VATIKAN- Mijëra njerëz janë mbledhur në Sheshin “Shën Pjetër” në Romë për të ndjekur ceremoninë e Pashkëve të drejtuara nga Papa Francesku. Papa Francesku u bëri thirrje të gjithë besimtarëve që të mos e injorojnë gjendjen e emigrantëve, të varfërve dhe grupeve të tjera që konsiderohen më vulnerabil.

Papa i krahasoi dhimbjet e njerëzve, vuajtjet, padrejtësitë, trafikimin e qenieve njerëzore me vuajtjet e Shën Marisë dhe Maria Magdalenës teksa ndiqnin Jezusin i cili po kryqëzohej.

“Dhimbja e tyre, mund të shikohet edhe në fytyrat e grave sot”, deklaroi Papa Francesku.

Sipas tij, “në fytyrat e tyre mund të reflektohet dhimbja e njerëzve të varfër, keqardhja për shfrytëzimin dhe trafikimin e tyre”, deklaroi Papa.

Ceremonia e sotme në Vatikan, edhe pse e mbushur me lule shumëngjyrëshe, po mbahet nën masa të rrepta sigurie. Autoritetet italiane kanë dislokuar skuadrat anti terror jo vetëm përreth sheshit “Shën Pjetër”, por edhe në ndërtesat kryesore në Romë, si Koloseu, etj. Çdo person i cili merr pjesë në ceremoninë e Vatikanit, duhet të kalojë përmes një procesi kontrolli të ngjashëm me atë nëpër aeroporte.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb