TIRANË- Kreu i opozitës Lulzim Basha i ka kërkuar sërish kryeministrit Edi Rama dorëheqjen, ndërsa ka mohuar zërat se palët janë dakordësuar për një takim, por më pas opozita është tërhequr. Ai tha se opozita do t’i shkojë deri në fund vendimit për të mos shkuar në zgjedhje fasadë dhe se këtë e tregoi vendimi për të mos u regjistruar në KQZ.

“Mbrëmë nga ky shesh opozita e bashkuar çoi deri në fund premtimin para qytetarëve, vendimin historik për të mos u regjistruar në zgjedhje fasadë të diktuara nga krimi.

Mbajtja e këtij premtimi është detyrim elementar i koalicionit opozitar përpara lëvizjes popullore kombëtare për zgjedhje të lira. Është hapi i parë drejt shkallmimit të fasadave që mbajnë peng mirëqenien e shqiptarëve. Të parlamentit fasadë, të njerëzve të zgjedhur për të përfaqësuar popullin por përfaqësojnë vetëm interesat e një grushti oligarkësh dhe kriminelësh të veshur me pushtet. Kjo fasadë është rrezuar nga bashkimi i paqtë demokratik i qytetarëve të vendosur për të mos jetuar më në këtë situatë”, deklaroi Basha.

Basha tha se duhet të shmangim çdo kurth, çark, që do t’i japë oksigjen republikës së vjetër në koma. “Që të ndodhë kjo duhet të çmontojmë të gjitha gënjeshtrat dhe mashtrimet që dalin nga goja e njeriut të papërgjegjshëm që vendos interesin e tij para atij publik dhe nga mediat që i shërbejnë xhepat dhe pasurive të qeveritarëve. E tillë është fabrikimi që gjoja se ne kemi rënë dakord për vendin dhe orën e takimit por është tërhequr opozita.

5 ditë me radhë tha më jep vendin dhe orën, por nuk kishte sepse dialogu i vërteë nuk ka nevojë vetëm për vendin dhe orën si të dashuruarit por për një program serioz.

Takimi mes mazhorancës dhe opozitës kërkon shumë më shumë se vetëm një vend dhe orë, kërkon një program. Dhe nuk mund të kishte një dakordësi për takimin sa kohë nuk ka dakordësi për çfarë do të diskutohet. Meqë dëshirën për të qenë në çadër e ke shprehur disa herë eja në këtë çadër me dorëheqjen në xhepin e xhaketës dhe ne do të presim paqësisht por lëri lojërat e fjalëve.

Dialogun e dakordësuam ditën e mërkurë, 6 ditë më parë. U ra dakord se do të flitej për qeverinë teknike dhe mandatin e qeverisë teknike, dy tema që kërkojnë përgatitje serioze, ndaj të nesërmen dhe 6 ditë me radhë ekipi negociues i opozitës ka bërë përgatitje. Ky dialog politik ku ai vjen si kryeministër dhe ulet me kryetarin e opozitës do të ketë si produkt qeverinë teknike, duke ofruar paketën e plotë për zgjedhje të lira e të ndershme.

Mund të vijë si kryeministër në dialog dhe të dalë si kryeministër i dorëhequr. Ne do t’i shkojmë deri në fund çdo standardi europian që garanton njëherë e mirë vullnetin e qytetarëve përmes zgjedhjeve parlamentare dhe lokale”, deklaroi kreu i PD-së.

Ai tha gjithashtu se ‘duam dhe kërkojmë votimin dhe numërimin elektronik, si detyrë kryesore të qeverisë teknike për qytetarët në Republikën e Shqipërisë, si dhe për emigrantët kudo që jetojnë’.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: