NGA DR. INA ZHUPA


Një format i njohur i Endemolit për të krijuar show dhe për të pasur teleshikues është marrë edhe nga Partia Socialiste e Shqipërisë si shembull sesi duhen trajtuar të rinjtë në politikë. Show i radhës me ose pa patentë nga krijuesi “Endemol” gjë e cila nuk do ishte e para dhe as e fundit që vjedhin ose kopjojnë, është vënë në aksion ka kohë. Duke bredhur në kërkim të Zërit të FRESSH-it nëpër qytete të ndryshme të vendi me një juri me 4 anëtar.


Nuk mund ta dijë se si lindi kjo ide, nëse ishte si rezultat i nevojës për të ndryshuar kryetaren aktuale që kur nxirrte zërin e saj tmerronte partinë se kush do të ishte broçkulla e radhës dhe gazëtonte publikun me perlat e saj të mençurisë, nëse ishin zgjedhjet për kryetarin e FRPD që morën jehonë të vrullshme apo thjesht dëshira dhe pasioni i Ramës që të ketë sa më shumë show dhe zhurmë pa asnjë produkt. Cilado që të ketë qenë arsyeja pak rëndësi ka sepse tani rëndësi ka përplasja e dy modeleve rinore në politikën shqiptare.


Dy partitë më të mëdha në vend, ato që kanë drejtuar qeverisjen, herë vetëm e herë më koalicione ofrojnë modelet e tyre rinore. Të cilat i shërbejnë qytetarëve për të kuptuar se ku po shkon partia, kush është e ardhmja e saj dhe për rrjedhojë e politikës shqiptare.

Përplasjen e modeleve rinore midis FRPD dhe FRESSH për mua qëndron në argumentet e mëposhtëm:

Nxitja e aktivizmit politik
Aktivizmi politik përbën rëndësi thelbësore për të rinjtë të cilët dëshirojnë të angazhohen në çështjet dhe jetën publike. Të jesh aktivist politik do të thotë të ndërmarrësh aksione, të jetosh me kauzat që beson, të bashkohet me kauzat e ndryshme, të japësh ide, ti vësh idetë në zbatim. Kjo nxitet dhe forcohet brenda forume rinore, të cilat duhet të shërbejnë si një mekanizëm i fuqishëm i aktivizmit politik. Modelet në këtë drejtim janë: Nga njëra anë një forum rinor që kërkon të mishëroj aktivizmin politik me një të folur përpara një jurie 4 personash: për sa bukur është të jesh socialist, të punosh me Edi Ramën, të ndjekësh modelin e “suksesit” të Elisës, të jetosh në epokën e lavdishme të Rilindjes së vërtetë. Nga ana tjetër kemi një forum rinor që kërkon ta mishëroj aktivizmin politik duke protestuar për ligjin e arsimit të lartë që është një nga padrejtësitë më të mëdha që i bëhet rinisë shqiptare, duke protestuar për papunësinë rinore, për pasigurinë, për mbylljen e filialeve të universitetit shtetëror, duke dhënë ndihma dhe shembuj solidariteti në raste përmbytjesh, në raste të familjeve në nevojë, duke dhuruar gjak për fëmijët talasemik, duke bërë edhe gjeste të thjeshta simbolika për festa po aq simbolike si ajo e nënës apo e mësuesve. Gjykoj se ky i dyti i shërben më shumë aktivizmit politik që ka nevojë rinia.

Njohja e kontributit
Në një forum rinor, ashtu si edhe në çdo organizim të çdo tipi është e nevojshme të njihet edhe të shpërblehet në një farë mënyre kontributi i gjithsecilit për organizatën. Kjo filozofi është ajo që mban gjallë një parti po ashtu edhe një forum. Lulzim Basha ka deklaruar shpesh që ndër të tjera në detyra e tij si kryetar është edhe të jetë hipoteka e kontributeve të secilit në parti që nga anëtari i degë dhe deri tek nënkryetarët e partisë. Edi Rama nuk e njeh këtë gjë bile ka bërë ç”është e mundur që të largonte nga partia edhe liderin e paraardhësin e tij Fatos Nano. Qasja e duhur sipas meje që do i shërbente edhe një forumi rinor është rëndësia që i jepet kontributit dhe ndarjes së idealeve dhe historisë së përbashkët si në opozitë dhe në pushtet. Modelet rinore në këtë drejtim janë: Nga njëra anë një forum rinor ku zgjedhja e kryetarit/es bëhet në një konkurs zëri më i bukur dhe në votimin online nëse e ke kaluar zërin e bukur. Pra kushdo që nuk ka dhënë asnjë ditë kontribut në forumin e Partisë Socialiste mund të marr drejtimin e tij. Por jo vetëm kaq sepse kryetari/rja i/e re nuk e ka idenë as të kontributin të askujt tjetër që bën pjesë në këtë forum prej vitesh dhe ka dhënë shumë për të qënë tek ai forum. Ndërkohë nga ana tjetër kryetari i zgjedhur i FRPD Belind Këlliçi ka një kontribut të gjatë në parti duke i ngjitur shkallët e karrierës me radhë nga seksioni, në grupseksion, në degë, në këshillin kombëtar të Partisë, koordinator kombëtar, drejtor departamenti, anëtar kryesie dhe tashmë kryetar i forumit rinor. Kushdo ka mundësi të ishte si Belindi, si dhe kushdo mund të identifikohet në nevojën për të parë rezultate që vijnë nga kontributi i dhënë, pra zgjedh modelin jo vetëm personin. Ndërkohë një kryetar i tillë njeh edhe vlerëson kontributin e gjithsecilit nga ata që për të nuk kanë se si të jenë të panjohur se nuk erdhi në parti nga një konkurs zëri dhe Facebooku. Kështu i jep atyre meritën dhe rolin që ju takon. Gjithmonë karriera dhe promovimi duhet të jenë në bazë të meritave dhe kontributit sepse kështu kemi nesër politikanë më të përgjegjshëm.

Njohja e strukturave dhe organizimit partikak
Të drejtosh një forum kombëtar, apo të jesh edhe kryetari, sekretari i një degë është një përgjegjësi e madhe edhe organizative. Forumi për nga struktura është i ngjashëm me partinë sepse ka degë kudo në Shqipëri, organizim me drejtues kudo, me çështje dhe me detyra të përcaktuara. Kushdo që merr përsipër ta drejtoj, duhet të marr përsipër edhe që ka mundësitë reale ta çoj atë para drejt suksesit. Ashtu siç është e domosdoshme koherenca e plotë me strukturat e partisë për të qenë komplementar dhe jo të ndarë në lojra të vogla që nuk i shërbejnë askujt. Modelet rinore që na paraqiten sot janë: Nga njëra anë po rindërtohet një forum që s’ka aspak lidhje me strukturat organizative të partisë por që bëhet si konkurs zëri, ndërkohë që nga ata të rinj që janë aty do ketë edhe nga ata që nuk e dinë se sa degë ka partia, se si funksionon një degë e forumit, se kush janë qëllimet e forumit, detyrat, struktura që nga anëtari i thjesht e deri tek kryetari i partisë. Një kryetar forumi që ndoshta është në ditën e tij të parë në parti edhe e fillon me drejtimin e saj!! Pastaj vallë duhet të presim ndoshta Voice of Vlora, Voice of .. për të zgjedhur kryetarët e degëve !! Nga ana tjetër kemi modelin e një kryetari forumi që e ka filluar duke qënë anëtar i thjesht i grupseksionit Nr. 10, seksioni 1980. Duke e njohur mirë strukturën e partisë që përfaqëson nga rrënjët për të arritur në majën e saj. Kryetar degësh që po ashtu janë të rinj me kontribute të çmuara për forumin dhe që njohin mirë strukturat dhe organizimin partiak si Denisa në Mat, Kidi në Kavajë, Enkelejda në Kurbin, Rudi në Elbasan, Artani në Gjirokastër, Erdioni në Pogradec, Arviti në Shkodër, apo në Tiranë Fatjoni, Klausi, Haliti, Erilda, Florini etj. Djem e vajza të shkolluar, të formuar që nuk kanë vetëm zë, por që kanë forcën dhe organizimin për ta bërë zërin veprim dhe strukturën në aksion.

Rëndësia e votës reale si ushtrim për demokracinë
Demokracia nuk ka asnjë vlerë pa votën e lirë, pa rëndësinë e saj dhe vlerën e vërtetë si përcaktuese të fateve politike. Të rinjtë që ushtrohen me detyrimin dhe të drejtën e votës së lirë, së ndershme dhe reale janë të rinj që nesër do jenë qytetarë më të përgjegjshëm dhe politikanë më llogaridhënës. Duhet që forumet rinore ta kultivojnë këtë vlerë dhe të jenë modeli më i mirë për ushtrimin e të drejtës së votës. Edhe në këtë rast kemi dy modele rinorë që vihen përballë: në njërën anë kemi votimin online dhe pa pikë kriteri dhe rregulli për të zgjedhur ata që kalojnë fazën për kryetarin e forumit. Njerëz që nuk i kanë parë kurrë, që nuk i kanë dëgjuar kurrë mund të votojnë edhe votojnë. Ca kot për gallatë, ca sepse ju luten deri në dhimbje nga kandidatë të caktuar që mbushin inboxet e Facebook, ca sepse kanë vërtet dëshirë. Asnjë filtër, asnjë rregull, as rëndësi institucionit të votës së lirë dhe të ndershme. Nuk ka asnjë rëndësi nëse futem edhe votoj unë në sistem duke ja futur kot një votë për forumin e rinisë socialiste. Vota si institucion ka marrë zhvlerësimin më të madh ndonjëherë në sy të rinisë. Dhe matje e suksesit për Znj. Spiropali është numri i klikimeve pra i votave për kandidatët në Facebook, më shumë rregulla matjeje kanë klikimet e Shakirës në Youtube.

