“Qytetarët” ishin fituesit e mëdhenj të derbit të Mançesterit, duke marrë kështu sërish vendin e parë në Premier League. Mançester Siti fitoi në fushën e Junajtid, me shifrat e pastra 0-2, duke dominuar në lojë dhe në rezultat.

Në pjesën e parë, Siti pati raste me Bernardo Silvën apo Sterling, por 45 minutat u mbyllën me rrjeta të paprekura. Me fillimin e të dytës, ishte Bernard Silva që me të majtën, shënoi një gol mjaft të bukur, duke e bërë të pamundur për De Gean që ta ndalte.

Ndeshja u vulos në të 66-tën, kur Sterling nisi ekipin në një kundërsulm të shpejtë, dhe Leroi Sane lëshoi një të majtë të fortë, e cila edhe pse pati devijimin e spanjollit De Gea, nuk mundi ta largojë nga rruga drejt rrjetës.

Ekipi i Solskjaer u mundua që të reagonte me Lukakun, por pa mundur deri në fund që të shënojë të paktën golin e nderit. Tashmë, me këtë fitore, Siti i merr vendin e parë Liverpulit, teksa e sheh veten me 89 pikë, një më shumë se ekipi i Klop.

Ndërkohë, në takimin tjetër të sotëm, Arsenali pësoi humbjen e dytë radhazi. Në fushën e Uolvesit, “topçinjtë” u mundën me shifrat e thella 3-1, dhe tashmë lëshojnë sërish terren për vendin e pestë, por gjithashtu nuk arrijnë që të kalonin Çelsin e vendit të katërt, me këtë ndeshje të prapambetur që kishin.

Panoramasport

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb