Kryeministri Edi Rama duke folur për drejtësinë e re dhe standardet e BE, tha gjatë takimit me të rinjtë socialistë në Shkodër se “thembra e Akilit” për shqiptarët ka qenë mungesa e barazisë para ligjit.
Rama tha se për herë të parë ka një përpjekje për të patur barazi para ligjit.
“Për herë të parë po shohim njerëz të fuqishëm të lidhur me pushtetin politik. Po thirren e po ju kërkohen llogari para një drejtësie që nuk kontrollohet nga pushteti politik. Kjo mund të mbarojë, mund të kthehet mbrapsht një ditë”, tha Rama duke shtuar se ai dhe pushteti socialist është garant që kjo të jetë kështu.
“Ne sot kemi pushtetin, e kemi bërë dorëzimin e shpatës së ndëshkimit që normalisht është në duart e drejtësisë dhe nuk është asnjëherë në duart e pushtetit në një demokraci.
Por shpata ishte te zyra ime, para se të isha unë shpata ishte te zyra e atij tjetrit, deri në 1912. Drejtësia ishte komplet nën urdhërat e pushtetit politik”, tha kryeministri Rama.
Duke iu drejtuar të rinjve, ai tha se deri dje, kryeprokurori i SPAK, Altin Dumani nuk njihej edhe pse ai ka 20 vjet prokuror, por drejtësia e re dhe rezultatet e saj e bënë atë të njihej nga të gjithë.
“Altin Dumani po t’ju them unë, të gjithë e njihni, Altin Dumani ka 20 vjet prokuror, kishit dëgjuar për të? A kishit dëgjuar ndonjëherë për ndonjë ministër me pushtet që shkonte në prokurori të jepte llogari, të dënohej apo të arratisej, as ju s’keni parë, as prindërit tuaj dhe as gjyshërit”, theksoi Rama.
(BalkanWeb)