Autoriteti Rrugor Shqiptar ka dhënë informacion për kalueshmërinë e akseve rrugore pas reshjeve të borës në orët e fundit. Sipas ARRSH të gjitha akset rrugore, si kombëtare si rurale janë të kalueshme ndërkohë që gjatë gjithë kohës punohet për kriposjen.

Në Rajonin Verior:
Në akset e Tropojës ka pasur rreth 15 cm reshje dëbore. Kontraktorët kanë bërë pastrimin dhe kriposjen dhe situata e qarkullimit paraqitet pa probleme. Edhe në akset e Kukësit trashësia e dëborës është 5 cm dhe vazhdon të bjerë. Në akset e Dibrës ka patur reshje dëbore me intensitet të ulët.

Në aksin Peshkopi – Qafë Drajë, qarkullimi është pa probleme, pasi kontraktori ka bërë pastrimin dhe kriposjen. Edhe në aksin Qafë Mali – Fierzë ka rënë rreth 20 cm borë. Momentalisht, po punohet për pastrimin dhe kriposjen e aksit.

Përgjatë natës e në vazhdim ka pasur reshje dëbore në segmentin Pukë-Fushë Arrës-Fushë Dukagjin (Kukës). Mjetet borëpastruese janë në punë që nga ora 01:00 e natës. Në asnjë moment nuk ka pasur bllokim të qarkullimit të mjeteve dhe rruga po mbahet nën trajtim të vazhdueshëm për të mos lejuar bllokime eventuale. Në segmentet e tjera ka pasur vetëm reshje shiu dhe nuk ka pasur probleme për sa i përket qarkullimit të automjeteve në këto akse. Qarkullimi në të gjitha akset e Rajonit Verior bëhet pa zinxhirë.

Përgjatë natës ka pasur reshje të dobëta bore në segmentin Bulqizë – Peshkopi. Mjetet borëpastruese kanë qenë në gadishmëri dhe kanë filluar punën për pastrimin e rrugëve. Në asnjë moment nuk ka pasur bllokim të qarkullimit të mjeteve. Gjatë ditëve të fundit ka pasur rënie gurësh në zonën e Shkopetit dhe nga kompania janë marrë masa për pastrimin e tyre.

Në Rajonin Qendror:
Ka reshje shiu në të gjithë Rajonin. Në aksin Librazhd – Stebleve, ka pasur rreth 5 cm reshje dëbore por që ka shkrirë me fillimin e reshjeve të shiut në mëngjes. Situata e qarkullimit paraqitet pa probleme.

Në Rajonin Jugor:
Në Dardhë dhe në Voskopojë, ka pasur rreshje dëbore me intensitet të ulët. Kontraktorët kanë bërë pastrimin dhe kriposjen e akseve. Qarkullimi kryhet pa probleme. Edhe ne akset e tjera të këtij Rajoni nuk ka probleme për qarkullimin.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: