u duket disi i habitshëm, por habia e tyre nuk do të zgjasë veçse… disa sekonda. Po nxitoj të shpjegohem: Andej nga mesi i viteve ’70, një gazetar francez, të cilit i pata shërbyer për disa ditë si përkthyes, para se të largohej nga Shqipëria, më dhuroi një libër ku përshkruhej jeta në burgjet franceze të asaj kohe. E lexova me kërshëri e ëndje njëherazi.

Mbaj mend nga leximi i tij një episod mjaft interesant, ku bëhej fjalë për një të burgosur franko-aziatik, që kishte qenë në burg edhe në Kinën komuniste, atë të Mao Ce-Dunit, dhe që rrëfente me hollësi përvojën e tij si i burgosur politik në kohën e Revolucionit Kulturor në atë vend, revolucion që u kushtoi jetën mijëra njerëzve.

Atje, pra, në burgun ku ai kishte qëndruar një numër vitesh, çdo i burgosur politik duhej të kalonte detyrimisht, të paktën një herë në muaj, disa orë në një dhomë ku, në njërin prej mureve, ishte pikturuar portreti i Mao Ce-Dunit, udhëheqësit absolut, të pagabueshëm e të lavdishëm të Republikës Popullore të Kinës; aty pranë ndodhej edhe një kazan i mbushur me baltë.

I burgosuri duhej detyrimisht t’i gjuante me topa balte fytyrës së Mao Ce-Dunit në mur dhe, njëkohësisht, ta shante e ta fyente me fjalët më të pista që i vinin në mendje e, rrjedhimisht, në gojë e në majë të gjuhës. Në këtë mënyrë, ai shkarkonte gjithë energjitë e tij negative, para se të lexonte me detyrim, pasi të ishte kthyer në qelinë e vet, Librin e Kuq me citate të Mao Ce-Dunit, sigurisht! Unë prirem të besoj se ky model riedukimi ideologjik i bazuar në këtë lloj shpëlarjeje truri ia ka arritur qëllimit të tij meqë Kina e sotme vazhdon të jetë një shtet monopartiak dhe se Mao-Ce-duni, pavarësisht tmerreve që u bënë nën udhëheqjen e tij kundër lirisë së mendimit dhe të drejtave të njeriut, adhurohet ende sot e kësaj dite, por çuditem deri në topitje, shtangie e çmeritje sesi Enver Hoxha, bashkëluftëtar, për disa vjet radhazi, i Mao Ce-Dunit në luftën kundër imperializmit amerikan dhe social-imperializmit sovjetik (U kujtoj lexueseve e lexuesve këngën tonë popullore të asaj kohe që kishte këtë refren “Dy luanë ka sot bota, / një Azia, një Europa, /Mao-Ce Duni dhe Enver Hoxha”!), pra çuditem sesi Enver Hoxha nuk e kopjoi dhe nuk e zbatoi këtë model riedukimi në burgjet e tij, sepse po ta kishte bërë këtë, me shumë gjasë monumenti i tij do të ngrihej kryelartë ende sot e kësaj dite në gungsheshin “Skënderbej” të kryeqytetit tonë kryekëput të betonuar!

Gjithsesi, ish-kolegu dhe miku im i vjetër Aqif Qifa, intelektual qibar e mendjeqiqër, mendon se modeli kinez në fjalë mund të ndiqet sot, qoftë edhe thjesht si eksperiment shpëlarjeje truri, nga udhëheqja e Partisë Socialiste (sigurisht jo në burg, por në një sallë të selisë së saj) dhe nga deputetët e saj (sigurisht jo në burg, por në një sallë të Kuvendit), nëse këto dy struktura sipërore urojnë që Edi Rama, lideri i tyre absolut, i pagabueshëm e i lavdishëm, aktualisht edhe kryeministër, të ketë monumentin e tij në gungsheshin “Skënderbej”, i cili, me shumë gjasë, do të përurohet ditën kur Partia Socialiste, në gjurmët e Partisë së Punës, do të jetë më në fund partia e vetme, unikale dhe ekskluzive e Republikës së Shqipërisë.

Mirëpo, në kuadrin konkret të eksperimentit të sapopërmendur, modeli kinez në fjalë mund të ndiqet edhe në tërë administratën publike, në gjykata e prokurori, në ushtri e polici, në shkollat e mesme e të larta, në qendra pune, ndërmarrje, fabrika, uzina, spitale e ambulanca, për të pastruar mendjet e njerëzve nga mendimet e liga për Kryetarin Madhështor të Partisë Socialiste e të Qeverisë së Tij të Admirueshme.

Nga ana tjetër, Aqif Qifa, po aq qibar e mendjeqiqër, ka dëshirë t’i shkruajë kryetarit Rama për t’i propozuar që modeli kinez i lartpërmendur, duhet patjetër të ndiqet edhe në maternitetet tona ku, me t’u shtruar për të lindur, zonjat e zonjushat shtatzëna mund e duhet t’i shkarkojnë energjitë e tyre negative duke hedhur të paktën disa vështrime armiqësore përvëluese e duke sharë rëndshëm në drejtim të portretit të kryetarit Rama.

Me shumë gjasë, kjo do t’u bëjë mirë edhe foshnjave që do të lindim pas pak, sepse falë këtij vaksinimi telepatik të ndihmuar gjithashtu nga kordoni kërthizor që ende i lidh me nënat, falë edhe qumështit të tyre të filtruar ideologjikisht, ata do të kenë tërë jetën në gjak e në shpirt një dashuri të pakufishme për xhaxhi Ramën! Si pasojë, kur të bëhen për të shkuar në kopshtin e fëmijëve, këta të porsalindur do të recitojnë, jo si paraardhësit e tyre të dikurshëm “Xhaxhi Enver, xhaxhi Enver, / e ke gojën me sheqer, / me sheqer e me hurma, / lum Partia që të ka!”, por “Xhaxhi Rama, trim me fletë, / e ke gojën me sherbet, / me sherbet për revani, / e gjithë bota të ka zili!”./panorama

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb