Gazetari Osman Stafa ka denoncuar situatën e rënduar në spitalin e Onkopediatrisë, ku fëmijët që vuajnë nga kanceri po përballen me mungesë ilaçesh dhe prindërit nuk kanë mundësi të paguajnë për trajtimet e nevojshme.
Në emisionin “Kjo Javë” në News 24, Stafa theksoi se jo vetëm spitali i Onkopediatrisë, por edhe spitali i Traumës dhe shumë institucione të tjera shëndetësore në Shqipëri po përballen me mungesa të mëdha të medikamenteve dhe pajisjeve të domosdoshme, duke e bërë të pamundur realizimin e skanerëve për pacientët me kancer. Kjo ka detyruar shumë qytetarë të shpenzojnë shuma të mëdha parash në spitalet private apo jashtë shtetit. Stafa kritikoi ashpër dështimin e koncesioneve dhe mungesën e fondeve për analizat dhe trajtimet e pacientëve.
“Unë para disa kohësh kam qenë në spitalin e Onkopediatrisë për fëmijët të cilët vuajnë nga kanceri bashkë me një grup të rinjsh për të realizuar festat e ditëlindjeve të tyre për t’i dhënë atyre emocione pasi po luftonin me jetën e tyre në spital dhe duhet të theksoj mungesën e medikamenteve në atë spital dhe ata fëmijë detyroheshin të largoheshin . Prindërit nuk kishin mundësi të paguanin për ilaçet.
Ishte shumë e dhimbshme dhe unë nuk mund të rrija pa bërë diçka dhe e kam denoncuar si rast. Gjithashtu edhe në onkologjik vura se mungonin medikamentet për të sëmurët dhe ishte çnjerëzore. Edhe në spitalin e Traumës nuk ka kardiokirurg dhe operacionet bëhen nga kirurgët e përgjithshëm. Pastaj ti kupton se në Shqipëri pacientët që vuajnë nga kanceri nuk mund të bëjnë dot një skaner dhe jemi i vetmi vend në rajon. Edhe në Maqedoni dhe Greqi mund t’i bësh dhe vetëm ne nuk e kemi dhe është një aparaturë shumë e rëndësishme për personat të cilët vuajnë bga kjo sëmundje.Qytetarët detyrohen të shkojnë ose në spitalet private ose në Turqi dhe Maqedoni duke paguar nga 2000-3000 euro.
Një tjetër problem ishte edhe që ti nuk mund të bësh dot analizat duke u shtyrë në muajin tjetër sepse mbaron fondi dhe koncesioni i laboratorëve ka rezultuar një dështim në të gjithë Shqipërinë. Edhe personat me aftësi të kufizuar që kanë nevojë për kemp, për të bërë disa analiza të thjeshta duhet t’i tregosh gjithmonë që vuan nga diçka.
Ato shkojnë për të bërë disa analiza por ato e vendosin pas 3 muajsh ndërkohë që komisioni mund ta ketë kërkuar javën tjetër dhe detyrohen të shkojnë tek spitali privat duke paguar rreth 200-300 mijë lekë. Janë mjekët ata që më kanë treguar dhe kanë besuar tek unë dhe nuk do t’i tradhëtoj deri në fund.
Nuk do të tërhiqem pasi po bëhet një krim ndaj shqiptarëve. Nesër mund të na ndodhi edhe neve ose familjarëve tanë. Si pasojë e protestave dhe denoncimeve të cilat janë bërë publikisht dhe si pasojë e vendosmërisë po e them me bindje se gjysma e medikamenteve në spitale janë siguruar dhe kjo ka ardhur si pasojë e të bërit publike.Burimet e mia janë edhe tek Ministria e Shëndetësisë dhe janë aq afër atyre që drejtojnë spitalin dhe se si reagojnë ata pas çdo denoncimi .Më kanë thënë gjithashtu se ditët e fundit po vazhdojnë prapë mungesat.
Edhe personat që kanë nevojë për rreze, ka vetëm 2 akseneratorë të cilët prishen 1 herë në dy javë. Unë mendoj se para Tik-Tokut ose problemet e tjera që mund të zgjidhen ne duhet t’i japim rëndësi edhe shëndetësisë”, tha ai.
(BalkanWeb)