Senatori amerikan, John McCain në një adresim para deputetëve të Kuvendit të Kosovës tregoi një histori personale të shumë viteve më parë me misionaren shqiptare sot e shenjtë Nënë Terezën.


Ai para deputetëve tregoi se diku para 24 vitesh gjatë një takimi me Nënë Terezën, ajo e kishte lutur atë dhe gruan e tij që t’i merrnin me vete në SHBA dy vajzat nga zonat e varfra ku vepronte Nënë Tereza.


Të dy vajzat ishin në gjendje të rëndë shëndetësore. Senatori republikan tregoi se i kishte marrë me vete në SHBA dy vajzat, ndërsa tashmë njëra nga to është vajza e tyre.


“Para 24 vitesh gruaja ime dhe unë ishim në Bangladesh dhe vizituam jetimoren e Nënë Terezës. Ajo erdhi në takim me dy foshnje dhe na tha që t’i merrnim ose do të vdisnin. Gruaja ime i mori në Amerikë. Një çift adoptoi njërën, kurse tjetra është bija jonë Bridgett. E falënderoj Nënën Terezë që na bëri jetën tonë më të mirë dhe të bekuar”, është shprehur McCain.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb