Qeveria e Serbisë është duke e vrojtuar me kujdes situatën në veri të Maqedonisë, ka thënë sot kryeministri Aleksandër Vuçiç dhe ka porositur se Serbia do t’ia dalë që ta mbrojë territorin e saj dhe të ruajë qetësinë dhe stabilitetin. Vuçiç, duke folur para gazetarëve në manifestimin qendror që shënon Ditën e fitores, ka thënë se Serbia ka dërguar forca të shtuara në zonën kufitare me Maqedoninë për të ndihmuar në konsolidimin e paqes.

“Çdo destabilizim i rajonit është sinjal i keq, porosi e keqe. Këtë e kemi dëshmuar ne disa herë”, ka thënë Vuçiç.

“Kam dëgjuar se ka plane që sot të ketë organizime në juglindje të Kosovës e Metohisë”, ka theksuar Vuçiq, për të shtuar se dëshira e Serbisë është që ta ruajë paqen dhe stabilitetin.

“I lus të gjithë që të mos e keqpërdorin këtë dhe të mos mendojnë se mund të na përkeqësojnë integritetin tonë, sepse reagimi i Serbisë do të jetë i shpejtë, i vendosur, i fuqishëm dhe efikas. Shumë më efikas sesa i disa të tjerëve”, ka porositur Vuçiç, raporton “Koha.net”.

Vuçiç tha se qytetarët e Serbisë nuk duhet të shqetësohen, pasi kufijtë janë nën kontroll të plotë.

“Neve s’mund të na merrni kullat e vrojtimit, nuk do të lejojmë që asnjë forcë ta rrezikojë paqen dhe sigurinë në Serbi”, ka potencuar Vuçiç.

Ai u ka bërë thirrje shqiptarëve të Luginës së Preshevës që të mbështeten në shtetin e Serisë, të cilët i quajti “miq”.

Sipas fjalëve të Vuçiçit, në Kumanovë jetojnë 4.695 serbë dhe ata, në shumicë, nuk janë shpërngulur, përveç disa familjeve që janë zhvendosur në territorin e Serbisë.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb