Të ulesh me një regjisor për të folur për paskuintat e sheshxhirimit, do të thotë të ngrihesh pas disa javësh, prandaj këto që po sjellim më poshtë, merret me mend që janë vetëm copëza të papërfillshme të asaj që ka ndodhur në të vërtetë.

Edhe të donte, regjisori Muharrem Fejzo, apo kushdo që të ishte, nuk do të mund t’i kishte të qarta kujtimet e 60 viteve karrierë. Prandaj, gjatë bisedës me të, u përpoqëm që t’i kujtojmë të gjitha nga pak, duke qëndruar te disa nga filmat e rëndësishëm të punës së tij si regjisor si “Kapedani”, “Montatorja”, dhe filmi i tij i fundit i vitit 1989, “Muri i gjallë”. Po e nisim nga i pari…

“Montatorja” është filmi juaj i parë me aktore kryesore një vajzë, që nuk kishte të bënte me aktrimin… Ashtu ndodhte përgjithësisht atëherë, ne dilnim dhe i gjenim disa prej personazheve duke kërkuar.

“Montatorja” (1970) është filmi im i parë, me të cilin mora pasaportën, ishte me skenar të Dhimitër Xhuvanit dhe me regjinë time. Kisha kohë që i kisha propozuar drejtorit disa skenarë që i kisha shkruar vetë, por nuk më përfillnin sepse unë vija nga një fushë tjetër, grimi, dhe nuk kisha bërë asnjë film dokumentar që të kishin një garanci, dhe me të drejtë nuk më besonin film artistik.

Por duke qenë mik i ngushtë me Endri Kekon, i them atij që të më ndihmonte. Pas kësaj, ai i thotë dhe drejtorit të Kinostudios, Vaskë Aristidhit. Ai më thirri dhe më tha se çfarë po bëja, i thashë që kam një skenar të Dhimitër Xhuvanit dhe doja një kamion dhe një aktor, që të kishte një film me pesë akte. Pas këtij filmi, më besuan më pas “Kapedanin” bashkë me Fehmi Oshafin, “Operacion zjarri”, për të vijuar më pas dhe me filma të tjetër.

Çfarë kujtimesh keni nga “Montatorja”, ngjarje nga ato që ne nuk kemi arritur t’i shohim në ekran?

Aty kanë ndodhur disa ngjarje interesante, por në fakt kjo ishte e zakonshme në çdo film. Duhet të rrish t’i shkruash në momentin që ndodhin gjithë ngjarjet e të qeshurat e sheshxhirimeve, përndryshe humbasin.

Ju keni shkruar gjatë, për secilën prej përvojave, edhe në librin “Të pathënat”

Po, por asnjë libër nuk do të mund t’i mbante të gjitha kujtimet, as unë nuk arrij t’i kujtoj të gjitha. Sidoqoftë, kthehemi te “Montatorja”… Personazhi kryesor, Fatbardha, nuk ishte aktore profesioniste, kështu që kishte pasiguritë e saj gjatë gjithë xhirimeve. Mirëpo, nuk ishte vetëm çështja tek ajo, pati edhe ndërhyrje nga jashtë. Gjatë xhirimeve tona në Pogradec, vajza ishte duke xhiruar, kur ndalon një makinë te këmbët e saj. Ishte një djalosh i nervozuar që i thoshte se pse kishte ikur. E morëm vesh që ishte i fejuari i saj, të cilit nuk i pëlqente që ajo e kishte pranuar rolin pa e pyetur atë. Xhirimet u ndërprenë dhe rifilluam vetëm pasi ndërhyri Saimir Kumbaro, që i thoshte djalit se këto ishin punët e partisë dhe se do të pendohej po t’i prishte. Aty djali, si duket, u tremb dhe u largua. Një episod tjetër ishte skena e dashurisë. Kur Fatbardha duhej të realizonte skenën e dashurisë me Vangjush Furxhi, ishte shumë në siklet sepse nuk dinte si të reagonte, pasi ai t’i shprehte dashurinë. Atëherë bëmë plan-portret dhe e lamë që unë t’i bija te supi në momentin që duhet të ngrinte sytë, pas shprehjes së dashurisë, janë truket e sheshxhirimit…

Matilda Makoci
Matilda Makoci

Pas tij ju bëtë filmin “Kapedani”… Ishte udhëzim partie evidentimi i forcës së gruas, apo zgjedhja juaj?

Jo, ishte e rastësishme në fakt! Pa dyshim, që fryma e kohës ishte e tillë, por nuk pata porosinë e askujt për ta realizuar. Qëlloi që miku im Skënder Plasari kishte këtë skenar prej kohësh dhe askush nuk po e merrte përsipër, nuk ishte e thjeshtë të bëje një komedi. Në një moment, ma propozuan mua bashkë me Fehmi Oshafin dhe të dy e bëmë.

Megjithatë, sikur e ‘tepruat’ pak me komedinë…

“Kapedani” pati dhe vërejtje, sepse skematikët thanë po tallen me një veteran të luftës. Mirëpo, e kishte parë Enver Hoxha dhe kishte buzëqeshur dhe një buzëqeshje e tij atë kohë do të thoshte që filmi ishte i suksesshëm. Ka qenë dhe një tjetër rast te një kolegu ynë, kur erdhi dhe Ramiz Alia, aty isha me Ndrek Lucën, dhe sa më pa, më tha: “Kur do ta bëjmë një tjetër ‘Kapedan’”. Kështu që, ai film mori rrugë dhe arriti që të jetë filmi më familjar për të gjitha familjet shqiptare dhe që qarkulloi në botë. Madje, “Kapedani” është dubluar edhe në Kinë. Nuk ka humor më të madh që të dëgjosh Albert Verrinë apo Nikolin Gjojën që të flasin kinezçe.

Në një mënyrë tjetër, por ka qenë po aq shënjuese edhe Fata, te “Muri i gjallë”… Aty Luiza Xhuvani ishte vërtet shtatzënë. Kujtoni të keni pasur pengesa gjatë xhirimeve, për këtë arsye?

Jo, përkundrazi, në episodet që vinin, barku i Luizës ishte krejtësisht i justifikuar dhe aktorja e ndiente veten të njëjtësuar me rolin mrekullisht. Gjergji, gjasme i shkujdesur, e ndiqte ecurinë e foshnjës që aktronte bashkë me të ëmën me një ngazëllim të fshehur. Disa herë i dhashë të drejtën të xhironte, por ai i bishtnonte kërkesës sime me atë buzëqeshjen e tij të ndrojtur, duke më falënderuar, por nuk mundte.

Ishte rasti kur Fata (Luiza) ulet e lumturuar rrëzë një mullari me bar dhe fërkon barkun, fëmijën e adhuruar. Përlotet… dhe muzika, në këtë rast, do të fliste në vend të saj. U mundova shumë, duke kërkuar dhe i gjeta dy lule fushe nga ato që kanë formën e globit dhe që era ia shpërndan sporet, fekondimin e saj. Ideja ishte pllenimi i luleve dhe njeriut, simboli i vazhdimit të jetës, por askush nuk e pikasi këtë detaj, metaforën. Fundi i shkurtit do të na gjente në pyjet e mrekullueshme të Qafështamës, me valëzim malesh në një kaltërsi të jashtëzakonshme. Do të xhironim “Lindjen e Fatës”.

Rajmonda Bulku
Rajmonda Bulku

Qengji që po piqej në hell, ajri i pastër dhe uji i burimeve rrëzë lajthive, e bëri grupin të punonte me përkushtim. …Mëngjes herët. Fata e çmeritur, me një sëpatë në dorë, vrapon pyjeve e zgërbonjave për t’u shpëtuar “kalorësve të zinj”, të cilët kanë shembur murin dhe kanë varur Klaudin (V.Toçe). Papritur, ajo ndalon dhe përkulet nga dhembja. I kanë plasur ujërat. Klithma e saj përhapet në rrjedhat e rrëmbyera të lumit Valbonë… male, pyje e dete. Lëngata e saj. Ajo është e shtrirë midis rrënjëve të një rrapi madhështor. Me sytë e Fatës: vështrimi në panoramën në trungun e një ahu.

Një mahisje e tij ka dukjen e një barku të fryrë me kërthizën në mes. Kamera ngjitet te degët e shumta e më pas kurora e rrapit në një sfond qielli të kaltër me re. Duart e Fatës dërmohen te rrënjët. Sytë e përlotur. Goja e shtrembëruar nga dhimbja. Përtej maleve po lind dielli. (Improvizim: për të mposhtur dhembjen, tehun e sëpatës i them ta vendosë midis dhëmbëve). Klithma e fëmijës. Lindja e diellit. Përbri saj duket spikthi i një luleje mali të sapoçelur. Në një montazh vetëtimë të planeve të njohjes me Gjeton; dashuria e tyre; rrënjët e rrapit; mahisja e të tjera panorama që përfundojnë në një det të qetë, i xhirova pa qenë në skenar. Gjithë këtyre planeve të xhiruara me frymëzim, u ra rrufeja. M’i hoqën. I quajtën efekte moderniste. Lanë vetëm lulen e sapoçelur.

