TIRANË- Kreu i PD-së Lulzim Basha ka reaguar pas takimit Rama-Meta dhe deklaratave të kreut të Kuvendit për asistencë nga PPE për zgjidhjen e ngërçit politik. Ai deklaroi se pa qeveri teknike nuk ka zgjedhje në Shqipëri, ndaj iu ka sugjeruar dy liderëve të maxhorancës të të ‘lënë demagogjitë’ pasi me PPE ka kush flet.

“Meqë PS-LSI i kanë zgjidhur punët me njeri-tjetrin dhe kanë dalë më platformë për t’iu drejtuar PPE-së, iu them kërkojeni ku të doni pa qeveri teknike nuk ka zgjedhje në Shqipëri. Kështu që sa më shumë kohë iu vidhni shqiptarëve aq më e rëndë fatura për vendin. Ju siguroj nga thellësia e shpirtit, do bëj gjithçka që pjesën më të madhe të kësaj fature ta paguani ju. Lërini demagogjitë, zgjidhini punët me socialistët tuaj se një pjesë e dinë që jeni të inkriminuar se me PPE ka kush flet. ME PPE nuk zgjidhen me Zhagen punët, e keni parasysh”, tha Basha.


Lidhur me deklaratat e kreut të LSI-së Ilir Meta për dialog, Basha tha se rruga është e hapur por se nuk ka dialog për ata që kanë frikë të lënë pushtetin.


“Rruga për dialog është e hapur për ne por harrojeni se dialogu do të jetë një harxhim total kohe për ata që kanë frikë të lënë pushtetin. Dialogu ka një objektiv të rakorduar tash 9 ditë qeveri teknike dhe mandati për qeveri teknike dhe zgjedhje të lira dhe të ndershm”, theksoi Basha.


(m.k/BalkanWeb)

Etiketa: