TIRANE- Kur pak muaj na ndajnë nga zgjedhjet e përgjithshme të 2017, Partinë Demokratike e shqetëson reforma zgjedhore, dhe ndryshimet që propozohen nga forcat politike në vend. Sekretari i Përgjithshëm i PD, Arben Ristani, duke folur për sistemin elektoral në vend, thotë se debatet për lista të hapura apo të mbyllura zgjedhore, janë një “tymnajë”. Ai thekson se me rëndësi është nëse do të ketë apo jo zgjedhje të lira në 2017.

“Me rëndësi është nëse do të kemi zgjedhje të lira apo jo. Debate të tilla, listë e mbyllur apo e hapur, janë një tymnajë. Listat e hapura, kanë problem me menaxhimin. Sistemet janë demokratike, por varen nga menaxhimi”, tha deputeti Ristani.

Duke komentuar propozimet për uljen e numrit të deputetëve, sekretari i Përgjithshëm i PD thotë se ky është një opsion i mirë dhe interesant.

Sakaq, ai bën një tjetër propozim, duke u shprehur se “do ishte mirë të kishim Parlament me dy dhoma”.
Në historinë parlamentare të Shqipërisë, parlamenti i vendit ka qenë i përbërë nga dy dhomë për herë të parë, por edhe të fundit deri më tani, në kohën e Zogut, ku pas rikthimit ai miratoi Statutin Themeltar të Shtetit, dhe e përcaktoi formën e qeverisjes në Shqipëri si Republikë Parlamentare.

Sistemi dydhomësh pati një jetë të shkurtër parlamentare dhe përbënte eksperiencën e vetme në historinë parlamentare të Shqipërisë.

Ndërkaq, Ristani propozoi që të shihet mundësia për të bërë zgjedhjen e presidentit direkt nga populli.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb