TIRANË- Emisioni “Njerëz në Fokus” i gazetares Ola Bruko rikthehet sonte me një temë shumë të nxehtë, ngjarjet e 24 qershorit në Lazarat ku mbeti i vrarë një efektiv i forcave RENEA.

Në emision është shfaqur videoja e rindërtimit të ngjarjes në 3D, e punuar nga gazetari Spartak Koka. Në studion e News24 janë Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Haki Çako, kreu i Komitetit të Kulteve, Ilir Hoxholli, Ebi Spahiu nga Instituti i Studimeve Ndërkombëtare dhe gazetari Spartak Koka.  Që në fillim, Drejtori Çako deklaroi se Policia e Shtetit është e vendosur të çojë deri në fund drejtësinë dhe të mbajë lart të gjithë kontributin dhe vlerat e Ibrahim Bashës, efektivit të vrarë në Lazarat. Çako theksoi se banda kriminale që sulmoi forcat e policisë drejtohet nga vëllezërit Aliko, duke shtuar se për këtë ka fakte dhe jo vetëm dyshime. Drejtori i Policisë mohoi se grupi kriminal i Lazaratit është pjesë e ISIS dhe se në Lazarat nuk ka celulë të rekrutimit për ISIS.

Zoti Çako çfarë ndodhi në Lazarat, pse u sulmua Policia e Shtetit?
Policia e Shtetit është e vendosur të çojë deri në fund drejtësinë dhe të mbajë lart të gjithë kontributin dhe vlerat e Ibrahimit. Është një ngjarje që u karakterizua nga një tension shumë i larë, për shkak se erdhi menjëherë pas procesit zgjedhor, ku Policia e Shtetit tregoi korrektesën maksimale.
Qe një goditje shumë e madhe për efektivat e Policisë dhe sidomos për efektivët e RENEA-s, forcat elitare. Kjo ngjarje kërkoi rikthimin e forcave të policisë në Lazarat. Pak orë pas rikthimit të Policisë, banda kriminale e drejtuar nga vëllezërit Aliko sulmuan. Kjo është e vërtetuar, jo dyshim. Tendenca e tyre e vërtetuar edhe më parë, megjithëse nuk ishin kapur. Policia e shtetit shqiptar kishte gati një vit që bashkëjetonte me banorët e Lazarati dhe ishte bërë pjesë përbërëse e këtij komuniteti dhe nuk kemi asnjë rast që banorët e Lazaratit të kishte ndonjë denoncim qoftë edhe për dhunë verbale.

A jetonin në Lazarat ata gjatë kësaj kohe?
Ata nuk kanë jetuar në Lazarat. Ata janë persona me backround kriminal që vjen edhe si pasojë i kriminalizimit familjar, pasi babai i tyre është me shumë rekorde kriminale duke filluar që nga vitit ‘98. Edhe para aksionit në Lazarat, këta persona kanë qenë nën mbikëqyrje. Rekrutimet janë bërë nëpërmjet rrjeteve sociale, facebook etj.

Këta kanë qenë dy persona që kërkoheshin nga policia e nuk gjendeshin. Si u arrit të kapej ky organizim i këtij grupi?
Informacionet kanë qenë, por ka qenë e pamundur që të kapeshin ata. Kanë qenë më së shumti jashtë territorit shqiptar. Kanë qenë në kërkim dhe nuk kanë qenë në mënyrë permanente në Lazarat.

Çfarë ndodhi mëngjesin e së mërkurës?
Atë mëngjes, organizimi i tyre së bashku me disa persona ka pasur një përgatitje, ku rreth mesditës kanë qëlluar ndaj policisë, ndaj forcave që merreshin me rendin dhe sigurinë në Lazarat. Ato forca janë pozicionuar në fshat, e më pas është urdhëruar që të ndërhyhej me forcë policore me forca të RENEA-s. Ndërhyrja si fillim u bë me dy automjete, ku u kap një mjet ‘benz’ i bardh. Në momentin kur u afrua ky furgon, në një hapësirë që të sulmonte policinë, policia është gjendur me një sulm armësh, ku mbeti i vrarë i ndjeri Ibrahim Basha. Tendenca ka qenë agresive, Pasi kjo bandë kriminale ka qenë e pajisur me antitank. Policia ka bërë të mundur nxjerrjen dhe dërgimin e të plagosurve në spital, ku pavarësisht i ndjeri Basha ka humbur jetën, ndërsa dy të plagosurit u çuan për mjekim.

Ç’mund të na thoni në lidhje me ketë version ( diskutohet video në versionin 3D)?
Është dhënë dhe një version nga ana e prokurorisë. Nga momenti i orës 3 e gjysmë, kur forcat e policisë kanë hyrë në fshat, nuk ka pasur asnjë sulm. Patrullimi i policisë ka qenë normale dhe në komunikim me qytetarët. Kjo hapësirë i ka shërbyer atyre për ta futur dhe në grackë policinë. Unë e them me bindje se pjesa më e madhe e banorëve të Lazaratit janë terrorizuar. Ata janë stresuar si gjithë komuniteti tjetër dhe janë vënë në një gjendje shumë terrorit. Ndaj u bë e mundur dhe identifikimi i personave të sulmit. Mbulimi i fytyrave të tyre me kamuflazhe, dhe hetimet kanë nxjerrë vendet se ku i kanë marrë ata këto materiale.
Në këto kushte kuptohet që policia në masën më të madhe lëviz edhe me mjete të pablinduara, nuk mund të pretendojmë që çdo polic të lëviz me mjet të blinduar.

Spartak Koka: A keni patur një vlerësim real të riskut, nisur edhe nga automjeti jo i përshtatshëm?
Shumica e shërbimeve nuk mund të lëvizin me autoblinda dhe një problematikat që kishin ngritur banorët dhe përfaqësuesit e Lazaratit, ishte edhe prezenca e autoblindave ndaj ne nuk mund ti linim më autoblindat në Lazarat. Tendenca jonë, kapja e personave në kërkim. Nuk mund të pretendojmë se çdo polic do lëviz me mjet të blinduar. Policia nuk është ushtri është pjesë përbërëse e popullit, nuk është forcë luftarake. Policia nuk ka përballë armik, ka popullin. Nuk ka se si të konceptohet që Policia e Shtetit të lëvizë me autoblinda.

Spartak Koka: Ju keni drejtuar Policinë e Gjirokastrës dhe keni patur një rrjet informatorësh, a mendoni që rrjeti i informatorëve ka çaluar në këtë rast?
Kjo ngjarje është bërë objekt i analizës së detajuar të strukturave të policisë. Në bashkëpunim dhe bashkëveprim me të gjitha strukturat e policisë së shtetit jemi duke bërë një analizë të detajuar, duke nxjerrë problematikat dhe defektet. Duhet një periudhë kohore për të dalë në konkluzione të sakta, që është e lidhur ngushtë me një sërë aktesh ekspertimi. Por gjithashtu kemi marrë në analizë edhe veprimtarinë e burimeve të informacionit. Ka qenë një situatë që nuk ka qenë pa informacion.

Spartak Koka: Përse nuk u ngrit një postë policore në Lazarat, një premtim i dhënë pas aksionit të parë në Lazarat për lëndët narkotike?
Ka disa kritere për të ngritur një postë policie. Posta e policisë është e kushtëzuar dhe ngrihet mbi bazën e disa studimeve, me sipërfaqen gjeografike, me nivelin e kriminalitetit. Ne edhe pas aksionit morëm informacione nga pushteti vendor. Ata që ishin përgjegjës u vunë para drejtësisë. Por duhet thënë se policia mund të goditjeje dhe në një vend tjetër.

Spartak Koka: Por Lazarati është një vend shumë sensitiv dhe tërheqja e policisë i bëri këta persona të mobilizoheshin..
Ne i vendosim postat atje ku ka nevojë komuniteti. Në këtë rast ku komunitete nuk kishte nevojë

Çfarë po bëhet me personat që janë shpallur në kërkim?
Siguroi të gjithë ata që kanë informacione ti drejtohen policie. Nuk do ngelet askush pa u kapur. Nuk do lëmë asnjë që të dal jashtë vendit. Ne kemi pasur persona me rrezikshmëri të lartë, kudo ku janë futur edhe pse me identitet tjetër dhe me dokumente false. Ne u falim atyre kohën, por jo ligjin.

A janë ata pjesëtarë të ISIS?
Nga investigimi i bërë deri tani, të gjitha profilet e tyre kanë elementë të tifozllikut të veprimeve të ISIS por nuk rezulton të jenë pjesë e ISIS. Komuniteti i Lazaratit bektashian dhe ata burojnë nga një komunitet i tillë. Një pjesë e personave të inkriminuar në këtë bandë kanë në profilet e vetë elementë, por aktualisht nuk rezulton të jenë.

A kanë luftuar në Siri?
Jo nuk kanë luftuar, janë hipoteza, nuk janë vërtetuar.

***

Pjesë e panelit të emisionit “Njerëz në Fokus” ka qenë edhe Imami i Lazaratit Gentian Pollo. Ai ka deklaruar se në Lazarat nuk ka celula të ISIS.

Si jeni ndjerë ju që ndoshta këta të rinj mund të ishin pjesë e ISIS?
Imami i Lazaratit, Pollo: Në radhë të parë e përshëndes Drejtorin e Policisë, për atë që tha se një komuniteti i Lazaratit është bektashian, një pjesë jemi suni.
Ne jemi distancuar totalisht nga të gjitha veprimtaritë e atyre adoleshentëve apo atyre që duan të krijojnë terror. Për sa i përket tendencave të mediave, janë të pavërteta, nuk ka pasur në Lazarat asnjëherë celula të ISIS.
Çako: Faleminderit zoti Pollo, gjej rastin të përshëndes komunitetin mysliman të Lazaratit, për bashkëpunimin. Në asnjë nga banesat e besimtarëve myslimanë nuk është gjetur as hashash dhe asnjë fishek.
Pollo: Kjo situatë që kaluam ka qenë shumë e tensionuar, të gjithë banorët e Lazaratit kanë qenë të terrorizuar. Ne duam paqen në shtëpitë tona. Por edhe mediat duhet të bëjnë punën e tyre, që të na largojnë gjithë këtë të keqe. Sepse jemi bërë si delja e zezë në mes të deleve të bardha.

Nuk e di se çfarë feje i përkasin të rinjtë e arrestuar..
Pollo: I di të gjitha zoti Cako.

Ata të rinj që sulmuan Policinë e Shtetit vinin në xhami..
Pollo: Këta të dy kishin kohë që nuk prezantoheshin në ritin e xhamisë. Ata kanë qenë në kërkim për rreth 2 vitesh. Para se të futej policia për të asgjësuar në Lazarat kanabisit, ata kanë qenë prezantues në xhami në Lazarat dhe ën Gjirokastër. Sa i takon mediave, ato nuk duhet të na bëjnë delja e zezë.

Askush nuk e ka thënë këtë…
Pollo: Kur është hedhur ideja që Arbioni ka qenë në Siri, unë i kam thënë Tanit se nuk është e vë4rtetë kjo gjë. Ne i dimë gjërat të gjitha në Lazarat. Këto i di dhe policia.

Spartak Koka: Flitet për hipoteza për rekrutime nga ISIS në Lazarat..
Cako: Hipotezat janë thjesht hipoteza. Nuk duhet a lidhim me gojëdhënat. Deri tani nuk disponohet për celula dhe aktivitete radikale në Lazarat. Celula ose organizime të tilla në Shqipëri nuk ka.

***
Kreu i Komunitetit të Kulteve Ilir Hoxholli tha se grupi i të rinjve në Lazarat nuk ka të bëjë me fenë po me një paqartësi adoleshence.
Hoxholli: Ata kishin dhe foto në plantacione hashashi me pije alkoolike dhe nëse je besimtar nuk bëhet kjo.
Çako: Atyre iu është gjetur edhe një sasi kokaine.
Hoxholli: Është një çorientim total. Kemi të bëjmë me një paqartësi adoleshence që nuk ka të bëjë me pjesën fetare. po ndiqja dëshminë e njërit prej tyre që përpjekja e tyre kishte të bënte me trembjen e policisë për t’iu rikthyer mbjelljes së hashashit. është pjesë e një tifozllëku. ata nuk kanë lidhje fare me çështjen fetare. Kjo ka të bëjë me adoleshencën.

Si është situata në Shqipëri?
Ebi Spahiu: Kemi ndjekur çështjen e radikalizmit fetar dhe ekstremizmit të dhunshëm për të dhënë një profilizim të njerëzve që i janë bashkuar ISIS. Ka disa dinamika që nuk janë aq të prera me thikë, si mund të mendojmë ne. Nuk janë vetëm të rinj, ka njerëz në moshë të rritur, madje ka qenë rasti i një 75-vjeçarit. Për praninë e ISIS në Shqipëri, duhet të kuptojmë çfarë është ISIS. ISIS kufizon një aspekt individual. Ka një dimension shpirtëror që shfrytëzohet të myslimanëve të devotshëm…Rrjetet sociale kryesore për propagandën e ISIS.
Pollo: Nuk mund ti quash myslimanë të devotshëm ata që shkojnë atje ku janë ata. Një mysliman i devotshëm nuk do luftën do paqen. ISIS është armik i Islamit. Ne jemi për paqen.

Cako: Ashtu si në vendet e Ballkanit edhe Shqipëria nuk është imunizuar nga kjo propagande, Janë shqiptar që janë të identifikuar. Për këtë qëllim është bërë një ndërhyrje në ligj në vitit 2013, ku janë përfshirë këto raste. Në lidhje me këto raste ka dhe persona me këto akuza

Spartak Koka: Zoti Çako çfarë do ndodh pas Lazaratit, pas kësaj ngjarje, a do ketë mobilizim të strukturave shtetërore për të rehabilituar këta të rinj dhe për ti mbajtur nën kontroll ata?
Policia do shtrohet në disa zona, por në Lazarat. Për shkak të ngjarjeve të tilla ngelen shenja dhe trauma. Policia është e lidhur ngushtë dhe kushtetuar me veprimin dhe ndërveprimin e kapaciteteve ekonomike. Ne jemi të pirur që koshienca e shumë familjarëve të kthehet në normalitet. Policia do të vazhdojë të jetë prezent në Lazarat, por dhe në gjithë hapësirat që jetojnë shqiptar, duke u dhënë shërbimet e tyre. Ne kemi shkrirë kontaktet me komunitetin, duke u mundësuar atyre shërbimet.

Zoti Çako a keni një mesazh të fundit?
Përshëndes të gjithë efektivët e Policisë së Shtetit për gatishmërinë në këtë ngjarje në kushtet e një gjendje të rëndë psikologjike. U bën ditë që shumë efektivë policie, rreth 500 janë mobilizuar për këtë ngjarje dhe jo vetëm që nuk u ankuan por patën një solidarizim ndaj veprës heroike të Ibrahim Bashës. Përulem ndaj familjes së Ibrahim Bashës që nuk arritëm t’ia kthenim në shtëpi ashtu sikurse u nis. Forcat e Policisë do të jenë në gjendje që ti shërbejnë komunitetit dhe gjithë popullit shqiptar, ashtu siç ky komunitet e meriton.

(ed.me/m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb