Nga Mira Bregu, OKB, Gjenevë
I dërguari special i OKB për Sirinë Staffan de Mistura zhvilloi në Gjenevë një takim me ministrin e mbrojtjes se federatës ruse Sergey Shoigu për të diskutuar situatën humanitare në pjesën lindore të Ghoutas. “Dy aspekte u bënë shumë të qarta, e para nevoja për të vepruar me urgjencë për dërgimin e ndihmave humanitare, dhe e dyta, nevoja urgjente për të ringjallur dhe nisur procesin e bisedimeve në Gjenevë si dhe për ta vijuar atë në Soçi të Rusisë.

E sigurova ministrin Shoigu se OKB në Damask dhe në të gjithë rajonin është i gatshëm që të ndërhyjë për të dërguar sa më shpejt ndihmat në vend” deklaroi i dërguari i OKB-së. I pyetur për situatën në Raka të Sirisë, De Mistura deklaroi se kishte diskutuar edhe për zhvillimet në këtë pjesë të Sirisë. “Ndërsa ne flasim, diskutuam për marrjen e një leje për një mision shumë palësh në Raka. Këto ndihma dëshirojmë t’i dërgojmë në shumë pjesë të Sirisë si Afrin, Homs, Rukban dhe në veçanti në pjesën lindore të Ghoutas. De Mistura zhvilloi një takim edhe me ministrin e jashtëm të Rusisë Sergei Lavrov.

“Jemi në një kohë kur nevoja për ndihma humanitare në Siri është bërë urgjente. Këto ndihma duhet të shkojnë të njerëzit në nevojë dhe ata të cilët janë të izoluar. Gjithashtu duhet të sigurojmë mbrojtjen e civilëve në të gjithë Sirinë. Kjo është diçka që ne duhet patjetër ta adresojmë” deklaroi i dërguari special i OKB-së gjatë takimit me Lavrov.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb