PRISHTINË- Senatori amerikan, John McCain mbërrin sot në Prishtinë ku do të mbajë një fjalim në seancën solemne të Kuvendit të Republikës së Kosovës, ndërkohë që zhvillon edhe takime me autoritetet e larta të shtetit. E vetmja pikë e axhendës së seancës solemne është: Adresimi i Senatorit amerikan, John McCain, deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës. Seanca solemne e Kuvendit të Kosovës nis në orën 14:30.


Ndërsa, sipas axhendave të njoftuara zyrtarisht deri tani, kryetari i Kuvendit të Kosovës Kadri Veseli pret në takim senatorin amerikan John McCain në orën 13:45, ndërsa kryeministri Isa Mustafa në orën 15:10. Sipas mediave, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi të premten do t’i ndajë senatorit McCain Medaljen Urdhri i Lirisë, për kontributin e tij në lirinë dhe pavarësinë e Kosovës dhe për rolin e tij në thellimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si aleati i përjetshëm i Kosovës.


Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Greg Delawie, ka përshëndetur vizitën e John McCain Senatorit Amerikan njëherësh Drejtuesi i Komitetit në Senat për Forcat e Armatosura, duke e vlerësuar si një mik të madh të Kosovës. “Duke i dëshiruar mirëseardhje mikut të madh të Kosovës nesër në Prishtinë”, ka shkruar Delawie në Twiter.
(ed.me/BalkanWeb)


Etiketa: