Konfindustria vlerëson, se Shqipëria dhe Kosova duhet të jenë të kujdesshme në zbatimin e nismës së fundit të Bashkimit Europian për krijimin e Tregut të Përbashkët të Ballkanit Perëndimor, të vendosur në takimin e nivelit të lartë në Trieste-Itali.

Sipas administratori të Përgjithshëm të Konfindustrisë Gjergj Buxhuku, krijimi i Tregut të Përbashkët të Ballkanit Perëndimor është e vështirë të jetë i suksesshëm, nëse nuk mbahet parasysh se roli i BE duhet të mbështetet para se gjithash në parimin e paanësisë dhe mosfavorizimit të asnjë prej 6 shteteve anëtare.

“Sa më sipër duhet të shprehet edhe në shpërndarjen e investimeve prej 1 miliard euro të premtuara në mënyrë, që të zbuten ndryshimet e thella të sotme në infrastrukture dhe ekonomi ndërmjet vendeve të Rajonit. Të kihet parasysh, se tashmë prej vitit 2013 në krye të Sekretariatit të Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal/KBR është Ministri i Jashtëm serb i Ish-Jugosllavisë”, deklaron Buxhuku.

Konfindustria thotë se në takimin e Triestes pikërisht KBR ju ngarkua nga BE edhe detyra strategjike e mbikëqyrjes së zbatimit të krijimit të Tregut të Përbashkët të Rajonit, përveç detyrave të deritashme për ecurinë e zbatimit të marrëveshjes tregtare pothuajse të dështuar CEFTA, etj.

“Është e qartë, se në kushtet e sotme Serbia për shkak të shumë rrethanave infrastrukturore, ekonomike dhe financiare të trashëguara do të jetë në kushte shumë më të favorshme sesa shtetet e tjera të Rajonit në Tregun e Përbashkët të propozuar në Trieste”, shprehet Buxhuku.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb