Për kryedemokratin Basha, sistemi se si shqiptarët zgjedhin ka vend për përmirësime të dukshme, por me rëndësi për kryedemokratin është ndarja e shtetit nga krimi, apo partia në pushtet.

“Çfarëdo sistemi të zgjedhim, ne, pa zgjidhur problemin e kapjes se politikës nga krimi, pa e ndarë shtetin nga krimi, pa e ndarë shtetin nga partia në pushtet, çdo sistem që të zgjedhim do të nxjerrë në të njëjtin përfundim” u shpreh Basha

Pjesë nga Intervista:

Pyetje: Aleatët dhe partite e vogla kërkojnë ndryshimin e sistemit zgjedhor. Çfarë pozicioni ka Partia Demokratike lidhur me këtë? Asnjëherë nuk artikulohet qartë, të shtrohet pozicioni i PD për ndryshimin e sistemit zgjedhor.

Lulzim Basha: Nuk është e vërtetë, une kam shprehur qartë qëndrimet e mia për këtë. Unë besoj se sistemi se si shqiptarët zgjedhin pushtetin qëndror dhe pushtetin vendor ka vend për përmirësime të dukshme. Personalisht besoj se në këtë fazë të demokracisë shqiptare kemi nevojë për një dhomë të dytë, për nje senat, një reduktim te numrit te deputetëve në dhomën deputetëve dhe një një senat, i cili të luajë rolin e nje hapi tjetër kontrolli dhe balance pushteti. Për të kufizuar pushtetin e ekzekutivit, për të kufizuar cirkun e shëmtuar që shpesh shohim në Parlament, ku legjislacioni kalon brenda natës për të favorizuar faktorë ekonomikë, oligarkë apo edhe banda kriminale me aministi. Unë besoj se qytetarët kanë te drejtë të zgjedhin drejtpërdrejt përfaqësuesit e tyre, personalisht kam parashtruar disa herë idenë e një sistemi maxhoritar, qoftë edhe një sistemi kombëtar proporcional. Po kështu besoj se pushteti vendor ka rënë viktimë e një reforme pseudo– reforme, e cila nuk kishte për qëllim përmirësimin dhe shërbimin ndaj qytetarëve, por përqëndrimin e pushtetit në duart e partisë në pushtet dhe unë besoj se ka ardhur koha t’i rikthehemi reformës administrative por mbi të gjitha ligjit për decentralizimin, për t’i çuar më shumë pushtet dhe kompetenca bashkive qe t’i shërbejnë më mirë qytetarëve. Une jam i hapur për të gjitha këto, por mbi te gjitha dua te theksoj dy gjëra; e para, çfarëdo sistemi të zgjedhim, ne, pa zgjidhur problemin e kapjes se politikës nga krimi, pa e ndarë shtetin nga krimi, pa e ndarë shtetin nga partia në pushtet, çdo sistem që të zgjedhim do të nxjerrë në të njëjtin përfundim. Kishim maxhoritar me korreksion proporcional erdhëm tek proporcionali rajonal, por problemi i kriminalitetit erdhi duke u shtuar, ndonëse një nga argumentet kryesore për të ndryshuar sistemin ishte për të kufizuar futjen e personave me preçedentë penalë në Kuvend, që do të thotë se nuk është sistemi as shkaku dhe as zgjidhja. Shkaku është bashkëpunimi i politikës me krimin zgjidhja është ndarja e politikës nga krimi. Kemi hedhur një hap të rëndëishëm që ështe ligji per dekriminalizimin, kemi disa hapa të tjerë për të hedhur që janë fare qartë të pershkruara në 9 kushtet e Bundestagut dhe çfarëdo proçesi për rregullat e lojës, për Kodin Zgjedhor, për Kodin Penal, për vetingun e politikanëve, për lirinë e medias, ligji për mediat audiovizuale, për financimin e partive politike, për demokracinë brenda partive politike, nuk mund të jetë produkt i dhomave të errëta. Proçesi ka shumë rëndësi. Duhet të jete transparent, gjithpërfshirës, kam parasysh jo vetëm partite politike të opozitës, por të gjithë faktorët shoqërorë. Demokracia i takon çdo qyetari i takon edhe punëdhenësit, edhe punëmarrësit, edhe pensionistit edhe studentit, edhe vogëlushit që nuk ka akoma te drejtën e votës, por cilësia e arsimit që ka që nga kopshti deri në klasën e 9 apo deri në fund të shkollës së mesme, përcaktohet nga vendimet që marrin institucionet e zgjedhura me votë nga prindërit e tyre. Prandaj, duhet të jetë një proces i hapur, transparent publik. Unë besoj fuqimisht, se përtej vendimarrjes me zgjedhj, ku zgjidhet parlamenti, ku zgjidhen bashkitë, qytetarëve duhet t’u jepet mundësia reale, jo teorike, por relae për referendume kombëtare dhe referendume lokale për çështje që kanë të bëjnë me interesat e drejtpërdrejta të komunitetit.

Pyetje: Po për votën e emigrantëve jeni z.Basha?

Lulzim Basha: Absolutisht Partia Demokratike prej fillimit ka iniciuar idenë e votës së emigrantëve dhe në këtë kuptim e kemi mbështetur dhe e mbështesim fuqimisht. Por duhet të kuptoni se mënyra se si qeveria është sjelle me kete, eshte ne nje mënyrë tipike bandite. Në momentin që ne kërkuam votimin elektronik si një mundësi për të kufizuar marrjen e kartave të identitetit, me shenja të caktuara që vendosen, i pamë edhe nga përgjimet e Dibrës për të evidentuar familjarë, këta vendosën votimin e emigrantëve, por pa garantuar që të paktën vota e shqiptarëve në Shqipëri do të garantohej me një sistem të tillë që të pamundësonte shitlerjen e votës, dhe që mund të përdorej në të njëjtën mënyrë pastaj edhe për votimin e emigrantëve. Pra, në këtë kuptim kemi të bëjmë me një propagandë të pastër të qeverisë me votën e emigrantëve. Partia Demokratike dhe unë personalisht besojmë se emigrantët duhet të kenë të drejtën që të marrin pjesë në vendime të rëndësishme, siç është zgjedhja e parlamentit të Shqipërisë.

Pyetje: I pëlqen apo jo Partisë Demokratike, opozitës, në Parlament ka tashmë një realitet të ri politikë me deputetët e opozitës së re. A keni ndërmend ju si Parti Demokratike, si opozitë të vendosni ura kontakti me fillimin e një rikthimi në sistem?

Lulzim Basha: Ura kontakti me kë?

Pyetje: Me opozitën parlamentare.

Lulzim Basha: Nuk ka opozitë parlamentare. Ka vetëm një opozitë politike e cila është opozita e Partisë Demokratike dhe aleatëve tanë, që faktikisht me statistikat e 2017-ës, me statistikat e 2015-ës është sot shumicë në vend, ndërsa sipas gjithë studimeve të opinionit, matjes së opinionit është një shumicë e thellë në vend nëse do të kemi një proces të lirë dhe të ndershëm zgjedhor. Ky është një realitet që nuk mund ta fshehë, as nuk mund ta maskojë askush.

Pyetje: Partia Demokratike është pothuajse jashtë sistemit lokal. A keni ju z. Basha një mesazh për përfaqësuesit e Partisë Demokratike që nuk janë më të përfaqësuar as në pushtet lokal dhe as në pushtet qendror?

Lulzim Basha: Pushteti lokal ka falimentuar, është kapur me dhunë nga një qeveri që di vetëm të përqëndrojë pushtet dhe ta përdorë atë për pasurinë dhe për tekat, qejfet, tarafet e kryepushtetarit dhe ortakëve të tij. Ndaj objektivi dhe emergjenca kryesore ndaj pushtetit vendor është mbajtja sa më parë e zgjedhjeve vendore kushtetuese, të cilat, në pikëpamjen time duhet të paraprihen nga një  rishikim i reformës territoriale dhe një thellim i decentralizimi,t në mënyrë që pushteti vendor me të vërtetë t’u takojë qytetarëve dhe jo kryeministrit apo grupeve kriminale siç është rasti sot dhe siç ka qenë për fat të keq në shumicën e bashkive edhe në 4 vitet që kaluam. Kemi parë që cilësia e shërbimit ka rënë, investimet publike kanë rënë, taksat janë rritur, është rritur numri i punësuarve nëpër bashki. Pra, nuk është arritur asnjë prej qëllimeve të shpallura të ashtuquajturës reformë territoriale por ka dështuar pothuajse në të gjithë parametrat duke bërë që qytetet tona dhe fshatrat tona të kenë më pak ujë të pijshëm, të kenë më shumë plehra, të kenë më pak investime në rrugë, të kenë më pak qendra shëndetësore, të kenë më pak kujdes dhe të kenë shumë më tepër prani të zgjedhurve direkt të qytetarëve dhe shumë më shumë propagandë dhe përkeqësim të cilësisë së jetës.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb