Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit Philip Reeker tha se Shtetet e Bashkuara nuk do të bëhen arbiter i politikave të brendshme të Shqipërisë. Ambasadori Reeker, zyrtar me përvojë në çështjet e Ballkanit, i bëri komentet të mërkurën në një forum të organizuar nga Këshilli i Atlantikut në Uashington.


Ai tha se Shqipëria vazhdon të jetë një ndër aleatet më të forta të Shteteve të Bashkuara në Evropën juglindore. “Por ne nuk jemi krenarë me gjendjen aktuale politike në Shqipëri”, tha zoti Reeker.

Duke iu përgjigjur një pyetjeje të Zërit të Amerikës, zoti Reeker tha se rruga institucionale është mënyra e vetme për tejkalimin e krizës së tanishme.


“Nuk jemi krenarë me shqiptarët këto javët e fundit, sepse ata nuk përdorën institucionet që kanë. Nuk mundet që thjesht të bojkotosh parlamentin ose të dorëzosh mandatet. Ato institucione duhen përdorur, duhen përdorur gjykatat, duhet të emërohen anëtarët e gjykatës kushtetuese, që përmes Kushtetutës dhe përdorimit të këtyre mjeteve të tejkalohen kohët e vështira politike. Shtetet e Bashkuara nuk do të bëhen arbitër i politikave të brendshme të Shqipërisë, por ne do të vazhdojmë të inkurajojmë të gjitha palët të punojnë së bashku me institucionet dhe të bëjnë hapat e duhur që të ecin përpara. Dhe nëse institucionet nuk bëjnë punë, atëherë puno që t’i ndryshosh ato, nëpërmjet parimeve kushtetutese që keni”, tha zoti Reeker.


(BalkanWeb)