TIRANË- Aksidentohet kolegu dhe gazetari i News 24, Armir Mehaj. Aksidenti ku u përfshi me automjetin e tij ndodhi të dielën rreth orës 21:00 të mbrëmjes, teksa udhëtonte nga Tirana drejt qytetit të Pukës.


Fatmirësisht gjendja e tij është stabilizuar dhe po kurohet në spitalin e Pukës.


Teksa gjen rastin të falenderojë të gjithë kolegët, miqtë dhe bashkëqytetarët e tij, që iu gjetën pranë në ato momente të vështira, Mehaj sqaron për BalkanWeb se aksidenti ndodhi për shkak të një grumbulli rëre në një kthesë të padukshme.


“Ishte errësirë dhe nuk e pashë, makina mu zhyt në rërë, e pastaj u përmbys. Falë Zotit jam mirë. I falenderoj të gjithë që m’u gjendën pranë në ato momente të vështira. Direkt pas aksidentit ku mora dëmtime në duar e fytyrë arrita të kontaktoj me redaksinë e News 24. I falenderoj të gjithë për gatishmërinë dhe ndihmën e menjëhershme. Më vjen keq për prindërit e mi, sepse ju shkaktova shumë dhimbje, por Zoti deshi të më linte pranë tyre”,- flet Armiri nga shtrati i spitalit, aty ku nuk pushojnë vizitat nga njerëz të afërm e familjarë.
(m.a/BalkanWeb)