Ndërkohë ka ana tjetër kemi tre gara deri tani të zhvilluara në forum rinor të Partisë Demokratike, zgjedhja e kryetarit të Forumit Belind Këlliçi, duke u votuar qytet më qytet, me 2 kandidatura të tjera përballë, me votë të fshëhtë, me rregulla votimi dhe numërimi, me përfaqësues nga çdo kandidat në numërim dhe me rezultat në kohë sa më të shpejtë dhe të pranuar nga të gjithë. Gara për kryetarët e degëve ku u tregua edhe më qartë rëndësia që ka edhe 1 votë e vetme në proces, ku gara është ndarë me një votë të vetme, si në rastin e degës 8 në Tiranë, apo në zgjedhjen e drejtuesit të forumit për Malësinë e Madhe.Ndërkohë që në 9 degët e PD, në Dibër, Gramsh, Has, Kavajë, Kuçovë, Kurbin, Peqin, Pogradec, Tropojë, rezultati ka qenë i ngushtë dhe fituesi ka dalë me pak vota diferencë. Në Dibër me 9 vota diferencë, në Gramsh me 2 vota diferencë, në Has 2 vota diferencë, në Kavajë 5 vota diferencë, në Kuçove 4 vota diferencë, në Kurbin 4 vota diferencë, në Peqin 6 vota diferencë, në Pogradec 9 vota diferencë, në Tropojë 4 vota diferencë. Dhe gara për anëtarët e Këshillit Kombëtar të FRPD ku përsëri parimi dhe mënyra ishte e njëjtë. Ky është modeli që i jep rëndësi votës reale dhe jo votës imagjinare, ka lobimin patjetër brenda por atë të vlerave si modeli amerikan dhe jo atë të hakerave dhe të panjohurve në sistem pa filtra.

Vlerë reale, peshë reale në politikë.
Kur të rinjtë kanë vlerë reale në politikë dhe kanë ardhur aty duke punuar, duke dhënë kontribut, ide dhe pasion për kauzat e përbashkëta patjetër që duhet të kërkojnë edhe të marrin përfaqësim real në politikë. Përsëri kemi dy modele rinore por edhe modele drejtimi partiak: Nga njëra anë kemi Ramën që përfaqësimin politik ka zgjedhur ta bëj me përdhunues, me të inkriminuar, me kriterin e vetëm se kush i shërben atij në qëllimet e veta të pasurimit është kandidati më i mirë. Po ashtu duke zgjedhur në krye edhe të jurisë që gjykon të rinjtë Znj. Spiropali që gropa e doganave flet vetë dhe nuk ka nevojë për më shumë shpjegime se çfarë preferon Rama dhe se si të rinjtë mund të bëjnë karriere politike dhe të kenë peshë në politikë. Nga ana tjetër kemi Lulzim Bashën që ka udhëhequr betejën e dekriminalizimit, për të arritur të zhdukte nga politika ata që janë aty pa vlera dhe merita por vetem me një bagazh krimi dhe kriminaliteti, që blej pozicionin me para dhe kërcënime. Ndërkohë ka premtuar publikisht se 35% e kandidatëve të listës së PD për deputet do të jenë të rinj, por përveç kësaj risie, e veçantë është dhe përzgjedhja e tyre. Modeli amerikan i përballjes është përzgjedhur nga lideri i opozitës për të përzgjedhur 49 të rinjtë që do të garojnë në zgjedhjet e ardhshme dhe që do të zgjidhen me votën e drejtpërdrejtë nga radhët e rinisë demokrate. Pra një sistem që nis mbarë sigurisht që do të përfundojë mbarë.

Nuk mund të lë pa thënë në fund që modelin FRPD e njoh nga afër si anëtare e partisë dhe forumit, koordinatore kombëtare, anëtare e këshillit kombëtar, anëtare e kryesise edhe zëdhënëse e PD. Kjo nuk cenon aspak 5 argumentet e ngritura për modelin që mendoj se i duhet rinisë dhe i shërben rinisë, të cilën e ftoj të bëhet pjesë aktive e këtij forumi. Modelin FRESSH e marr të mirëqenë që do të ndodh kështu si e propagandojnë përditë, ndërsa nëse është paracaktuar se kush do jetë kryetari atëherë situata është edhe më keq seç e kam shkruajtur unë, atëherë modeli është edhe më fals se ky i zërit më të bukur dhe votës flu. Pres statuse të secilit nga kandidatët që marrin pjesë në garën e FRESSH që të tregojnë sesa idealist dhe të përkushtuar janë dhe mirë do bëjnë. Shkruani sa më shumë, aktivizohuni në politikë, më kritikoni edhe mua nëse doni, vetëm mos mbroni e lartësoni modelin e vjedhjes dhe shkatërrimit alla ELISist se na mori lumi të gjithëve ne të rinjve ashtu si dhe vendin. Disa nga kandidatët, i njoh personalisht, disa i kam pasur dhe i kam student. Nuk e kam me ju, e kam me ata që kanë zgjedhur të bëjnë show-n e radhës me ju. Ndaj duhet zgjedhur model i duhur i përfaqësimit rinor që rinia të lartësohet dhe të jap maksimimun e vet në të mirë të vendit.

Etiketa: