Malësia e Krujës vazhdon të përballet me kushte të vështira pas shumë orësh pa energji elektrike dhe rrugëve të bllokuara nga niveli i lartë i dëborës.
Në Krastën e Krujës raportohet se disa pisha janë shkulur, një prej të cilave ka rënë mbi dy autovetura. Fatmirësisht, pasagjerët në këto mjete kanë shpëtuar pa pësuar dëmtime, por aksi Krujë-Fushë Krujë është aktualisht i bllokuar për shkak të rënies së pemës, e cila pritet të hiqet.
Ndërkohë, era e fortë dhe reshjet e dendura të shiut vazhdojnë të ndikojnë në të gjithë rrethin, me reshje të mëdha dëbore në zonat malore.
Niveli i lumit Ishëm ka shënuar rritje, megjithatë deri tani nuk ka rrezik për përmbytje.
Në këtë situatë emergjente, deri më tani janë angazhuar vetëm repartet zjarrfikëse dhe punonjësit e OSHEE-së për të adresuar problemet.