Anëtari i Shtabit të Emergjencave, Ilir Bejtja teksa ka bërë një bilanc të situatës me të cilën po përballët vendi ynë pas tërmetit shkatërrimtar i 26 nëntorit, deklaroi se vijon puna në terren për identifikimin e objekteve në rrezik. Në një prononcim për ‘News24’ Bejtja tha se specialistë të certifikuar vendas dhe të huaj aktualisht janë në terren për vlerësimin e çdo objekti, nëse janë të banueshëm apo jo.

Ai theksoi se deri më tani në terren janë një numër prej gati 150 inxhinierësh, ndërsa i bëri thirrje specialistëve që të japin kontributin e tyre. Mes të tjerash ai sqaroi se deri më 15 dhjetor do të vijojë puna për vlerësimin e të gjitha dëmeve në terren sa i takon inspektimit të godinave.

“Kemi bërë thirrjen që t’u bashkohen këtyre grupeve në terren akoma më shumë inxhinierë. Janë 149 inxhinierë për vlerësimin e këtyre objekteve. Tërmeti i ka vendosur në panik të gjithë. Janë familjarë së pari, më pas profesionist. Do identifikojmë të gjithë objektet, nëse janë të dëmtuara dhe duhen të shemben apo të rregullohen. Kjo pasi jo që ka dhënë urdhër kryeministri, por po vjen dimri. Kemi marrë masa që në kushtet e emergjencës të marrim leje ndërtimi. 14 subjekte janë paraqitur vullnetarisht për të ndihmuar. Nuk bëhet fjalë për qytetin e Durrësit, por edhe në mbarë qarkun. Po ashtu dhe në Lezhë dhe në Krujë. Njerëzit që kërkojnë të evakuohen drejt strukturave akomoduese, janë zero Nëse kemi njerëz që nuk largohen nga banesat, janë zonat e fshatit, për shkak të gjësë së gjallë. Ekipet po shpërndajnë çadrat kudo. Ne do të bëjmë lagjen e re në Laç, në Lezhë do të bëjmë ndërtime të reja moderne dhe riparime atje ku dëmet janë të lehta. Kurse në Durrës situata është pak më e vështirë, komplekse, pasi ka shumë godina të shkatërruara.”, tha Ilir Bejtja.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb