TIRANË

I arrestuari i gjashtë për grabitjen në Rinas hedh poshtë akuzat e prokurorisë. Në seancën e sotme për masën e sigurisë, Ragip Hajdini, për policinë i njohur si ‘daja’ i dëshmisë së Alkond Begasit ka mohuar çdo lidhje me grabitjen. Gazetarja Klodiana Lala raportoi për “BalkanWeb” se ai ka deklaruar se ka njohje me familjen e Admir Murataj dhe madje se kishte qenë edhe në varrim.

Hajdini ka thënë se nuk është ‘daja’ që kërkon policia, pavarësisht se thërritet me të njëjtën nofkë dhe se ka pamje filmike që tregojnë se ku ka qenë ditën e grabitjes.

“Kam njohje me familjen Murataj. Isha në varrimin e Muratajt, kam njohje me vëllain e tij. Por nuk jam unë ‘daja’ që kërkoni. Kam dëgjuar në media që flitej për një ‘daja’, por po të kisha lidhje nuk rrija këtu. Kam pamjet filmike që nuk isha aty në ditën e grabitjes. Kam qenë duke drekuar me miq të mi”, është shprehur Hajdini.

Ai ka kërkuar edhe ballafaqim me dëshmitarin e drejtësisë Alkond Bengasin për të verifikuar se nuk është ai personi i dyshuar. “Dua të ballafaqohem me Bengasin që më ka identifikuar”, ka thënë Hajdini.

Me gjithë deklaratën e tij, Gjykata e Krimeve të Rënda ka vendosur masën e sigurisë “Arrest në burg”. Hajdini u arrestua më 26 prill në zonën e Shkëmbit të Kavajës, si një nga të dyshuarit për grabitjen e 9 Prillit në Rinas. Arrestimi i tij erdhi pas dëshmisë së dëshmitarit të drejtësisë, Alkond Bengasi, që tha se “daja” nga Kosova ishte një person tullac, të cilin e kishte takuar disa herë me Admir Muratajn.

Përveç Hajdinit të arrestuar janë Oltion Veseli, Alkond Bengasi, Renaldo Sula, Elton Pikli dhe Saimir Cela. Gjatë grabitjes mbeti i vrarë Admir Murataj.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb