Presidenti i Republikës, Bujar Nishani uroi sot Presidentin e 45-të të SHBA-së, Donald J. Trump me rastin e marrjes së detyrës.

Zyra e shtypit e Presidentit bën të ditur së në mesazhin e dërguar Nishani i ka uruar suksese në përmbushjen e angazhimeve presidenciale, ndërsa i shpreh mirënjohjen e thellë për gjithçka Shtetet e Bashkuara kanë bërë në mbështetje të shqiptarëve për më shumë se një shekull.

Nishani, në mesazhin e tij, shpreh po ashtu bindjen se partneriteti strategjik mes dy vendeve do të thellohet edhe më shumë gjatë presidencës suaj.

“Shtetet e Bashkuara përfaqësojnë për Shqipërinë dhe shqiptarët mikun dhe partnerin kryesor strategjik dhe ju siguroj se shqiptarët do të vijojnë të jenë krah jush në realizimin e agjendës suaj kundër ISIS dhe terrorizmit ndërkombëtar, por edhe për forcimin dhe thellimin e mëtejshëm të agjendës euroatlantike”, thuhet në mesazhin e urimit.

Donald Trump është betuar sot si president i Shteteve të Bashkuara përpara 900 mijë të pranishëmve në Capitol Hill. “Do të kryej me besnikëri detyrën e presidentit të SHBA. Do të bëj më të mirën për të mbrojtur Kushtetutën e SHBA. Ndaj, Zot më ndihmo!”, ka pohuar Trump.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb