Ish-­shefi i Shërbimit Informativ Kombëtar, Fatos Klosi ka komentuar zërat për një atentat të mundshëm ndaj kryetarit të PD­-së, Lulzim Basha. Në një intervistë për gazetën “Dita”, Klosi thotë se këto janë thashetheme për ta faktorizuar liderin e opozitës duke dhënë edhe argumentat pse Basha nuk ndihet realisht i rrezikuar.

Zoti Klosi, ditët e fundit janë hapur lajme se kreu i opozitës Lulzim Basha ndihet i rrezikuar, se ndaj tij mund të bëhet ndonjë atentat etj. Për këtë qëllim janë shtuar masat e sigurisë ndaj tij. Ju mendoni se Basha ndihet i rrezikuar?
Jo, nuk mendoj se ndihet i rrezikuar Basha. Nuk e mendoj se ka ndonjë plan kundër tij për ta eliminuar, pasi e di që ai nuk ka ndonjë peshë as si politikan dhe as si lider. Përkundrazi, mendoj se këto janë thashetheme të përhapura me qëllim, për ta faktorizuar atë si person dhe si kryetar të PD-­së, pasi ai nuk ka dëshmuar ndonjë vlerë. Në vetvete Basha nuk rrezikon askënd, prandaj nuk ka pse të ndihet i rrezikuar. Flas për eliminimin fizik të tij sipas thashethemeve. Teoritë konspirative nuk hyjnë fare në punë në këtë rast. Prandaj dhe nuk ka arsye të harxhohen më shumë para për ruajtjen fizike të tij, për më tepër të angazhohet dhe garda e republikës.

Sidoqoftë, një fjalë popullore thotë se ku ka zë nuk është pa gjë, apo jo…
Dakord. Por duhet parë se cili është subjekti që lakohet. Për çfarë “gjëje” bëhet fjalë? Pra, kush është ai që përmendet se ndihet i rrezikuar. Lulzim Basha? Në asnjë mënyrë. Në këtë rast, mendoj se Basha nuk është i rrezikuar dhe nuk ka pse të merren masa sigurie ndaj tij. Ne, pas vitit 1990 nuk kemi asnjë rast të eliminimit të kundërshtarëve politikë. Edhe rasti i Azem Hajdarit, që është vrasja më e rëndësishme që ka ndodhur, u vra për motive të tjera, jo për motive politike. Prandaj mendoj se Basha duhet të jetë i qetë në këtë drejtim…
Mos është ky aludim, pjesë e një plani për të destabilizuar Shqipërinë në prag të zgjedhjet të ardhshme të 18 qershorit. Lihet të nënkuptohet se këtu mund të kenë dorë edhe shërbime sekrete të disa vendeve lindore.
As këtë nuk e besoj. Ua thashë, nuk përbën Basha ndonjë peshë politike specifike në vend dhe të rrezikojë destabilizimin e Shqipërisë. Theksoj se këto i konsideroj thjesht fabrikime apo trillime për të faktorizuar Bashën në politikë. Prandaj dhe kjo pistë, po ta quajmë kështu, për të destabilizuar Shqipërinë, është e dështuar qysh në nisje të saj.
(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb