PRISHTINE– Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk do ta lënë vetëm Kosovën dhe Uashingtoni mbetet i përkushtuar ta ndihmojë atë. Këtë e ka deklaruar të enjten në Prishtinë, senatori John McCain, në një fjalim para Kuvendit të Kosovës, i cili është mbledhur në një seancë solemne, pikërisht për senatorin republikan.


Ai tha se Shtetet e Bashkuara mbeten të përkushtuara për paqe e stabilitet në gjithë Evropën, e në këtë kuadër edhe në rajonin e Ballkanit.


Sa i përket Kosovës, McCain ka lavdëruar angazhimin e institucioneve të Kosovës për luftimin e terrorizimit.


“Kosova është aleate në luftimin e terrorizmit dhe duke treguar kontributin e saj, dëshmon se mund të jetë anëtare e familjes së shteteve në luftimin e kësaj dukurie”, ka theksuar McCain.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të jenë me Kosovën në angazhimin e saj për t’i përmbushur standardet që e drejtojnë atë në Bashkimin Evropian dhe strukturat tjera ndërkombëtare, ka theksuar ai.

McCain u ka bërë thirrje edhe deputetëve të Kosovës që ta ratifikojnë Marrëveshjen për Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, në mënyrë që vendi të sigurojë heqjen e vizave për qytetarët e saj.

Në vijim, McCain tha se Kosova është shtet sovran dhe se përpjekjet për krijimin e ushtrisë janë legjitime, por sugjeroi që transformimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës të ndodhë përmes ndryshimeve kushtetuese.

Ai tha se Kosova duhet të ndërtojë raporte politike me NATO-n, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aletarët, kështu që ky transformim duhet të jetë i koordinuar dhe gjithëpërfshirës.

“Është shumë me rëndësi që transformimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forca të Armatosura të Kosovës të bëhet përmes amendamenteve kushtetuese”, ka thënë Mccain.

McCain ka inkurajuar Prishtinën zyrtare që ta vazhdojë dialogun me Serbinë deri në normalizimin e raporteve. Ai tha se ky proces nuk është aspak i lehtë, por Kosova, si tha ai, duhet t’i tregojë botës se është në gjendje që të falë dhe se në këtë rrugë, ajo nuk është vetëm.

“Le të jetë Kosovë vendi që i tregon botës edhe njëherë se pajtimi është i mundshëm. Përderisa e bëni këtë, përderisa Kosova ecë në këtë rrugë të gjatë e të vështirë, ajo nuk do të ecë vetëm. Amerika dhe unë do të jemi me ju. Po, ne do të jemi me ju dhe me vendet e Evropës Juglindore për arsyen e thjeshtë, sepse nëse vendi im e lë vetëm këtë rajon, atëherë e lë veten në rrezik”, ka theksuar McCain.

Ai ka porositur institucionet, që të vazhdojnë dhe me luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Kurse në aspektin ekonomik, ka sugjeruar vazhdimin e reformave ekonomike, ndërtimin e Termocentralit Kosova “C” si dhe vazhdimin e ndërtimit të infrastrukturës rrugore.

Ndërkaq, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli tha se kjo vizitë përbën një festë të lidhjes së fuqishme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Kosovës.

Pas seancës solemne, senatori McCain është pritur në një takim të mbyllur për media nga kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, pritet të nderojë të premten senatorin, John McCain, me çmimin “Urdhri i Lirisë”. Ky çmim, atij i ndahet për kontributin për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, si dhe për rolin e tij në thellimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së.

Senatori republikan ka nisur nga 7 prilli një turne në Ballkanin Perëndimor, rajon ky, ku Rusia po përpiqet të rrisë ndikimin politik dhe ekonomik.

Gjatë vizitës në Sarajevë, McCain ka thënë se është i shqetësuar me ndërhyrjen e Rusisë në çështjet e brendshme të Bosnje dhe Hercegovinës.

(el.sp/BalkanWeb)