TIRANE- Policia e Shtetit ka shpallur në kërkim 5 persona të dyshuar si autorë të shpërthimeve me tritol në Lazarat, të cilët akuzohen për “veprimeve me qëllime terroriste”. Këta pesë të rinj rezultojnë të jenë simpatizantë të ISIS dhe veprave të tyre.
Kjo gjë vihet re po të shikosh profilet e tyre në rrjetin social Facebook, ku thuajse në të gjitha postimet që nga viti 2014 dhe deri më tani shihen fotografi me flamuj dhe simbole të grupit terrorist ISIS. Përveç fotove të luftëtarëve të ISIS, ata postojne edhe shprehje ku i japin të drejtë asaj që e quajnë “lufta e Allahut”.
Madje njëri prej tyre Arbion Aliko, komentit të një miku në Facebook, se pse poston foto të tilla, i përgjigjet:Këta janë tanët vëlla.
Pesë personat e shpallur në kërkim, si autorë të këtyre ngjarjeve janë Arbion Adil Aliko, 20 vjeç; Alban Adil Aliko, 18 vjeç; Viktor Xhemil Aliko, 25 vjeç; Thimjo Irakli Ceka, 20 vjeç dhe Bervin Kastriot Basho, 22 vjeç. Tre prej tyre janë shpallur në kërkim që prej vitit të kaluar.
“Tërësia e veprimeve kriminale e autorëve formëson gjithashtu elementë të figurës së veprës penale të kryerjes së “veprimeve me qëllime terroriste”, veprime të pasqyruara edhe ne rrjetet sociale” thuhet në deklaratën e policisë.
Fshati i vënë nën kontroll nga policia pas aksionit antidrogë, u rikthye sërish në vëmendje pas 6 sulmeve të kryera me tritol në harkun kohor të një muaji. Nga hetimet e kryera rezultojnë se motivi i këtyre ngjarjeve është i lidhur me veprimtarinë policore të goditjes së elementëve kriminal gjatë operacionit policor “Lazarati 2014”.
JA KUSH JANË TË RINJTË QË SIMPATIZOJNË ISIS
Arbion Adil Aliko, i datëlindjes 28.12.1995, lindur dhe banues në Lazarat, Gjirokastër, person me precedent kriminal i cili rezulton i shpallur në kërkim që prej datës 22.06.2014, i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike” dhe “prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve luftarake dhe municioneve” parashikuar nga nenet 283 dhe 278 i K. Penal.
Alban Adil Aliko, i datëlindjes 25.11.1997, lindur dhe banues në fshatin Lazarat, Gjirokastër, person me precedent kriminal i cili rezulton i shpallur në kërkim që prej datës 21.08.2014, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve luftarave dhe municioneve” parashikuar nga neni 278/4 i K. Penal.
Viktor Xhemil Aliko, i datëlindjes 14.09.1990, lindur dhe banues në Lazarat, Gjirokastër, person me precedent kriminal i cili rezulton i shpallur në kerkim që prej datës 13.11.2014 pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Gjirokastër ka vendosur ndaj tij masën e sigurimit personal “Arrest me burg”, për veprat penale “Shkatërrim i pronës i kryer në bashkëpunim”, “Organizim dhe pjesëmarrje në tubime të paligjshme, në b/punim” dhe “Kundershtim i punonjesit të policisë së rendit në b/punim” parashikuar nga nenet 150/25, 236/2 dhe 262/2 te K.Penal.
4- Thimjo Irakli Ceka, i datëlindjes 30.07.1995, lindur në Përmet dhe banues në Gjirokastër, i dënuar më parë për vjedhje, person i shpallur në kërkim më datë 20.03.2015, i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Vrasje e punonjësve të policisë e kryer në bashkëpunim e ngelur në tentativë” dhe “Prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve luftarake dhe e municioneve” parashikuar nga nenet 79/b, 25 e 22 dhe 278/4 i K. Penal.
5- Bervin Kastriot Basho, i datëlindjes 24.12.1993, lindur dhe banues në Lazarat, Gjirokastër, person me precedent kriminal i cili rezulton person i shpallur në kërkim që prej datës 17.03.2015, i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Vrasje e punonjësve të policisë e kryer në bashkëpunim e ngelur në tentativë” dhe “Prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve luftarake dhe e municioneve” parashikuar nga nenet 79/b, 25 e 22 dhe 278/4 i K. Penal.
(ma.ar/BalkanWeb)