Samiti i vendeve të Ballkanit Perëndimor, i mbajtur më 12 korrik në Trieste të Italisë, mund të konsiderohet si ngjarja kryesore e vitit 2017 për vendet e rajonit që aspirojnë integrimin në Bashkimin Evropian, vlerësojnë njohësit e zhvillimeve ekonomike dhe të integrimeve evropiane në Kosovë.

Samiti i mbajtur në Trieste është pjesë e procesit të Berlinit, proces ky shumëdimensional. Përmes këtij procesi, Bashkimi Evropian po synon të formojë një treg të përbashkët në Ballkanin Perëndimor.

Safet Gërxhaliu, kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thekson se ky proces ka rëndësi ekonomike, politike dhe strategjike, rëndësi integruese dhe të përmirësimit të imazhit, por edhe për çështje të gjenerimit të stabilitetit social përmes zhvillimit ekonomik.

Megjithatë, sipas tij, Kosova duhet ta kuptojë që ky samit nuk është, siç thotë ai, një “shkop magjik” që do t’i zgjidhë problemet e grumbulluara në Kosovë, por është një mundësi, e cila duhet të shfrytëzohet.

“Vet fakti që ka afër 1 miliard euro, mundësi për të mbështetur projektet, është e para. Së dyti, duhet të kuptohet që mekanizmi i absorbimit të mjeteve të donatorëve, por edhe të këtij procesi, është studimi i fizibilitetit, është biznes-plani, por është edhe sundimi i rendit dhe i ligjit, i bazuar në ekspertizë shkencore. Prandaj, nuk duhet të priten mrekullitë nga këto procese, në qoftë se ne vet nuk i bëjmë detyrat e shtëpisë”, thotë Gërxhaliu.

Avni Mazreku, profesor i të Drejtës Evropiane, thotë për Radion Evropa e Lirë se Bashkimi Evropian është duke e marrë sërish në konsiderim politikën dhe mekanizmat e politikës së zgjerimit në raport me Ballkanin Perëndimor. Sipas tij, shikuar nga aspekti kohor i vitit 2003, kur Bashkimi Evropian pati përcaktuar agjendën për Ballkanin Perëndimor, në vitin 2017 mund të shihet se në shumë pika ajo politikë ka dështuar, për faktin se shumica e vendeve të Ballkanit Perëndimor kanë mbetur ende jashtë Bashkimit Evropian.

“Bashkimi Evropian është në kërkim të gjetjes së një forme të përshtatshme se si do ta integronte Ballkanin Perëndimor. Ndërkaq, parë nga këndvështrimi i Prishtinës, mendoj që Prishtina e ka problemin e njëjtë, të hapur dhe të pambyllur, çështjen e mosnjohjes të statusit të saj nga dy shtete të Ballkanit Perëndimor, si dhe çështjen e mosnjohjes nga 5 shtete anëtare të Bashkimit Evropian. Për Kosovën do të ishte pozitive, sikur ky status, pavarësia e Kosovës, të njihej nga këto dy shtete. Pas kësaj, në çfarëdo aranzhmani ekonomik dhe politik që do të futej Kosova, do të trajtohej si palë e barabartë”, tha Mazreku.

Ai shton se përderisa statusi i Kosovës, si shtet i pavarur, nuk njihet, por kontestohet nga dy vende të Ballkanit Perëndimor, bashkëpunimet e dizajnuara sikurse tregu i përbashkët i këtij rajoni, janë të pafavorshme për Kosovën.

Por, Gërxhaliu shpreh mendimin se proceset integruese nuk duhet kundërshtuar nga Kosova, por ajo duhet të dalë me skenar dhe alternativa të ndryshme.

“Në këtë drejtim, pala kosovare është dashur që me kohë të jetë e gatshme që këtë sferë ekonomike të dizajnuar nga Gjermania, tëmetalizuar nga Austria dhe me stilin që i është dhënë në Itali, ta shndërrojë në favore politike. Nuk duhet të thotë ‘jo’, por të kushtëzojë dhe të dërgojë shkresa në zyrat diplomatike që Kosova është ‘për’ proceset integruese, por vetëm e barabartë, që nënkupton që të njohjet nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina, të kemi një normalizim të raporteve në aspektin e brendshëm. Si mund të jemi pjesë integruese në familjen evropiane në qoftë se 5 shtete anëtare të Bashkimit Evropian nuk e kanë njohur Kosovën?”.

Ngjashëm shpreh mendimin edhe profesor Mazreku. Sipas tij, Kosova nuk do të bënte gabim në qoftë se e vendos kusht aktin e njohjes nga ana e 5 shteteve të Bashkimit Evropian, si dhe nga dy vendet e Ballkanit Perëndimor, të cilat nuk e kanë njohur ende. Siç thekson ai, agjenda e Selanikut e potencon si kusht për vendet e Ballkanit Perëndimor, ndërtimin e marrëdhënieve fqinjësore konstruktive dhe të mirëbesimit të ndërsjellë.

“E për çfarë marrëdhënie të mirëbesimit mund të flasim kur dy nga këto dy palë, dy shtete të Ballkanit Perëndimor as nuk e njohin atë që është kategori kushtetuese për Kosovën dhe që është diçka që ka ardhur si produkt i shumë zhvillimeve historike dhe të luftës, por edhe që shumica e komunitetit ndërkombëtar – në qoftë se e shohim nga konteksti i shteteve individuale – e kanë njohur këtë pavarësi. Prandaj, ne vetëm duhet të sillemi në raport me zbatimin e asaj që Bashkimi Evropian e vendos kusht për këto shtete”.

Sidoqoftë, zyrtarët e lartë të shtetit të Kosovës tashmë kanë shprehur mjaft rezerva dhe kundërshtime lidhur me idenë e një union ekonomik rajonal të Ballkanit perëndimor, për shkak të pamundësimit të deritashëm të qarkullimit të lirë dhe pa viza të qytetarëve të Kosovës në vendet e Bashkimit Evropian, si dhe mosnjohjes së shtetit të Kosovës nga Serbia dhe Bosnjë dhe Hercegovina.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb