Për shkak të kushteve mjaft të vështira atmosferike dhe reshjeve të dendura të dëborës situata e qarkullimit të automjeteve në rrugën kombëtare Qafë Thanë-Prrenjas-Librazhd është vështirësuar së tepërmi gjatë orëve të mbrëmjes së kësaj fundjave.
Fluksi i madh i qarkullimit nga Shqipëria Juglindore ka shkaktuar rëndim të situatës që prej orës 16:00 e në vazhdim. Shumica e auto veturave që po qarkullojnë në këtë rrugë dhe që udhëtojnë drejt Tiranës rezultojnë se nuk kanë goma dimërore dhe zinxhirë.
Policia rrugore e dislokuar me forca të shtuara në të gjithë gjatësinë e kësaj rruge ku radhët e krijuara janë kilometrike është duke bërë gjithçka për të normalizuar situatën por drejtues të papërgjegjshëm automjetesh janë kthyer në problem shpesh herë me tentativat për parakalime duke sjellë bllokime të qarkullimit në disa segmente.
Krijimi i radhëve po shkakton bllokimin e qarkullimit të borëpastrueseve dhe mjeteve që mirëmbajnë rrugën nga Qafë Thana në Librazhd.Situata paraqitet kritike në tre segmente, përkatësisht në Qafë Thanë, Pishkash e Qukës.
Ndërkohë që përdoruesit e këtij segmenti rrugor gjatë ditës së sotme janë ankuar se firma mirëmbajtëse e kësaj pjese të rrugës kombëtare nuk ka qenë aspak në gatishmëri dhe nuk e ka kryer detyrën për hedhjen e kripës dhe skories për të mundësuar qarkullimin normal në këtë aks rrugor tejet i qarkullueshëm gjatë fundjavës duke i faturuar pa shkak policisë rrugore një problematikë pune të jashtëzakonshme.