Situata e zjarrit në fshatrat e njësive administrative Fan dhe Orosh në bashkinë e Mirditë ka krijuar një emergjencë të madhe në zonë. Zjarri, i cili ka përfshirë një zonë të gjerë pyjore me pisha, ka shpërthyer në një sipërfaqe prej mbi 560 hektarësh, duke u shtrirë në një perimeter të gjatë mbi 10 kilometra.

Aktualisht, në terren janë angazhuar 4 automjete zjarrfikëse, 40 forca lokale dhe 60 forca të ushtrisë. Për të përballuar situatën, janë dërguar gjithashtu 3 zjarrfikëse nga Tirana (2 nga Tirana dhe 1 nga Kamza), dhe pritet ndërhyrja nga ajri për të ndihmuar në shuarjen e zjarrit.

Forcat e emergjencës janë përqendruar kryesisht pranë banesave në fshatrat Xhuxhë, Shëngjin dhe Petoq, që ndodhen në njësinë administrative Fan, për të mbrojtur shtëpitë dhe për të parandaluar përhapjen e zjarrit.

Kryetari i Bashkisë Mirdite, Albert Mëlyshi, ka deklaruar se situata është shumë e vështirë. Ai ka theksuar se përpjekjet janë përqendruar në vendosjen e një perimetri për të mbajtur nën kontroll përhapjen e zjarrit, por ka theksuar se është e nevojshme monitorimi 24-orësh për të menaxhuar situatën. Sipas tij, ndërhyrja e helikopterëve është gjithashtu e ndërlikuar për shkak të sipërfaqes së madhe dhe shtrirjes së zjarrit.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb