Pesë ndeshje radhazi në kampionat pa fitore janë shumë për Skënderbeun. Ai barazim në Durrës me Teutën dy javë më parë u duk shpresëdhënës për ngjitjen në klasifikim, por sërish korçarët nuk mundën të fitojnë në fushën e tyre, edhe pse ishin në avantazh ndaj Dinamos.
Kriza e rezultateve vazhdon për ekipin e drejtuar nga trajneri Ivan Gvozdenoviç, që mbetet në pozita delikate në renditje. Skënderbeu ka vetëm 1 pikë më shumë se vendi i parafundit, që të zbret direkt një kategori më poshtë. Këtë vend e mban Laçi, kundërshtari i radhës i korçarëve, të cilët luajnë një “finale” në fundjavë dhe për më tepër në transfertë. Kthehet nga skualifikimi mbrojtësi Markos Ramos, ndërkohë që shpresohet edhe për rikuperimin në kohë të kapitenit Elvis Prençi.
FAKTORI “RASHICA” – Shpresat e Skënderbeut për sfidën e radhës janë te forma e mirë e Ermir Rashicës, sulmuesit anësor që gati çdo javë është protagonist me gola dhe lojë te bardhekuqtë. Edhe ndaj Dinamos ai shënoi, asistoi dhe goditi edhe shtyllën.
Deri tani 20- vjeçari ka realizuar 6 gola për korçarët. Ka qenë pikërisht Rashica ai që ka zgjidhur një tjetër ndeshje si kjo me Laçin, atë me Bylisin në Ballsh, ku Skënderbeu mori 3 pikët me një gol të tij. Megjithatë, sulmuesi i ri nuk mund të fitojë i vetëm, e gjithë skuadra duhet të ketë qasjen e duhur në Laç dhe puna e juglindorëve është fokusuar në këtë aspekt.
PRESIONI – Nuk ka diskutim që presioni ndihet në radhët e Skënderbeut pas rezultateve të fundit. Trajneri Gvozdenoviç me diplomaci deklaroi pas barazimit me Dinamon se presioni në futboll është gjithmonë, por është e qartë se një hap fals kundër Laçit mund të ketë pasoja të rënda.
Për këtë arsye stafi teknik kërkon ta motivojë grupin e futbollistëve për të përballuar kundërshtarin në fushë dhe për të menaxhuar sa më mirë të jetë e mundur presionin.