Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë përmes një deklarate të shpërndarë për mediat, shprehet se mbështet kandidaturën e Marco Salihut për Parlamentin Evropian.

Në deklaratë vlerësohet Salihu si sipërmarrës i suksesshëm dhe mishërues i vlerave dhe aspiratave europiane të shqiptarëve.

“Jemi shumë krenarë që një nga anëtarët tanë të nderuar po kandidon krah për krah me emra të shquar të politikës italiane dhe evropiane si Emma Bonino dhe Matteo Renzi – në Parlamentin Europian. Marco mishëron vlerat dhe aspiratat evropiane të shqiptarëve, si dhe kontributin e tyre në familjen evropiane. Me përvojën e tij të gjerë si një sipërmarrës shumë i suksesshëm, ai vazhdimisht ka dëshmuar një përkushtim të thellë në mbështetje dhe përparim të kushteve socio-ekonomike të bashkatdhetarëve të tij të dashur në Luginën e Preshevës”, thuhet në deklaratë.

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë i bën thirrje të gjithëve, veçanërisht shqiptarëve që jetojnë në verilindje të Italisë, të mbështesin kandidaturën e tij për një të ardhme më të mirë për ta dhe fëmijët e tyre.

“Ne besojmë fort se zëri i tij në Bruksel do t’i shërbejë më tej integrimit të shqiptarëve në Itali dhe në mbarë Evropën”, vijon më tej deklarata e Këshillit të Ambasadorëve Shqiptarë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb