Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, komentoi nga Saranda situatën e pazakontë të ndodhur dje në Himarë, ku për shkak të motit të keq, dallgët e detit shkatërruan shëtitoren dhe u futën nëpër biznese.


Në fjalën e tij, Basha u shpreh “E patë si u përmbyt Himara nga një stuhi në det, sepse fasada nuk të mbron nga deti 9-ballësh. Nëse nuk bën kanalizim të ujërave të zeza, të dalin ujërat e zeza në sipërfaqe”.


Më tej, në turin “Rrugëtimi për Shqipërinë”, kreu i PD deklaroi se korrupsioni qeveritar, rritja e taksave dhe e kostos së shërbimit janë tre arsyet e situatës, në të cilën ndodhet vendi.


“Dua ta nis me një mirënjohje për mikpritjen. Bukurinë natyrore të Sarandës, shpirtin sipërmarrës të sarandjotët, për të kthyer faqen sa i përket cilësisë së turizmit nuk mund të mohohen. Por moti politik në Shqipëri nuk është aspak i mirë dhe falë këtij moti ekonomia po vuan, njerëzit po vuajnë. Dua ta nis me një mesazh të shkurtër këtë bashkëbisedim, korrupsioni i administratës dhe qeverisë, rritja e taksave dhe e kostos së shërbimit, janë tre arsyet për situatën që ndodhemi.

Ne kemi një program dhe një platformë, që duam ta pasurojmë, pasi të dëgjojmë biznesin, sipërmarrësit, për t’i kthyer hallet e përbashkëta në zgjidhje të përbashkëta. Zotimi im është se do të vazhdoj t’iu dëgjoj e të ju shtrij dorën për t’iu ndihmuar, atëherë kur keni nevojë për ndihmë. Nuk keni nevojë për asgjë tjetër, përveçse për një qeveri që iu mbështet”, u shpreh kryedemokrati.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb