Vllaznia do ketë 3 mungesa të sigurta në ndeshjen e kësaj fundjave kundër Laçit. Për shkodranët nuk do të jenë në fushë Matouti i dëmtuar dhe dyshja e mbrojtjes Gurishta-Stojanoviç, të dy të pezulluar nga kartonët. Nëse për të parin mungesa nuk është se do të ndihet, sepse nuk ka qenë një titullar, për dyshen e prapavijës duhen marrë masat për t’u zëvendësuar.
Një i rikthyer nga pezullimi është Eslit Sala, i cili mungoi në ndeshjen e fundit kundër Elbasanit për shkak të kartonit të kuq të marrë në ndeshjen kundër Dinamos. Për shkodranin pritet të ketë një vend në krahun e djathtë të mbrojtjes. Në këtë mënyrë, duke zëvendësuar në atë pozicion Gurishtën. Për zëvendësimin e Stojanoviç duket se në “pole position” për momentin qëndron Melos Bajrami.
Mbrojtësi i afruar nga Gjilani në merkaton e verës u projektua si titullar në fillim si mbrojtës i majtë. Një dëmtim i pësuar para ndeshjes së kthimit ndaj Valur në “Conference League”, la pas 23- vjeçarin, i cili tashmë është kthyer në gjendjen e tij optimale dhe është një pretendent për formacionin këtë fundjavë. Mbrojtja po ashtu pritet të kompletohet edhe nga dyshja Juriç në qendër dhe Yago në të majtë.
Dy futbollistë që kanë qenë titullarë të padiskutueshëm këtë edicion. Në mesfushë, trajneri Brdariç, duket i palëkundur për dyshen Krymi-Qato, që do të formojnë digën para mbrojtjes kuqeblu. Në dyshim është se kush do jetë mesfushori i tretë në formacion. Me Kahrimanoviç që duket më i avantazhuar për momentin. Megjithëse nuk përjashtohet as edhe një zbritje e Malës në mesfushë, për t’i lënë hapësira në krahun e djathtë të sulmit Dodajt.
i pikë referuese në majën e sulmit do jetë i përhershmi Balaj, që nga stërvitjet e fundit dhe nga ajo çfarë është praktikuar do të ketë mbështetjen e Delajt dhe Malës. Nëse ky i fundit do të luajë në repartin e mesfushës, vendin e tij do ta mbulojë Dodaj.