Rivitalizimi i Pazarit të Vjetër të Korçës është nominuar për “Projektin e Rinovimit të Vitit në Çmimet e Evropës në Zhvillim”, në Londër.
Ky është një program prestigjioz, i cili vlerëson shembujt e suksesit dhe praktikat më të mira në nxitjen e rritjes ekonomike dhe sociale, në rajonin e Europës Qendrore dhe Lindore.
Pazari i Vjetër i Korçës është një nga projektet që dëshmon më së miri transformimin e një tregu të degraduar, në një atraksion të mrekullueshëm dhe një pol të rëndësishëm për zhvillimin e biznesit.
“Shumë krenar për Korçën”, shkruan Kryetari i bashkisë së Korçës, Sotiraq Filo, duke shpërndarë këtë lajm përmes rrjetit social “Facebook”. Ai sjell po ashtu pamje të Pazarit të Vjetër të Korçës para dhe pas rivitalizimit, ku dëshmohet ndryshimi.
Pazari i Vjetër i Korçës është objekt me vlera të hershme historike, kulturore dhe artistike. Ai karakterizohet nga ndërtesa përgjithësisht një dhe dy katëshe, rrugica të ngushta e një stil ndërtimi që tërheq vëmendjen e vizitorëve. Në shekujt e kaluar pazari ka qenë vendi i shkëmbimeve të tregtarëve që vinin nga Turqia, Greqia, Trieste dhe Venecia, shkruan Atsh.
Tregu me rreth 1 mijë dyqane arriti kulmin e tij gjatë fundit të shekullit të XIX dhe fillimit të shekullit të XX. Në strukturën urbanistike të qytetit, pazari krijonte një ansambël më vete.
Të dy pjesët e pazarit që ndaheshin nga lumi lidheshin me ura të drunjta, ndërsa rruga kryesore që vinte nga qyteti, e kalonte lumin mbi një urë të gurtë me qemerë, sipër së cilës ngrihen dyqane. Pazari është djegur tre herë por është ndërtuar sërish. Tani pazari vazhdon të funksionojë njëlloj si më parë dhe ka vlera kulturore e monumentale.