Edhe sezonin e kaluar, kur kishte një skuadër më të kompletuar, Egnatia pati oshilacionet e veta, sidomos pasi krijoi një lloj shkëputjeje nga rivalët, por në fund fitoi titullin e parë kampion në histori. Historia mund të përsëritet këtë sezon, ku kampionët në fuqi kanë shfaqur probleme që në fazën e parë.
Në një kampionat shumë të ngjeshur në katet e sipërme të tij, situatat mund të ndryshojnë nga java në javë dhe Egnatia sigurisht që do të ketë rol protagonisti. Rrogozhinasit, pavarësisht se kanë pësuar dy humbje në sfidat ndaj dy rivalëve direkt, si Vllaznia dhe Partizani, janë 1 pikë larg vendit të parë që mbahet nga të kuqtë.
Me një kalendar në favor për javët e ardhshme, ku 4 nga 5 ndeshjet e radhës i luajnë në shtëpi, skuadra e trajnerit Tetova mund të nisë “vrapin” dhe pse jo t’i lërë prapa rivalët. Egnatia ka nisur një cikël të ri, siç e ka përmendur shpesh trajneri durrsak, dhe ky cikël kërkon detyrimisht kohën e vet. Me rëndësi është që skuadra të shkojë në formën optimale në “Final 4”, ku luhet sfidat vendimtare të titullit.
ARMËT PLUS – Para ndeshjes me Teutën, që mbyll fazën e parë, rrogozhinasit do të kenë edhe ndonjë “armë” plus, siç është sulmuesi Bakajoko, i rikuperuar plotësisht nga dëmtimi që e ka mbajtur jashtë gjatë 8 javëve të para. Po ashtu, edhe ndonjë lojtar tjetër që ka pasur probleme fizike, si Fangaj dhe Xhemajli, duket se janë gati për përballjen e kësaj jave me durrsakët.
Një tjetër “armë” në vazhdim të kampionatit do të jetë ish-mbrojtësi i Kombëtares, Frederik Veseli, i cili firmosi vetëm pak ditë me parë për kampionët e Shqipërisë. Ndoshta atij do t’i duhet pak kohë për të kapur formën optimale, por me eksperiencën e gjatë që ka me siguri do t’i shërbejë Egnatias ndoshta në pjesën më të rëndësishme të sezonit, kur gara bëhet edhe më e fortë.