Luiza Xhuvani
Luiza Xhuvani

Në këtë film, përpara këtij moment, jeni gjendur në një vështirësi. Aktorja Makoçi është larguar nga xhirimet, është zëvendë- suar me Raimonda Bulkun, çfarë ndodhi?

Ishte një gjë krejt e papritur për mua. që më ka vënë jo pak në vështirësi. Kishin nisur xhirimet, ishin formuar gjërat kur befas na u desh të ndryshonim gjithçka. Nuk pati shumë shpjegime, në fakt, prej saj dhe unë nuk e takova më.

Çfarë ndodhi? Si e zgjidhët?

Xhirimet u ndërprenë. Duheshin ribërë gjithë ato skena me një aktore tjetër. Nuk ishte e lehtë. Ishte një goditje në brinjë të filmit. Një ditë të diel, në shëtitoren e gjerë të qendrës së qytetit, takoj Matildën. Dukej tepër e brengosur. Erdhi e ndrojtur me një fytyrë të vrarë nga pagjumësia dhe me fjalët që i mbeteshin në grykë: -Të më falni, më falni shumë. Nuk arrita dot t’ju njoftoj”, e ndërpreu fjalën e frikësuar, se në drejtim të saj po vinte djali i Kristaqit, shokut tim të liceut, Edi. Me ngut dhe lot në sy, foli e përshpejtuar: -Do të nisem për Greqi.

Kam një hall të madh… të më kuptoni”,-dhe duke i tërhequr zvarrë fjalët e fundit, me lot në sy, u zhduk, e përcjellë nga Edi, i cili në ecje e sipër vazhdonte të na hidhte disa vështrime të ftohta. Kushedi ç’fjalë të tjera gatuheshin në shpirtin e saj. Që nga ajo kohë, më humbi nga sytë, deri sot e kësaj dite. Punë e tyre. Filluam prapë peripecitë me administratën e “Teatrit të Popullit”, ministrinë e të tjera. Ndërkohë, u futa në sallën e montazhit për të zgjedhur gjithçka kishim xhiruar.

Shpresa Papapavllo, regjisorja e montazhit, ishte mjaft entuziaste për filmin që po fillonte të merrte trup. Ishte Gjergji dhe Artan Minarolli, të cilët bënë çmos dhe sollën në sheshin e xhirimit sykaltrën, të thjeshtën, të ëmblën aktore tashmë të mirënjohur, Rajmonda Bulku. E kishte pritur me shumë kënaqësi bashkëpunimin me mua, shokun e hershëm të atit të saj, Skënder Bulku. Viti i ri 1989 do të vinte me rrathët e syve të zmadhuar mavi, të ndezur plot angështi, të lodhur nga trysnitë e mbrapshta të kohës. Sytë e zmadhuar, në përpjekje për të parë ç’do të vinte nga gjithë ato përpjekje që po bëheshin për rrëzimin e Murit të Berlinit.

Mavi nga netët pa gjumë, ngarkuar me frikë, pabesi, dyshime e pasiguri. Kudo sundonte e panjohura, sikur e gjithë bota të priste një shpërthim përmbytës. Ashtu si po kaloja dhe unë me ndërdyshjen e pandarë: për t’u qëndruar mbi kokë vërejtjeve apo të shkelja mbi to për të dalë në përfytyrimin tim. Nguroja me një shkurajim të thellë. Duhej të kapërceja këtë lumë ahtesh me kujdes e gur më gur, gjurmuar nga frika dhe ndjenja e zbrazëtirës dhe humbjes. (Ende diçka prej atyre viteve mjegullore pluskon deri në ditën e sotme). Gjithë ajo atmosferë e ngarkuar me pandehma dhe të papritura, do të hynte dhe në xhirimet e dekorit.

Aktorët dhe sidomos Edmond Budina, ishte pjesëmarrës i zellshëm, por i heshturi i atyre mbledhjeve të fshehta apo të hapura. Jashtë, temperatura kishte rënë shumë dhe era befasisht ndryshonte drejtim pa pushim, ngarkuar me një shi që s’kishte të pushuar. I lagur deri në palcë, rashë pa ngrënë, duke lënë të shqetësuar Nardin dhe djemtë. E nesërmja kishte një episod me rëndësi për t’u xhiruar.

Burimi: http://www.panorama.com.al/regjisori-fejzo-rrefen-skenat-e-censuruara-ne-filmat-para-90-si-reagoi-enveri-per-kapedanin/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: