Nga INA K.ZHUPA


Liria është gjithmonë një brez larg zhdukjes thoshte – Reagan në vendin e lirive, SHBA. Edhe më shumë vlen kjo shprehje në vendin që e njeh lirinë vetëm prej 26 viteve. Ne jemi të destinuar të luftojmë për lirinë, sepse ndryshe, tranzicioni do të na rezultojë një kalim drejt një neo komunizmi dhe jo demokracisë liberale. Sot është koha ta bëjmë Shqipërinë e lirë, ta bëjmë për herë të parë të lirë. Sepse nuk duhet të ngjaj me asgjë të mrekullueshme që bëri një brez, i cili fatkeqësisht kishte jetuar në komunizëm. Ata kërkuan ta ndjenin lirinë për herë të parë, ne duhet të kërkojmë ta jetojmë lirinë për herë të parë. Ta bëjmë Shqipërinë të lirë nga nevojat jetike dhe varfëria.


Një Shqipëri që vdesin dhe vrasin veten njerëzit e saj nga pamundësia për të paguar në mënyrë të rregullt energjinë elektrike nuk është një vend i lirë. Varfëria të kufizon, nevojat jetike të kthejnë në bazën e piramidës së Masllow, ku asgjë tjetër nuk të intereson veçse halli për të mbijetuar. Qeveria që varfëron njerëzit është qeveria që do t’i sundojë njerëzit. Familje që hiqen dhe vihen në ndihmën ekonomike sipas dëshirave të udhëheqjes së partisë, familjarë që hiqen e vihen nga listat e KEMP-it nga statusi i invalidit sipas partisë dhe korrupsionit duhet të marrë fund. Askush në këtë vend nuk meriton më të diskutojë minimumin jetik, apo mundësinë të gëzojë ujë dhe drita. Ta bëjmë Shqipërinë të lirë nga papunësia. Puna si prodhuese e të mirave dhe dinjitetit për të jetuar ndershmërisht duhet të jetë mundësi e çdo shqiptari që e kërkon atë. Shqipëria nëpërmjet taksave, nëpër politikat e punësimit, thithjes së investimeve, lehtësimin e biznesit nga gjobat duhet të jetë vendi që ofron punësim.


Sot shqiptarët janë më shumë se kurrë të robëtuar nga papunësia dhe pamundësia për ta gjetur një punë me dinjitet, duke u detyruar që në fshatra të kthehen në punëtorë të arave me kanabis. Ne duhet ta fitojmë këtë liri për të pasur një punë me dinjitet në vendin tonë pa qenë të detyruar të kërkojmë azil ose të pranojmë punësime të paligjshme. Ta bëjmë Shqipërinë të lirë nga pamundësia për t’u kuruar. E drejta e jetës, liria për të jetuar në shëndet të plotë është e rrezikuar me një shëndetësi, që tashmë përfaqëson vetëm një numër koncesionesh korruptive dhe shifra parash të marra nga një dorë klientësh dhe asnjë shërbim. Vdekje në maternitet, vdekje në urgjencë, vdekje në spitale, vdekje në shtëpi se nuk të vjen njeri, asnjë ilaç falas, asnjë shërbim falas, asnjë analizë falas dhe në kohë. Kjo është fytyra e shëndetësisë sot, që nuk të jep as liri dhe as dinjitet. Shqiptarët meritojnë të gëzojnë lirinë për të pasur shëndet të plotë dhe mundësinë për t’u kuruar me profesionalizëm dhe dinjitet. Ta bëjmë Shqipërinë të lirë nga censura e fjalës.

Fjala e lirë është në rrezik, media është bunkerizuar duke marrë përsipër të bëjë vetëm avokatin e qeverisë. Kush guxon të dalë jashtë kësaj linje ose e pushojnë nga puna, ose mbyllet media pas pak kohësh. Propaganda na ka zaptuar ekranet dhe median online po përpiqen ta kontrollojnë me ligj ose ta blejnë. ‘Fake News’ – lajmet e rreme janë bërë modeli i lajmeve sot, pseudoanaliza, pseudosondazhe, pseudokritik janë tipologjia e materialit që na ofrohet. Kurti e shikon realitetin se e jeton atë dhe pastaj shikon magjinë në televizion, mendon që erdhi koha të flasësh. Po ku? Liria jote nuk duhet të mbarojë tek mendimi, por duhet të shkojë tek forca e fjalës që dëgjohet. Ta bëjmë Shqipërinë të lirë nga pushteti i krimit. Sot jetojmë në kohën e kriminelëve, ku ata janë në parlament, ata janë në krye të bashkive, ata janë në krye të institucioneve, ata janë kudo të veshur me pushtet. Ngjarje kriminale, vjedhje, grabitje, koha e tritolit, koha e prostitucionit janë e përditshmja jonë e zymtë që nuk na jep lirinë. Frika për të shkuar në supermarket, frika për shkuar në karburant, frika për të shkuar në bankë, frika për të shkuar në Rinas… Banda dhe banditët që po lirohen nga burgjet me letër rekomandimi e punësimi nga Rilindja janë frika e lirisë që po na ikën. Ta bëjmë Shqipërinë të lirë nga frika për të protestuar.

Të protestosh është liri, të kesh liri është të protestosh. Një individ që proteston është një individ që i njeh dhe i do liritë e tij. Nëse e ulim kokën, njëherë atëherë liria jonë ka marrë fund. Të protestosh për ligjin që lë të rinjtë pa shkollë, nuk është vetëm detyrë e prindërve, është detyra e kujtdo që beson tek liria për të shkolluar një brez që të jetë më i mirë. Të protestosh për shëndetësinë nuk është vetëm detyrë e të sëmurëve dhe familjarëve të tyre, është detyra e kujtdo që beson tek e drejta e jetës dhe dënon çdo vrasje dhe kur kjo është shtetërore. Të protestosh për ligjin e plehrave nuk është vetëm detyrë e ambientalistëve, është detyra e kujtdo që do jetojë në këtë vend pa degradim shëndeti dhe me male plehrash. Nëse ne kemi frikë të protestojmë, ne nuk jemi të lirë, asgjë nuk duhet ta ndalë protestën qytetare dhe civile.

Ta bëjmë Shqipërinë të lirë nga manipulimi i votimit. Vota është forca e qytetarit për të hequr dhe për të vënë në pushtet këdo që e bind atë. Vota e lirë është mekanizmi që ndan demokracitë nga diktaturat. Nuk është votim i lirë kur ti voton dhe dikush numëron sipas dëshirave dhe interesave të tij. Kur vota nuk ka garanci që do ruhet nga polici me integritet. Kur vota diktohet nga kriminelët me pushtet monetar dhe politik. Kur vota është mall për t’u këmbyer nga frika e kërcënimit ose pamundësia e votimit. Manipulimi i votimit hedh poshtë çdo liri, sepse qeveria nuk të ka më asnjë lloj frike. Qeveritë ikin me votë, po kur votën e diktojnë vetë, edhe pushtetin e ruajnë pa pasur nevojë t’u shërbejnë qytetarëve. Na takon neve ta bëjmë Shqipërinë të lirë, askush nuk do ta bëjë në vendin tonë. Partia Demokratike lindi duke luftuar për lirinë në rrugë, do të qëndrojë duke luftuar për lirinë derisa të mos ketë rrugë tjetër, veçse liria për çdo qytetar. Në 18 shkurt të nisim rrugën që do ta bëjë të mundur: Ta bëjmë Shqipërinë e lirë – ‘Make Albania Free’. Unë besoj…

(Gazeta Shqiptare)