TIRANE– Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, mori pjesë në një takim me vajza dhe gra, banore të Njësisë 2 në Tiranë, ku të pranishme ishin edhe Kryetarja e LGI-së, Klajda Gjosha, deputetja e LSI-së, Kejdi Mehmetaj, Zv.Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Nora Malaj, etj.

Në fjalën e mbajtur gjatë takimit, Meta u shpreh se për një shoqëri të shëndetshme na duhet një familje e shëndetshme dhe se për këtë roli i grave, i vajzave, i nënave, është i jashtëzakonshëm, sepse përgjegjshmëria e tyre është maksimale në familje, në komunitet, në rrethin familjar dhe shoqëror.

“Është shumë e rëndësishme që fuqizimi politik i gruas të sjellë një fuqizim ekonomik dhe social që është edhe themeli dhe i një dinjiteti njerëzor të sigurt të çdo gruaje dhe të çdo nëne”, tha Meta, duke theksuar se në të ardhmen gratë do të jenë edhe më të përfaqësuara në vendimmarrje.

“LSI kujdeset për vendin. LSI kujdeset për njerëzit. LSI mban fjalën. LSI është një shans për të gjithë. Ne do të bëjmë maksimumin në të ardhmen për t’u përfaqësuar me sa më shumë gra dhe vajza”.

Më tej, Kryetari i LSI-së u shpreh se fokusi duhet vendosur te çështjet që kanë të bëjnë me të rinjtë, me nënat e të rinjve dhe të rejave të Shqipërisë në familjet tona, që ato të kenë një të ardhme më të mirë.

“Në qoftë se për një fëmijë garantohet një e ardhme më e mirë, kjo është për të gjithë familjen, kjo është për të gjithë shoqërinë. Është detyra jonë që të tregojmë, që familjet shqiptare, që nënat shqiptare që gratë shqiptare duan paqe sociale në vend sepse në radhë të parë duan paqe sociale në familjen e tyre, duan një të ardhme të qetë dhe të sigurt për fëmijët e tyre”, u shpreh Meta, teksa nënvizoi se një mundësi më e mirë ekonomike dhe sociale rrit mundësinë e pavarësisë të forcimit të dinjitetit të gruas, të nënës në familje dhe në shoqëri.

“Natyrisht që kjo kërkon edhe një përkrahje më të madhe për të investuar në formimin profesional dhe njëkohësisht për të përshtatur aftësitë dhe kapacitetet e tyre me vendet e reja të punës që duhet të jenë më të mirëpaguara dhe kjo natyrisht që kërkon një politikë më konkrete dhe më aktive”, deklaroi ndër të tjera Kryetari i LSI-së, Ilir Meta.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: