Gjykata e lartë e OKB-së vendosi këtë të premte se prania e Izraelit në territoret e pushtuara palestineze është e paligjshme dhe bëri thirrje për t’i dhënë fund pushtimit, duke vënë në dukje ndërtimin dhe zgjerimin e vendbanimeve izraelite në Bregun Perëndimor dhe Jerusalemin lindor, aneksimin e saj dhe vendosjen e kontrollit të përhershëm mbi tokat dhe politikat diskriminuese kundër palestinezëve.
Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ka mbajtur për herë të parë një qëndrim mbi ligjshmërinë e pushtimit 57-vjeçar të Izraelit të tokave të kërkuara për një shtet palestinez, dhe vendimi ka të ngjarë të ketë më shumë efekt në opinionin ndërkombëtar sesa në politikat izraelite.
Paneli i gjykatës prej 15 gjyqtarësh nga e gjithë bota, tha se Izraeli ka abuzuar me statusin e tij si fuqi pushtuese në Bregun Perëndimor dhe Jerusalemin lindor, duke kryer politika të aneksimit të territorit, vendosjes së kontrollit të përhershëm dhe ndërtimit të vendbanimeve.
Gjykata është shprehur se akte të tilla e bëjnë të paligjshme praninë e Izraelit në territorin e pushtuar palestinez, dhe se prania e tij e vazhdueshme ishte ilegale dhe duhet të përfundojë sa më shpejt të jetë e mundur.
Sipas AP, Izraeli, i cili normalisht i konsideron Kombet e Bashkuara dhe gjykatat ndërkombëtare si të padrejta dhe të njëanshme, nuk dërgoi një ekip ligjor në seancat dëgjimore. Izraeli dorëzoi komente me shkrim, duke thënë se pyetjet e bëra në gjykatë janë të paragjykuara dhe nuk adresojnë shqetësimet e sigurisë izraelite dhe dështojnë të njohin të drejtën dhe detyrën e Izraelit për të mbrojtur qytetarët e tij”.
Zyrtarët izraelitë kanë thënë se ndërhyrja e gjykatës mund të dëmtojë procesin e paqes, i cili ka ngecur për më shumë se një dekadë.