TIRANE– Besimtarët ortodoksë dhe katolikë në mbarë vendin kremtojnë ngjalljen e Krishtit, dita më e rëndësishme në kalendarin festiv të krishterë.

Në Tiranë mesha e ortodoksëve u mbajt në Katedralen “Ngjallja e Krishtit” dhe u drejtua nga kryepeshkopi Anastas Janullatos.

Përveç lajmit se Krishti u ngjall, nga Katedralja e Shën Palit, ku u kremtua mesha e Ringjalljes së Krishtit për besimtarët katolikë, arkipeshkvi i Dioqezës Tiranë-Durrës, imzot George Frendo kishte një mesazh edhe për politikanët.

“Kjo është fjala që dëshiroj t’iu komunikoj të gjithë politikanëve sot. Rruga për zgjidhjen e krizës së tanishme qëndron vetëm përmes dialogut. Në veçoritë e dialogut, gjatë të cilit të dyja palët lipset jo vetëm të flasin, por edhe të dëgjojnë me ndërgjegjësi e pjekuri të plotë për të finalizuar të mirën e kombit, më shumë sesa të mirën e partive. Është dialog, jo monolog”, tha imzot George Frendo.

Imzot Frendo tha se në këtë vit zgjedhjesh besimtarët duhet të jenë lajmëtarët e paqes. Mesha është zhvilluar nën masa të larta sigurie, nën ruajtjen e forcave të shumta policore jashtë Katedrales së Shën Palit.

Krishti u ngjall për më shumë shpresë edhe për besimtarët ortodoksë. Mesha e mesnatës u kremtua në Katedralen ortodokse “Ringallja e Krishtit” nga fortlumturia e tij, kryepeshkopi Anastas, i cili uroi besimtarët e mbedhur para katedrales.

Besimtarët e krishterë në të gjithë vendin, qoftë edhe nga besime të ndryshme fetare ndezën qirinj dhe uruan njëri-tjetrin për paqe, begati dhe lumturi.

Nisja e ceremonisë së pashkëve, sjell si simbol dhe ngjyerjen e vezëve të pashkës me të kuqe, e cila tregon dhe traditën e hershme të kësaj feste.

Flaka e ndezur simbolizon dhe Ringjalljen e Krishtit pas sakrifikimit të tij në kryq.

Të krishterët në festën e pashkës kremtojnë ringjalljen e Krishtit, moment ky që simbolizon rilindjen e shpresës, forcimin e besimit tek zoti për të gjithë besimtarët, kalimin nga e përkohshmja në të përjetshmen dhe çlirimin e njerëzve nga mëkati.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: