Mosgjetja e konsensusit për reformën në drejtësi por sidomos deklaratat e bëra dje nga kreu i Kuvendit, Ilir Meta për krijimin e një qeverie teknike deri në zgjedhje të parakohshme pasi të votohet reforma në drejtësi kanë marrë vëmendjen e opinionit publik, mediave dhe analistëve, të ndarë në kampe të ndryshme.

Disa pro Ramës, duke dhënë edhe këshilla se si mund të veprojë dhe disa pro metës, por emëruesi i tyre i vetëm i tyre mesa duket është shpërbërja e koalicionit qeverisës “Rama-Meta”.

Sokol Balla: Meta bast kundër të gjithëve
Bastet e tij (Metës) të fituara në këto vite kanë qenë fratricide, brenda të majtës. Basti që ai vendosi sot, është më i madhi i karrierës së tij. Është bast ok kundër Ramës dhe PS, kundër draftit të reformës, kundër Donald Lu, por deri diku edhe bast më i madh sesa ai i Opozitës. I tunduar gjithmonë nga ideja të mos jetë thjesht më i fortë sesa dy të mëdhenjtë, por më i madh edhe se vetja e tij, duket se ai e hodhi hapin e parë në drejtimin e panjohur për të.

Në këtë shteg të ngushtë dhe të thepisur, më përpara ka ecur vetëm një politikan: Sali Berisha, i cili me gjithë kostot e mëdha për vendin, ja ka dalë të shpëtojë gjithmonë duke ecur mes Shillës dhe Karibdës, pasi Lëkura e Jasonit për të, kanë qenë 30 përqind e shqiptarëve, të cilët e kanë votuar edhe në errësirën e vitit 1997. A thua Ilir Meta mendon se partia e tij është sot më e fortë sesa PD apo edhe sesa PS? Shpresoj që sondazhet t’i ketë të vërteta se përndryshe kjo po, që do ishte Paranojë!

Blendi Fevziu: Të gjithë kalkulojnë votat, Meta do riformatim të qeverisë
…Meta ka vendosur të mbyllet edhe ai në dhomën ku figurativisht do mbyllej Rama me Bashën dhe ka bërë thirrje që reforma të kalojë. S’ka dhënë asnjë shpjegim si dhe me çfarë kushtesh, por ka deklaruar prerë që do jetë edhe ai aty me PO – në e tij. Duket se ja ka arritur sepse Lu dhe Vlahutin i janë përgjigjur direkt pozitivisht. Pra Meta ka rihyrë në lojë.

E dyta është raporti brenda mazhorancës. Meta ka përdorur formulën “edhe, edhe” në fjalën e tij. Ai është shprehur, se: edhe nëse kalon reforma, edhe nëse ajo dështon, vendi duhet të ndërtojë një qeveri të re.

Një Qeveri teknike që të përgatisë zgjedhjet. Burime zyrtare brenda LSI i kanë thënë opinion.al se Meta parashikon tërheqjen e të gjithë ministrave dhe figurave politike nga qeveria, rrëzimin e saj dhe ndërtimin e një qeverie teknike që të çojë vendin në zgjedhje të parakohshme brenda një kohe shumë të shkurtër.

LSI beson se vendi nuk ka kohë për reformën elektorale dhe votimin elektronik dhe si garanci e vetme për opozitën që zgjedhjet do të jenë pa influencë politike, është një qeveri pa përfshirjen e PS, PD dhe LSI. Pra një qeveri tranzitore me mandat përgatitjen dhe organizimin e zgjedhjeve.

Kjo formulë është e ndryshme nga ajo që flitej në forumet informale politike të Tiranës, ku shihej një bashkim i votave të LSI dhe PD për të rrëzuar Ramën. Ky version ishte i vështirë sepse PD nuk mund të mbështesë një aksion të tillë që mund të viktimizonte Ramën dhe ti jepte përgjegjësinë e qeverisjes një vjeçare PD, pa pasur mundësi të zbatonte programin e saj. Ky do ishte një gabim fatal i PD. Por bashkimi i votave për një qeveri teknike, është ekzakt ajo që vetë Basha ka kërkuar në 6 muajt e fundit.

Në këtë aksion LSI dhe PD mund t’i bashkonin votat pa asnjë problem. Dhe me gjasë, ka pasur edhe negociata konkrete në këtë drejtim.
Pritet që Meta të veprojë konkretisht në javën që vjen, deri në datën 28 Korrik. Edhe në këtë veprim ai duket një hap përpara të tjerëve.

Ndërkohë burime brenda PS i thanë Opinion.al se Meta nuk synon zgjedhjet e parakohshme, por kërcënon me to, për të arritur një marrëveshje riformatimi të qeverisë. Burime të PS, shprehen se Rama ka arritur të sigurojë 71 vota, të cilat më shumë se sa për të mbajtur atë në krye të qeverisë deri në fund të mandatit, do të shërbejnë për të çuar vendin në zgjedhje të parakohshme pa një qeveri teknike. Pra thënë ndryshe, Rama kërkon 71 vota për të rrëzuar qeverinë dhe për ta çuar vendin në zgjedhje të parakohshme me këtë qeveri dhe me të, në krye të saj.

Burime të sigurta i kanë thënë opinion.al se PS ka nisur negociatat me Blushin që ka 3 vota dhe me emra konkretë brenda opozitës për të siguruar votat e mundshme. Edhe pse PS deklaron se i ka votat, kjo duket e vështirë në kushtet kur edhe dy deputetë të saj, Kosta dhe Shehu i janë bashkuar Koço Kokëdhimës që është aktiv kundër vijimit të qeverisë në këto kushte që është.

Llogaria e votave duket se është kryefjala e javës politike. Të dyja palët po merren me kalkulimin e tyre, me bindjen se zgjedhjet e reja janë të derë.
Dhe të bindur se koalicioni i bujshëm i 1 Prillit, ka përfunduar si 3 martesat e mëparshme Rama – Meta, një dështim!

Mero Baze: Meta nuk ka më të ardhme me PS
Ilir Meta ka bërë të qartë dy gjëra. E para që ai nuk voton reformën, po nuk e votoi Berisha, dhe e dyta, që ai nuk ka të ardhme politike me Partinë Socialiste. Sa i përket çështjes së parë, Ilir Meta është në të drejtën e tij. Deri më sot pozicionimi ndaj reformës në drejtësi ka qenë i paqartë, pasi konsiderohej apriori që shumica kishte një qëndrim dhe opozita kishte një qëndrim. Por qëndrimi zyrtar i Ilir Metës tregon se reforma ka krijuar një koalicion të ri politik.

Në një anë është Sali Berisha me Ilir Metën, dhe në anën tjetër Partia Socialiste dhe SHBA me BE, që mbështesin propozimin e zonjës Nuland. Ky pozicion i ri politik, e bën më të qartë betejën dhe më të zymtë të ardhmen e numrave pro reformës. Për hir të së vërtetës, LSI e ka mbështetur qëndrimin e saj tek reforma, duke e kushtëzuar atë qysh në fillim me konsensusin e Berishës. Dhe Berisha po ashtu e ka mbështetur dhe i ka qëndruar burrërisht paktit me Metën rreth reformës, duke mbrojtur qëndrimet e tij. Tani ky pakt është i hapur dhe zyrtar, dhe palët duhet të rillogarisin forcat rreth këtij realiteti.

SHBA dhe Bashkimi Europian iu përgjigjën Ilir Metës me të njëjtin tekst dhe të njëjtat fjalë, duke i kërkuar atij të ketë parasysh se çdo bisedim për konsensus do të bazohet vetëm tek propozimi i zonjës Nuland, dhe jo tek propozimet e Berishës. Deklarata e Ilir Metës ishte ambige në këtë pikë. Ai fliste vetëm për konsensus, por jo për projektin mbi të cilin do të mbështetej konsensusi dhe pikërisht për këtë shkak Uashingtoni dhe Brukseli ju përgjigjën për të qartësuar pozicionin e tij lidhur me projektin Nuland.

Dhe Meta duhet ta bëjë këtë, edhe pse është e sikletshme. Pra, duhet të qartësojë publikisht, se ai mbështet projektin e zonjës Nuland dhe jo vetëm deklaratën e saj për nevojën e konsensusit. Reforma në drejtësi është beteja thelbësore për politikën shqiptare, dhe është e natyrshme që ajo të prodhojë jo vetëm politikë, por dhe aleanca të reja politike.

LSI dhe Ilir Meta është në të drejtën e vet të bashkojë votat me kë të dojë në propozimet për reformën, por e rëndësishme është që palët u shprehën paraprakisht. Do të ishte më keq, sikur LSI të bënte sikur ishte formalisht me reformën e zonjës Nuland dhe të shkonte në votime kur të bindej se nuk ishin bërë 93 vota për ta miratuar. Ky qëndrim është më i ndershëm dhe më i dobishëm për të gjitha palët. Shkak për këtë mendoj se janë bërë dhe takimet e ambasadorit Lu me disa deputetë të PD dhe frika se mos disa prej tyre në fund i bashkoheshin votës pro reformës. Por kjo ka pak rëndësi tani.

E rëndësishme është që tani ka dy palë në betejën për reformën në drejtësi, njëra palë që mbron projektin Nuland dhe tjetra projektin e Berishës. Kjo aleancë e re politike që prodhoi reforma, duket se është konsoliduar dhe me terma më afatgjatë për pushtetin, duke prodhuar dhe skemën e qeverisë teknike dhe zgjedhjeve të ardhshme. Besoj se këto janë llogari të padobishme dhe nuk duhen bashkuar me reformën në drejtësi.

Kush mendon se reforma në drejtësi është çështje elektorale, le ta çojë në referendum reformën dhe e vendosin shqiptarët. Fakti që reforma po shikohet si një rast i mirë për të rikonfiguruar koalicionin Berisha- Meta, tregon se ajo tashmë ka prodhuar një koalicion të ri me të cilin socialistët duhet të përballen me dinjitet dhe pa asnjë hezitim. Pas dështimit të prishëm të 21 korrikut, Edi Rama duhet të kalojë në mocion besimi qeverinë e tij dhe të shkojë në zgjedhje të reja.

Qeveritë teknike nuk janë për të bërë reforma në drejtësi, pasi reformat i bën parlamenti dhe siç ka thënë Petrit Vasili, nuk janë çështje ekspertësh. Kur ke bezdi nga një republikë ekspertësh, nuk mund të kesh adhurim për një qeveri ekspertësh. Reforma është një betejë që e vendos parlamenti dhe nëse ky parlament dështon, duhet të shpërndahet për ta bërë parlamenti i ri. Përpjekja për një reformë në drejtësi përfundoi në një reformim të aleancave politike në raport me drejtësinë. Kjo nuk është pak.

Bushati: Rama, zvarritja pas Metës
…Sot, kur Ilir Meta po e kërcënon partnerin e tij kryeministër me prishjen e qeverisë dhe krijimin e një kabineti teknik, eko-ja e atij pazari të fëlliqur të tre viteve e ca më parë është më aktuale se kurrë.

Natyrisht, rrëzimi i Edi Ramës nga pushteti është larg të qenit një fatkeqësi. Megjithëse ai mban përbrenda paqartësinë për të ardhmen, ai do të qe një ndarje e lidhjeve të qeverisë me krimin, një fund i praktikave klienteliste në shpërdorimin e parasë publike, një goditje e pronarëve të ish-mediave të Berishës të riblerë me troje ndërtimi, një fund i turpshëm për njeriun që e mbushi parlamentin dhe pushtetin lokal me banditë.

Por, fatkeqësisht, Edi Rama po shantazhohet sot, jo se është i tillë. Me këtë profil, Ilir Meta e ka pranuar prej tre vjetësh. Bashkë kanë shkallmuar konsensusin e ligjit për administratën publike. Bashkë kanë votuar reformën territoriale si një salamandër elektorale. Bashkë kanë groposur megaskandalin e aferës DIA- CEZ.

Në konsensus të plotë kanë toleruar vjedhjet, abuzimet, përfitimet e njëri- tjetrit dhe bandave që i pasojnë. Në mirëkuptim të plotë i kanë ndarë madje edhe zonat e influencës të trafikut të drogës.
Edi Rama sot po shantazhohet për tjetër gjë: sepse, ndoshta pa dëshirë dhe pa vullnet, po e mban fjalën që u ka thënë ndërkombëtarëve për të miratuar reformën në drejtësi.

Parë në sipërfaqe, duket sikur ai është në anën e mirë të historisë. Sikur ai po i siguron, aq vota sa ka, një projekti të ndërkombëtarëve për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë…
Por ky iluzion nuk është aspak i vërtetë.
Dhe prova për këtë është shantazhi i sotëm i Metës.

Sot lideri i LSI-së nuk foli për shqiptarët. Ai foli vetëm për një njeri. Ai i ra pragut që të dëgjonte dera. Ai i tha Ramës se mund ta rrëzojë nga pushteti. Ai përmendi burgun duke nënkuptuar se kërcënimi është i vlefshëm për gjithkënd. Ai përmendi zgjedhjet duke e kërcënuar se nuk do ta linte t’i vidhte ato me banda.

Ilir Meta përdori sot gjithë armët e mundshme të shantazhit, sepse ai e di se ka përballë një njeri të shantazhueshëm. Se ka përballë partnerin me të cilin janë përgjuar reciprokisht, dinë aferat e gjithësecilit dhe mund ta shkatërrojnë pa droje njëri- tjetrin.

Me tonin me të cilin foli, Ilir Meta, tregoi edhe njëherë se Rama nuk është në gjendje të bëjë asgjë.
Se ai mund të jetë në anën e mirë të historisë, po aq sa mund të jetë një hajdut që ka frikë se e kallzon bashkëpunëtori i tij.

Se ai mund të ketë forcë të reformojë drejtësinë, po aq sa mund ta ketë atë një kandidat për të qenë subjekt i saj.
E në këtë kuptim, kjo që po ndodh sot, është një pasojë direkte e koalicionit të 1 prillit. Një konseguencë e vendimit për të ardhur në pushtet me ndihmën e Metës dhe të “gjithë qelbësirave”.
Në ditën kur iu desh të vendoste për pushtetin e ri, lideri i PS me sa duket i shkoi për shtat vargjeve profetike të Dr Florit:
“Lëpinë aty ku folën, shkelën mbi parime/ Këtu ka vetëm pazare nuk ka më qëllime”.

Edi Rama i la “zëmërthyer” shuma nga idiotët e dobishëm që besuan tek rilindja e tij.
Ai vazhdoi të qeverisë njësoj si Berisha, duke mbajtur në tryezën ovale të kabinetit, gjysmat e ministrave që gjoja luftoi në opozitë.
Prandaj, ai sot nuk mund të bëjë asgjë. Prandaj ai nuk mund të reformojë dot vendin e aq më pak drejtësinë.
Prandaj, ai sot qëndron mbi fron i turpëruar. Madje i përdhosur, kur kujton se për të vazhduar të rrijë, i duhet të përkulet ndaj shantazheve të Metës. Të zvarritet pas atij që nuk e do këtë reformë.

Artan Hoxha: Ja çfarë përfitohet nga propozimi i Metës
“Përmbledhtazi, propozimi i Ilir Metës përmban katër pika të pandashme:
i) gjetja me doemos e zgjidhjes së çështjes së fundit të Reformës në Drejtësi, sipas Komisionit të Venecias, me konsensus, pa akuza të ndërsjella me burg e kapje, me pëlqim të ndërkombëtarëve dhe miratimi i gjithë paketës së reformës nga ky Kuvend mbi të njëjtat parime;
ii) shpërndarja e këtij Kuvendi menjëherë pas miratimit;
iii) krijimi i një qeverie ekspertësh (apo teknike);
iv) zgjedhje të parakohshme në afat të arsyeshëm”.
…“Shumica e përfitimeve janë evidente: reforma miratohet siç duhet dhe si duhet; ky parlament me damkën e kriminalizimit e mbyll me një vepër të lavdërueshme; vendi fiton një parlament të ri të filtruar nga ligji i dekriminalizimit; zgjidhen pretendimet e opozitës për kapje sistemi apo për vjedhje të zgjedhjeve; shmanget qeverisja me këmbën zvarrë; bie çdo dyshim për vjedhje të zgjedhjeve nga qeveria pasi s’ka motiv t’i vjedhë zgjedhjet një qeveri ekspertësh etj”.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: