Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi ka dhënë detajet e fundit në lidhje me situatën me zjarret në vend.

Në një postim në rrjetet sociale, ai shkroi se gjatë ditës së sotme janë aktive 7 vatra zjarri në të gjithë territorin.

Sipas tij, situata më problematike është në fshatin Pregj-Lurë të bashkisë Dibër, ku po punohet për fikjen e zjarrit të rënë në një sipërfaqe me pisha të rralla e barishte.

Postimi i plotë:

Sipas të dhënave nga Qendra Kombëtare Operacionale e Emergjencave Civile, gjatë ditës së sotme janë aktive 7 vatra zjarri, në territorin e vendit.

Forcat operacionale, nën koordinimin e Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile vijojnë punën në fshatin Madhesh të bashkisë Mat, ku zjarri i rënë prej datës 16 korrik është nën kontroll.

Situata më problematike është në fshatin Pregj-Lurë të bashkisë Dibër, ku po punohet për fikjen e zjarrit të rënë në një sipërfaqe me pisha të rralla e barishte. Helikopteri i Forcave të Armatosura iu bashkua këtij operacioni mëngjesin e sotëm për te mos lejuar që flakët, të ndihmuara nga era të përhapen drejt fshatit.

Mëngjesin e sotëm u raportua një vatër në një sipërfaqe me shkurre dhe ferra në fshatin Rras dhe një tjetër në fshatin Kuzhnen të bashkisë Pukë. Forcat e emergjencave po punojnë për shuarjen e tij.

Po punohet gjithashtu për shuarjen e zjarrit në fshatin Sakat më bashkinë e Fushë-Arrëzit, në një sipërfaqe pyjore me pishë të zezë dhe lis, ku vatra u riaktivizua.
Forcat zjarrfikëse janë në aksion për shuarjen e zjarrit edhe në vendin e quajtur “Shkëmbi i Hoxhës” në bashkinë e Kolonjës, ku ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre dhe barishte.

Ndërkaq puna vijon për shuarjen e një tjetër vatre në lagjen “Granicë” të bashkisë Gjirokastër dhe në fshatin Progonat në bashkinë e Tepelenës, ku ka rënë zjarr në afërsi të varrezave publike.

Në vendngjarje për shuarjen e zjarrit kanë shkuar shërbimi vendor i MZSH të bashkisë Tepelenë, të cilët po punojnë për shuarjen e tij.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb